Drejtoria Arsimore Durrës vë alarmin: Mbi 120 nxënës kanë lënë bangat

717
Sigal

Drejtoria Arsimore e Durrësit ka dhënë alarmin, pasi deri tani mbi 120 nxënës në shkallë Qarku kanë braktisur mësimin, duke mos u kthyer më në shkolla. Ky alarm pritet të mbërrijë në dikasterin e Arsimit në Tiranë, por duket se shqetësimi është kthyer në problem kronik. Duke u përgjigjur thatë se, “shkollat i braktisin të ardhurit dhe kënetarët”, duket se zyrtarët e drejtorive arsimore duan ta fshehin problemin. Ai mbetet shumë shqetësues, pasi sipas deklaratave edhe të drejtuesve të shumë shkollave,“braktisja edhe këtë vit shkollor, ka nisur qysh javët e para të tij dhe mbetet e pamundur të mbushen mendjet e shumë prindërve, të cilët thonë se janë keq ekonomikisht, ndaj dhe u duhen krahë pune. Shifra e deklaruar dhe e dërguar zyrtarisht në zërin “mbarëvajtje-braktisje”, mbetet shqetësuese, pasi vetëm gjatë vitit të kaluar shkollor 2013-2014 në shkallë Qarku në Durrës e braktisën shkollën mbi 200 nxënës, ku më të prekshme mbeten zonat e Fushë-Krujës, Krujës, Kënetës, Spitallës, Plazhit dhe zonave periferike, duke mos munguar edhe ato që shkollohen brenda në qytet. Sipas drejtuesve të shkollave, braktisja ka nisur pak javë pas fillimit të vitit të ri shkollor, kur nxënësve u kërkohej me detyrim të blinin libra me çmime të papërballueshme pavarësisht nga niveli ekonomik, apo kur atyre u kërkohej nivel mësimor, por duket se arsyeja kryesore ka qenë ajo ekonomike e qindra familjeve të pasaportizuara në Durrës, të ardhur në vitet e fundit. Çdo vit shkollor asnjëherë nuk fillon dhe mbaron me numrin e njëjtë të nxënësve të regjistruar, pasi një përqindje jo e vogël e tyre e braktisin atë. Me dhjetëra nxënës shkollash do t’i takosh tek shesin fara, cigare, banane, apo diçka tjetër, në ndihmë të buxhetit familjar. Braktisja e shkollave ka nisur të bëhet “modë” në qytetin bregdetar, duke u shtrirë edhe në shkollat e mesme. Kështu, gjatë muajve të parë të këtij viti shkollor, në 8 gjimnazet e Qarkut, e kanë braktisur shkollën disa djem dhe vajza, nga viti i parë deri në maturë. Drejtuesit dhe mësuesit e shkollave të sistemit parauniversitar shprehen se, “ka humbur interesimi, nxënësit vijnë në klasa sikur nisen për piknik, vlerësimet bëhen me baza njohjesh, parash dhe urdhrash, kurse një pjesë tjetër kur e shikon ndryshe realitetin e braktis fare shkollën, pra, çdo gjë duhet ribërë se po rrënohen vlerat”. Në shkolla mungon pothuajse fare puna dhe interesimi ndaj fenomeneve negative që shfaqin nxënësit, duke e kthyer orën e mësimit dhe shpjegimin e lëndës në testim për të njohur “nivelin ekonomik” të çdo nxënësi. Kjo mënyrë detyron dhe nxit shpesh braktisjen e shkollave që ka marrë përmasat e një epidemie në sistemin arsimor, jo vetëm në Durrës.

Artur  AJAZI