Emërime skandaloze në shkollat e Durrësit, deputetët nuk guxojnë t’i afrohen DAR-it

501
Sigal

Ministria e Arsimit dhe Sporteve, pas Lushnjës duket se do të ndalet në Drejtorinë Rajonale Arsimore Durrës, lidhur me emërimet më skandaloze që janë bërë ndonjëherë në drejtimin e shkollave të sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm. Emërimet janë nga më skandalozet, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave jo vetëm janë emëruar pa konkurse ashtu siç u deklarua dhe propagandua, por janë ndjekur procedura nga më antiligjoret. MAS nga Lushnja shumë shpejt do të mbërrijë në DAR Durrës, pas ankesave jo vetëm nga stafet e mësuesve por edhe deputetët e majtë, të cilët nuk guxojnë ti afrohen këtij institucioni. Burimet nga DAR Durrës i thanë “Telegraf” se “drejtoresha e arsimit nuk komunikon fare me deputetët socialistë, pavarësisht se ishin ata që e propozuan dhe emëruan atje, tani ka nja 2-3 muaj që deklaron se jam e LSI, por edhe deputetët e asaj partie nuk i qas tek dera, nuk u hap as celularin, kurse emërimet bëhen vetëm me firmën dhe miratimin e saj, as konkurse as kritere, asgjë fare, gjithçka  rrumpallë”. Vetëm transferimet dhe emërimet e drejtuesve në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme të bëra në 3 muajt e fundit janë fakti për emërimet më antiligjore, janë bërë drejtorë miqtë, shokët dhe shoqet e drejtoreshës, janë bërë nëndrejtorë dhe nëndrejtoresha mësues që kanë mbaruar me part-time me mesatare 6, dhe rokada vazhdon. Vazhdon duke thyer çdo ligj, rregull, udhëzim nga MAS, dhe sërish asgjë e re në sistemin arsimor kaq të goditur në qarkun e Durrësit. Stafet e ZA-ve dhe DAR, si dhe stafet e shkollave po mbushen prej 1 viti me të paaftë, madje ka edhe dentist e veterinerë që kanë nisur punën si “specialist arsimi parashkollorë”. Edhe kur dikush ka ngritur zërin dhe ka kundërshtuar transferimet dhe lëvizjet e bëra, emërimet dhe shkarkimet, ai është larguar brenda javës dhe është degdisur në Ishëm, Gjepalaj apo ka dale në “dispozicion” të DAR. Në shkollat e Durrësit ka plot pakënaqësi nga stafet e mësuesve, por më interesante mbetet pakënaqësia e deputetëve të majtë, të cilët qysh majin e kaluar, kanë kërkuar largimin e drejtoreshës së DAR Durrës, por duket se ka qenë e pamundur. Vulën përpjekjeve të deputetëve të majtë ja ka vënë debati në muajin tetor në një takim të hapur mbi “Politikat arsimore në Qarkun e Durrësit”, mes drejtoreshës Lindita Mukaj dhe Tauland Ballës. Ka qenë zonja Mukaj që i ka deklaruar hapur deputetit socialist Balla se, “nuk marr urdhra nga ju, as nga PS, pasi jam e LSI”. Ky transferim politik i zonjës Mukaj, ka habitur gjithë të pranishmit, pasi deklarata e saj ishte pa sens pasi atje diskutohej gjithçka tjetër, veç përkatësisë partiake të saj. Edhe në atë takim u diskutuan problemet e arsimit në Durrës, por konkluzionet që dolën duket se e hodhën në kosh. Problematikat me reformimin e sistemit arsimor në Durrës duket se kanë ngecur nga mungesa e vullnetit të treguar nga stafi i DAR dhe drejtuesit e rinj të emëruar nga ky institucion në shumicën e shkollave të Qarkut. Është e pafalshme të emërosh në 2014, kur kërkesat janë esenciale, drejtues me mesatare 6 apo edhe 7, kur ka mjaft mësues që jo vetëm kanë mbi 20 vite punë, por kanë Master, dhe dhjetëra specializime brenda dhe jashtë shtetit në fushën e tyre. Asgjë nuk është më antiligjore se përkrahja e mbështetja e të paaftëve, promovimi dhe reklamimi i tyre në vendet drejtuese, aq më kaq në institucionet e shkollimit të brezave të rinj.