Elbasan/ Drejtorët e gjimnazeve shkelin me të dyja këmbët urdhrin e DAR

866
Në qytetin e Elbasanit nuk po gjen zbatimi urdhri i Drejtorisë Arsimore Rajonale, e cila iu është drejtuar të gjitha shkollave në vend për respektimin e regjistrimeve nga shkollat 9-vjeçare në gjimnaze. Por një gjë e tillë nuk është respektuar nga drejtorët e gjimnazeve të Elbasanit, të cilët kanë bërë regjistrimet e nxënëseve në gjimnazet e tyre edhe pse nuk duhet të regjistroheshin, pasi DAR ka lëshuar një listë, në të cilët bëhen të ditura të gjitha rregullat që duhet të ndiqen nga drejtoritë e gjimnazeve. Drejtorët regjistrojnë nxënës nga shkollat 9-vjeçare, qe nuk iu takojnë sipas ndarjes së bërë nga DAR. Udhëzimi i DAR është bërë para fillimit të regjistrimeve dhe iu është dërguar drejtorëve të gjimnazeve, së bashku me listat e shkollave 9-vjeçare, të cilat kanë të drejtë të regjistrojnë nxënës. Sipas DAR, kjo ndarje bëhet e detyrueshme për dy arsye. E para sepse nxënësit shkojnë te shkollat, të cilat gjenden më pranë banesave të tyre dhe e dyta, të mos krijohet mbipopullim në shkolla të caktuara dhe boshatisje të disa shkollave të tjera, për shkak të mungesës së nxënësve. Vitin e kaluar ka pasur mjaft ankesa prindërish në lidhje me klasa të mbipopulluara dhe me shkolla me një numër klasash shume të madh. Në disa gjimnaze në, janë eliminuar dhe kabinetet e laboratorët e lendeve të ndryshme për shkak të shtimit të klasave, sepse kapaciteti i nxënëseve ishte tepër i lartë në disa gjimnaze. Vetë ministria Lindita Nikolla, ka dhënë urdhër për shkarkime drejtorësh, nëse klasat kalojnë kapacitetin e 35 nxënësve për klasë. Por si duket në Elbasan, deri tani nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese në lidhje me këtë shkelje të bërë në mënyrë të hapur nga drejtuesit e gjimnazeve të këtij qyteti.
Sigal