Dr. Shk. Dhimitraq Th Trajani/ Formimi profesional bashkëkohor

1208
Arsimi profesional që kualifikon numrin më të madh të punonjësve të prodhimit dhe shërbimeve publike, prej kohësh është cilësuar si bazë e tregut të punës. Por cili është niveli i përgatitjes teoriko-praktike në shkollat e e formimit profesional? Fillimisht duhet pohuar domosdoshmëria e lidhjeve të njohurive të përgjithshme të shkencave të natyrës me ato teknike, sepse vështirë se gjen teknologji të nivelit të lartë në strukturat inxhinierike në automjete, makineri manovruese e agregate bujqësore, makina metalprerëse dhe përpunuese, linja të prodhimit industrial, mekanat ngritëse dhe trasportuese në ndërtim etj., ku të mos jenë zbatuar në forma dhe mënyra racionale përfundimet matematikore, ligjet e fizikës, kimisë, shkencave inxhinierike dhe arritjeve e sotme teknologjik. Flitet shumë për reformën në arsim, për kurrikulat që ka zëvendësuar programet ose plane mësimore. Por ky emërtim i ri i huazuar a ka sjellë ndryshim në përmbajtjen e teksteve mësimore?! Po sjell disa shembuj, që provojnë se hartuesit e teksteve mësimore të shkencave të natyrës si “Tekst për Fakultetet e Inxhinierisë”, “Tekst për Shkollat Profesionale” që mësuesit dhe pedagogët që i referojnë ato në auditoret e fakulteteve me profile inxhinierike ose në klasat e shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale, nuk sjellin zbatimet e më të reja të këtyre shkencave bazë në teknologjitë moderne të sotme! 
Mangësitë e teksteve
Në tekstet e fizikës spjegohen zbulimet e Faradeit, (1792-1867), mbi induksionin elektromagnetik, një nga shpikjet gjeniale të shkencës të Fizikës dhe elektricitetit në përgjithësi. Por ai ngriti edhe hipotezën e ndryshimit të polaritetit të dritës gjatë kalimit të saj nëpërmjet një fushe magnetike. Po aq i suksesshëm edhe në shkencën e kimisë, Faradei, me formulimin e dy ligjeve mbi elektrolizën, vendosi themelet e elektrokimisë, sidomos me dukurinë e jonizimit. Por shtrohet pyetja: në cilin tekst u mësohet nxënësëve dhe studentëve, se si mbas formatimit prej tij të bazave të elektrikimisë, që në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit të 19-të, që ato sot përbëjnë në teknologjitë moderne të çdo fushe teknike, tërësinë e dukurive të ndërtimit dhe funksionimit të sensorëve, “shqisave”, po t’i referohemi konceptit kibernetik, që emetojnë sinjale elektrike për modulet e drejtimit, si një nga tre pjesët integrale të qarqeve elektronike?! Prej kohësh njihen katër ekuacionet të bashkëatdhetarit e bashkohësit të Faradeit, edinburgasit Maksvell, mbi ekzistencën e mundshme të vibracioneve periodike në fushën elektromagnetike, tani të provuara dhe të aplikuara gjerësisht dhe me shumë sukses në elektronikën e zbatuar. Por përsëri do shtroj pyetjen: në cilin kapitull të ndonjë teksti të fizikës të nivelit parauniversitar dhe universitar, jepen njohuri mbi përfundimet teorike të tij për praninë e valëve të tjera elektromagnetike, që ndryshojnë nga drita e dukshme, si valë të padukshme, sipas gjatësisë dhe dendurisë të tyre, të zbuluara dhe provuara shkencërisht më vonë nga Herc dhe Markoni, që sot janë të formatuara në një shkencë të re, elektronika optike, të interpretuara nëpërmjet ekuacioneve të tij? Prej kohësh janë të njohura rrezet ‘rëntgen’, ‘gama’, ‘infra të kuqe’, e sigurisht fushat e zbatimit të tyre në mjekësi, teknikat ushtarake, studime të ndryshme, por vështirë të gjesh për të lexuar ndonjë adaptim të tyre në sistemet e sigurisë që komandojnë ndërprerjen e funksionimit të qarqeve të impianteve të ndryshme me drejtim elektronik që drejtojnë mjetet e transportit publik, ndryshimit të intensitetit të dritës prej tyre me përdorimin e fototransistorëve, diodave që emetojnë dritë, fotodiodave etj., të zbatuara në automjetetet e prodhuara në dhjetëvjeçarët e fundit, ku po përdoren sisteme me valë elektromagnetike për sigurimin e automjeteve, që paralamërojnë për rreziqet e mundëshme në rrugë, madje edhe distancat e ndodhjes të tyre. 
Dukuria e jonizimit
Dukuria e jonizimit, e njohur nga shkenca e kimisë si fenomen i shndrimit të atomeve ose molekuave në jone, atome që kanë humbur ose kanë përftuar elektrone; në automjetet e sotme kjo dukuri është aplikuar me shumë sukses në përgatitjen e sensorëve që kontrollojnë raportet e përzjerrjes të masës të ajrit me lëndën djegëse, si “supervizorë”, si i kam quajtur në një tekst (Elektronika në Automjete), që direkt sinjalizojnë kompiuterat qëndrorë (ECU) nëpërmjet linjës të komunikimit ndërmjet sistemeve CAN, se në një ose disa qarqe elektronike, ku në një automjet modern ka me dhjetra, ose zbatuesë të komandave të tyre (actuators), ka probleme. Këtë dukuri kimiko-fizike, të zbatuara në sensorët e oksgjenit (landa), në kandelet me përsëritje të flakërimit me tension minimal dhe si ndikohet përcjellshmëria elektrike në hapësirën e djegies të përzjerrjes të jonizuar, që shfaq problemet e mundëshme në motorat me djegie të brendshme, vështirë se mundet ta gjesh si një konkretizim të shfrytëzuar me shumë sukses në fushën të cilës i jam referuar. Në tekstet universitare të lëndës të Fizikës, për fakultetet e inxhinierisë, shpjegohet edhe dukuria si gjysmëpërcjellës e piezokristalit, po ku më më shumë se në këto tekste duhet të konkretizohet kjo dukuri e zbatuar gjërësisht në të gjitha sistemet dhe impiantet inxhinierike fluide, që monitorojnë presionet e ajrit, lëngjeve dhe gazeve?! Edhe disa mendime për matematizimin e dukurive në shkencat teknike dhe strukturat inxhinierike ku ato zbatohen: llogaritjen e vlerave termike, të presionit, forcave statike dhe dinamike, shpejtësisë, ndryshimeve vëllimore, rezistencës etj. Eshtë e qartë se përdorimi i aparatit matematikor, nuk është një kërkesë vetëm për studentët e shkëlqyer (eksëlënt) që synojnë të hyjnë në hapësirat e studimeve shkencore dhe të konstruimeve inxhinierike, por edhe për inxhinierët dhe teknikët e fushave të mirëmbajtjes, riparimeve e të përcaktimit të parametrave teknike në çdo fushë teknologjike. Mendoj se është një “guxim i madh” të marrësh përsipër të hartosh tekste të shkencave të natyrës për fakultetet inxhinierike, kur nuk i njeh shkencat teknike. Çdo inxhinier që mundet të bëjë një reçenzim, sado modest të një teksi “Analize Matematikore për Fakultetet Inxhinierike”, me siguri do bëjë pyetjen e parë: përpos shembujve të ilustrimit numerik të teoremave, ku janë fushat e aplikimit të saj në teknika e teknologji të ndryshme? Askush nuk mohon karakterin universal të zbatimit të metodave matematikore në llogaritje të çdo natyre qofshin ato, por në këto tekste ato marrin detyrimin për të zbritur në fusha konkrete të zbatimit dhe të ilustrimit. Në tekstet e analizës matematikore për fakultetet e inxhinierisë, në njërin prej tyre, sillet si shembull në kapitullin e elementeve të gjeometrisë diferenciale, shpejtësia mesatare e lëvizjes të një pike në hapësirë, dhe në të vetmin nënkapitull përmendet dhe specifikohet: “Zbatime në Mekanike”! Por përmbajtja e këtij kapitulli lidhet si asnjë pjesë tjetër në përmbajtjen e këtij teksti me zbatimet në mekanikë dhe konkretisht: në ndërtimin dhe funksionimin e makinave metalprerëse, përpunuese dhe prodhimet e tyre; sistemet e transmetimit të lëvizjes dhe fuqisë ose momentet rrotullues në të gjitha skemat kinematike dhe dinamike teknologjike. Por pse nuk krijohen lidhjet analitike ndërmjet matematikës dhe strukturave mekanike?! Ku më mirë se në funksionet parametrike dhe konkretisht në spjegimin e cikloidës dhe astroidës, do konkretizoheshin skemat kinematike të transmetimit të shpejtësisë dhe fuqisë; amplitudat e rrymës të vazhduar etj? Shembujt për ilustrimin e integraleve të dyfishtë dhe të trefishtë, sidomos pjesa që trajton zevendësimin e variableve në integralin e dyfishtë, do gjenin një hapësirë të përshtatëshme në sistemet e mbyllura fluide, për të përcaktuar sipërfaqen që kufizon vlerat më të pranueshme të presionit të gazit në atë system, ndërmjet presioneve maksimale dhe minimale; në llogaritjet në diagramat e cikleve të punës të motorit, për gjetjen e vlerave të presionit e volumit gjatë çvendosjes të pistonit. Më duket sikur pedagogët e matematikës, fizikës e kimisë, në këto tekste, “i marrin për dore” studentët e fakulteteve inxhinierike, i çojnë deri para portave të mëdha, nënkupto teoremave të Faradeit, Maksvellit, Hercit, L’Opitalit, Teilorit, Role-s, Koshi-ut, Laibnicit, Dalamberit, Vajershtrasit dhe më tutje në porta të shkencëtarëve të tjerë, “por nuk ja japin çelsat për t’i hapur ato”! “A thua se edhe vetë mësimdhënësit dhe hartuesit e teksteve nuk i kanë këto çelsa”?! 
Bashkëpuni në shkencat të ndryshme
Bashkëpunimi ndërmjet matematicienwve dhe inxhinierëve të profileve të ndryshme, jo vetëm do të vinte në baza shkencore dijet që transmetohen nëpërmjet teksteve, por do ndikonte fuqishëm në aspektin didaktik, në mënyrën e organizimit dhe zgjedhjen e metodave të zhvillimit për rritjen e rendimentit të orës mësimore; do ndikonte pozitivisht në rritjen e dëshrës te nxënësit për të mësuar dhe pasionit për t’u thelluar në vijimësi në studime dhe punë kërkimore dhe shkencore. Kjo kërkon që çdo tekst mësimor të kalojë në “filtra shkencore” nëpërmjet komisioneve të përbërë nga personalitete të njohur në fushat e dijes dhe informacioneve që transmeton çdo tekst, të mos ngelet si ka ndodhur random deri tani, në “rrethin me rreze shumë të vogël” të dy-tre bashkautorëve të hartimit të tyre. Mendoj se njohuritë inxhinierike të shkollave të nivelit evropian, të cilat interpretojnë në shkallë të lartë akademike strukturat konstruktive të automjeteve të kohëve të sotme, i mungojnë specialistëve tonë. Kjo “lexohet” në literaturën bazë formuese të inxhinierave të rinj, ku mungojnë shumë informacione të zbatimeve të elektrokimisë, elektronikës optike, strukturat ndërtimore dhe funksionimit të sistemeve kompiuterike, sistemet e sigurimit gjatë lëvizjes dhe njohurive të shkencës të Mekatronikës. Lehtësisht konstatohen diferencat, që vijnë duke u rritur me shpejtësi, ndërmjet strukturave konstruktive të automjeteve të prodhuara në vitet e fundit dhe nivelit professional të punonjësve të rrjetit të autoserviseve. Mangësitë më të theksuara shfaqen në njohjen e qarqeve elektronike, transmesionet automatike, ndërtimin dhe fuksionimi i injeksionit elektronik të lëndës djegëse, strukturat e paralajmëimit të rreziqeve dhe të sigurisë gjatë udhëtimit. Një nga katër prirjet teknologjike të prodhimit të automjeteve sot, është ajo e minimizimit të komponimeve toksike: CO, HC, CO2, NOx, PM2.5, PM10 (Suspendet Particulate Matter-blozë), SO2, të emetuara kryesisht nga motorat me naftë etj. Por paaftësia në njohjen e strukturave që monitorojnë mbetjet e motorit nga teknikët riparuesë të automjeteve, janë shkaku kryesor i atyre reve sëmundjendjellëse të rrezikshme që mbulojnë për 24 orë qytetet tona. Gjithmonë e më shumë po diskutohet për rolin e formimit profesional, dhe kohët e fundit po planifikohet edhe testimi e çertifikimi profesional i punonjësve të autoserviseve. Kjo është një praktikë e njohur për çdo pesë vjet, që zbatohet në SHBA, në dy nivele: mjeshtër autoservisi dhe teknikë në specialitete të veçanta. Por pyetja shtrohet: cila do të jetë platforma testuese, literatura dhe informacioni teknik që ajo do t’i referohet? Sepse kurrikulat dhe literatura mësimore që bazohet formimi profesional, ka mbetur shumë prapa në kohë atyre strukturave inxhinierike të automjetet në qarkullim! 
Sigal