Eglantina Metani: Në 5 janar konkursi për 17 drejtorë shkollash. Ja pozicionet e lira

1502
Sigal

 DAR Qarku Tiranë shpall konkursin për drejtorë shkolle. Aplikimet deri në 31 dhjetor

Eglantina Metani, drejtorja e DAR Qarku Tiranë ka urdhëruar shpalljen e konkursit për vendet e lira në pozicionin “Drejtor i Institucionit Arsimor”. Faza e parë e konkurrimit do të zhvillohet në 5 janar të vitit 2015, ndërsa aplikimet mbyllen në 31 dhjetor të këtij viti. “Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë, në zbatim të Ligjit Nr. 6912012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të VKM-së Nr.66, datë 03.02.2010 “Për riorganizimin e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore”, si dhe të Udhëzimit Nr.57, datë 12.11.2013 “Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të institucionit publik të arsimit parauniversitar”, shpall konkursin për vendet e lira në pozicionin Drejtor i Institucionit Arsimor Publik” thuhet në njoftimin e DAR Qarku Tiranë, firmosur nga znj. Metani.

 Pozicionet bosh për drejtor në:

1. Shkollën e Mesme të Bashkuar “Feti Vogli” Baldushk, Tiranë.

2. Shkollën e Mesme të Bashkuar “16 Shtatori” Pezë, Tiranë.

3. Shkollën e Mesme të Bashkuar “Shaban Sheshori” Prezë, Tirane.

4. Shkollën e Mesme të Bashkuar “100 Vjetori” Kashar, Tiranë.

5. Shkollën e Mesme të Bashkuar Farkë e Madhe, Tiranë.

6. Shkollën e Mesme Vorë, Tirane.

7. Shkollën e Mesme Ndroq, Tiranë.

8. Shkollën 9 vjeçare Ahmetaq, Tiranë.

9. Shkollën 9 vjeçare Fushë Prezë, Tiranë.

10. Shkollën 9 vjeçare Ndroq, Tiranë.

11. Shkollën 9 vjeçare Lalm, Tiranë.

12. Shkollën 9 vjeçare Farke e Vogël, Tiranë.

13. Shkollën 9 vjeçare Vorë, Tiranë.

14. Shkollën 9 vjeçare Yzberisht, Tiranë.

15. Shkollën 9 vjeçare Kashar Kodër, Tiranë.

16. Shkollën 9 vjeçare Pezë e Vogël, Tiranë.

17. Shkollën 9 vjeçare “Kasem Shima” Mëzez Kodër, Tiranë.

 Kërkesa të veçanta për kandidatët

Kandidati/ja për drejtor i institucionit publik të arsimit parauniversitar duhet:

a) të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9741, datë 21. 5. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, (fotokopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave të shkollës së lartë),

b) të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” (fotokopje e noterizuar e dëshmisë së kualifikimit)

c) të mos ketë masa disiplinore në fuqi ndaj tij/saj (nëse nuk ka, e deklaron me shkrim që nuk ka).

 Dokumentacioni i aplikimit

a) Kërkesë me shkrim në lidhje me institucionin publik arsimor në të cilin, kandidati/ja kërkon të aplikojë;

b) CV – në dhe kopjet që dëshmojnë pohimet në CV (Sipas modelit të përcaktuar në shtojcën Nr. 1, bashkëlidhur Udhëzimit Nr.57, datë 12.11.2013);

c) Tabelën e plotësuar me të dhënat për aplikant (Sipas modelit të përcaktuar në shtojcën nr. 2, bashkëlidhur Udhëzimit Nr. 5 7, datë 12.11.2013);

g) Dëshminë e penalitetit të lëshuar jo më herët se tre muaj para datës së aplikimit;

d) Dy rekomandime nga mësues, drejtorë të institucioneve arsimore, ose titullarë të njësive arsimore vendore që kanë punuar me aplikantin gjatë viteve të fundit. (Sipas modelit të shtojcës nr.3, bashkëlidhur Udhëzimit Nr.57, datë 12.11.2013).

Dokumentacioni për aplikim paraqitet në zarf të mbyllur.

 Afati i dorëzimit të dokumenteve

Dorëzimi i dokumentacionit të aplikimit do të bëhet pranë Sekretarisë së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, me adresë: rruga “Aleksandër Moisiu”, Tiranë, çdo ditë nga dita e hënë në të enjte nga ora 08:00 – 16:30 dhe ditën e premte nga ora 08.00 – 14.00. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit të aplikimit do të jetë data 31 Dhjetor 2014, ora 14.00.

 Dokumentet e nevojshme për konkurrim

Drejtori aktual i institucionit arsimor publik përkatës, do të verë në dispozicion të secilit aplikant një kopje të dokumenteve të mëposhtme, të nevojshme për zhvillimin e konkurrimit :

a) Plani afatmesëm i shkollës.

b) Plani vjetor i shkollës i vitit pararendës,

c) Raporti vjetor i shkollës i vitit pararendës.

 Konkursi në 5 janar

Faza e parë e konkurrimit do të zhvillohet më 5 Janar 2015, në prani të komisionit të vlerësimit, pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë.