Drejtor me diplomë fallco

604
Sigal

Skandali në arsim/ Fenomeni i emërimeve të drejtorëve me diploma false. Injorantët drejtojnë arsimin

Skandalet me konkurset për drejtorët e DAR dhe ZA-ve në të gjithë vendin po rikthehen në vëmendjen e opinionit publik. Qytetarët shqiptarë janë të shqetësuar, sepse drejtimin e arsimit e kanë marrë në dorë njerëz të paaftë, por që pretendojnë se kanë “ndihmuar” të majtën të vijë në pushtet. Ndërsa intelektualët dhe socialistët e vërtetë bredhin me CV në dorë me shpresën se dikush do të kujtohet dhe për ta. Po le ti rikthemi fenomenit, të drejtorëve të paaftë në arsimin shqiptar, të cilët për të arritur qëllimin e tyre kanë falsifikuar diploma e dokumente zyrtare, duke shkelur kështu ligjin me të dyja këmbët. Që herët, gazeta “Telegraf” ka botuar një listë të gjatë të skandaleve me emërimet në administratë, ku një inxhinier vihet në krye të shëndetit, ku një mësues në elektrik apo raste të tjera të kësaj natyre.  Ndërsa në maj të këtij viti gazeta ka dhënë rezultatet e një investigimi lidhur me një emërim në qarkun e Korçës (i cili renditet i pari lidhur me skandalin e emërimeve në administratë, sipas denoncimeve të vetë qytetarëve), përkatësisht në krye të Arsimit në Devoll, ku titullari aktual, për t’u bërë drejtor, ka falsifikuar notat e diplomës, për të qenë në listën e konkurrentëve. Ky falsifikues ka dalë dhe fitues!? Ky rast vjen sërish në vëmendjen e lexuesve të gazetës, pasi është pikërisht një qytetar, i cili kërkon nga MAS që të marrë parasysh denoncimet e mediave dhe të kujdeset që në krye të arsimit shqiptar mos të ketë injorantë dhe falsifikatorë, të cilët duhen denoncuar (dhe jo mbrojtur) sipas ligjit shqiptar.

 DREJTORI FALSIFIKATOR

Pa marrë përsipër të përcaktojmë kush e ka bërë falsifikimin e notave në dy dokumentet zyrtare me firmë e vulë të notave të diplomës së Alban Fetollit, (të cilat “Telegraf” i disponon), pasi nuk është detyra jonë, por e të tjerëve, ne po japim fenomenin e përmendur më lart. Janë dy dokumente (shih në faksimilet në këtë faqe) me firmë e vulë, me vlerësimet e notave për të njëjtin person, por që notat ndryshojnë. Në shkresën e parë, (atë origjinale) notat pothuaj janë 5 apo 6, e nuk e lejonin konkurrentin (sipas kritereve) të merrte pjesë në garë. Por ky konkurrent, mes 7 të tjerëve, duke falsifikuar notat e diplomës (duke shtuar nga 1 deri 4 nota), futet në konkurrim… dhe fiton..! Kështu në Histori Vendi, nga 5 e çon notën në 6, në Psikologji nga 5 në 6, në leksikologji nga 6 ne 7, etj…. Ndërsa në letërsi angleze (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja), nga 6 e çon notën në 9-të. Kështu, edhe pse kishte notën mesatare më të ulët në 6 konkurrentët (me presje mbi kriter), ai shpallet fitues, e sot drejton arsimin në Devoll…

 DENONCIMI

Denoncimi erdhi me anë të një letre në redaksi nga një drejtues lokal i PS-së në Korçë (Devoll), midis të tjerave thuhej: “Nëpërmjet gazetës suaj, edhe unë dua të denoncoj vënien e titullarit të Zyrës Arsimore në Devoll, duke falsifikuar librezën e notave të cilat i ka pothuaj të gjitha 5 e duke e rritur mesataren në 6.2 . Kuptohet, kundrejt dallavereve doli fitues midis 7 konkurrentëve të cilët ishin me mesatare 8 dhe ky zotëri me precedent penal drejton arsimin”. Diplomën origjinale, e Fakultetin e të Gjuhëve të Huaja, dega anglisht e ka vitet 1988-1993. Trevjeçarin e ka kryer për 5 vjet. kurse librezën false e ka dhe DA Korçë. S.B. Devoll”.

 APELI I QYTETARËVE PËR MINISTREN NIKOLLA

“Të dashur gazetarë! Mora shkas nga një emision investigativ mbi skandalet me konkurset për drejtorët e DAR dhe të ZA në Mirditë. Ka edhe më keq! Kujtojani dhe një herë ministres Nikolla, Alban Fetollin nga Devolli, që ju e keni publikuar në media se kush ishte arsyeja që drejtori  i DAR Korçë nxori fitues një nga më problematikët dhe me mesatare 5, duke eliminuar 6 më të mirët. Mbase reagon, sepse s’e ka vënë ujin fare në zjarr. Mbase duhet t’i nxirrni ne emisione televizive që t’i dalë gjumi, sepse me denoncimet në media nuk merakosen fare. Bëjini  ministres një pyetje nëpërmjet ripublikimit të dëftesës së Alban Fetollit, nëse keni mundësi (por zmadhojini notat që t’i shohë mirë): Si është e mundur që të drejtojnë arsimin  kuadro me mesatare 5  dhe pse nuk është e mundur  kjo për t’u regjistruar në fakultet me mesatare 5, kur këta dalkan më të zotët?! Me shume respekt për të gjithë që sakrifikoni, ANI”.