Drejtoresha e DAR Durrës nis spastrimet politike në shkolla

2859
Sigal

Denoncon Adelina Qerama: Dhunë e presion psikologjik:O ti, o unë, ndaj largohu nga drejtimi i shkollës!

Unë që po ju shkruaj jam drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në Durrës dhe kam që nga prilli i 2014-ës që jam ne këtë detyrë. Dua të denoncoj një presion të hapur që i është bërë z. Artan Zaimi, kryetar i bordit te shkollës, nga ana e drejtoreshës së DAR Durres zj. Lindita Muka e cila është vënë në një fushatë  intensive me qëllim largimin tim nga puna. Këtu dua të theksoj se unë nuk kam lindur drejtoreshë dhe nuk e kam qëllim në vetvete qëndrimin tim ne këtë post, por kërkoj nëpërmjet rastit tim të ngre një kauzë në mbrojtje të dinjitetit të mësuesit i cili nuk duhet të nëpërkëmbet nga kushdo qoftë. Por çfarë e shtyn zj. Muka në këtë ndërmarrje të turpshme për të, por edhe për të gjithë arsimin në Shqipëri. Unë pasi u emërova në detyrën e re ndërtova një strategji pune, që do fillonte me rregullimin e shkollës si ndërtesë, për të vazhduar  pastaj me disiplinën, rritjen e cilësisë së mësimdhënies, për të pasur rezultate të mira si shkollë, por edhe nëpër olimpiada dhe aktivitete të tjera kulturore e sociale. Gjatë verës kur të gjithë pushonin unë me idealizmin dhe pasionin tim, fillova të rregulloja shkollën , që fëmijët kur të vinin ta gjenin të ndryshuar dhe të kishin një kënaqësi më shume për ta frekuentuar atë. Me fillimin e vitit të ri shkollor u ndesha me dy reagime. Njëri nga fëmijët dhe prindërit dhe tjetri nga Drejtoria Arsimore në Durrës. I pari ishte kënaqësia më e madhe që kam marrë ndonjëherë nga fëmijët dhe prindërit e tyre që më vlerësuan, vlerësim që nuk thuhej vetëm me fjalë por rrezatohej edhe nga sytë dhe sjellja e tyre. Pamjet e shkollës para dhe pas atij restaurimi modest i kemi prezentë në material arkivore fotografike. Reagimi i dytë për çudinë time të madhe ishte shumë negativ dhe vinte direkt nga zonja Muka. Këtu fillon edhe historia e luftës që më është bërë në mënyrë të vazhdueshme, nga shtatori deri në ditën që po ju shkruaj. Sulmin e parë e kalova me sukses, sepse edhe pse u ri shqyrtua vendimi i komisionit të vlerësimit të dosjeve dhe intervistës për shpalljen e kandidatit fitues për pozicionin e drejtorit të shkollës, unë përsëri edhe me vlerësimin e DAR dola fituese. Këtu fillon sulmi i dytë tërësisht personal nga ana e zonja Muka e cila edhe këtë vlerësim nuk e pranoi. Më thotë që “unë nuk të dua për drejtoreshë”, duke më propozuar një vend si mësuese në një shkollë tjetër. Sigurisht unë e refuzova këtë kërkesë, që kishte trajtën e qartë të shantazhit, pasi e mbylli bisedën me fjalët “o ti, o unë” dhe i bëra një e-mail Ministrisë Arsimit nga e cila nuk kam marrë asnjë përgjigje. Para dy ditësh kërkoi të rimblidhte komisionin tre muaj pas shpalljes së kandidaturës time si fituese, në shkelje të hapur të të gjitha rregullave dhe afateve të përcaktuara në udhëzimin nr. 57 të MAS. Duke përjashtuar dy mësuese të cilat nga frika se mos humbin vendin e punës, pjesa tjetër e komisionit nuk u paraqit, pasi e konsideron abuziv këtë vendim të  drejtoreshës së DAR Durrës zonjës Muka.Po atë ditë bëhet edhe presioni ndaj kryetarit të bordit të shkollës dhe njëkohësisht pjesëtar i komisionit vlerësues të kandidaturave. Nga ky fakt si edhe nga e gjithë fushata e sulmit të padrejtë që është bërë ndaj meje, unë vendosa ta denoncoj tek “Telegraf” këtë problem. Së fundi dua të bëj një sqarim lidhur me të ardhurat që mblidhen nga fëmijët. Unë siç thashë edhe më sipër vendosa të bëj një restaurim modest, pjesor të shkollës për arsyet që parashtrova, por edhe për të parë se ç’mund të bëhëj me këto para. Ajo që bëra unë ndoshta ka prishur edhe piacën 20-vjeçare të shpërdorimit të këtyre të hollave me të cilat nuk e di se ç’farë është bërë ,por ajo që kemi parë ka qënë vetëm një lyerje e shkollës , jo me bojë të holluar me ujë, por me ujë të ngjyrosur me bojë. Dua të sqaroj gjithashtu se nga rreth 40 shkolla 9-vjeçare që ka Durrësi mblidhen për çdo shkollë minimumi 800.000 leke te rinj X 40= 32 milion leke te rinj nje xhiro joshëse për shume “paradashës”. Ndoshta për këtë mund të na sqarojë zonja Muka, e cila ka qenë pjesë e stafit të DAR edhe para 23 Qershorit dhe ndoshta (qofsha e gabuar) kërkon ta vazhdojë këtë procedurë.                                                                  Me respekt Adelina Qerama

Drejtoreshës e Shkollës “Shaqe Mazreku” Durrës