Dr. Rinald Muça/ Absurdi i diplomave publike

615
Sigal

*KLSH

 Arsimi i lartë dhe veçanërisht ai publik, është ndoshta industria me rritje më të shpejtë dhe të stabilizuar që pas viteve ’90. Kur them me rritje, nuk i referohem as investimeve në infrastrukturën e universiteteve, as cilësisë së kurrikulave që ofrohen në to, e as impaktit që kërkimi shkencor, pavarësisht inflacionit të diplomave të çdo niveli, ka në jetën dhe mirëqenien e shoqërisë. Thjesht i referohem numrit të studentëve që ndjekin këtë nivel arsimimi. Ky numër është rritur me pothuajse 15 % në vit që pas viteve 2000 dhe afro 80 % përfaqësohet nga studentë që arsimohen në sektorin publik (INSTAT). Nga njëra anë, ky angazhim i studentëve për t’u arsimuar dhe familjeve të tyre që i mbështesin me sa mundin, është për t’u përgëzuar. Dituria është ajo që çliron mendjen dhe për më tepër që Shqipëria, si vend i vogël dhe i prapambetur ekonomikisht, e ka arsimin një avantazh të rëndësishëm strategjik potencial qoftë për zhvillim vendas, e qoftë për eksport. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që angazhimi i shumicës së studentëve mbetet në nivelin e dëshirës, kur pinë kafe, ndërkohë që duhet të ishin në leksion, dhe pjesa tjetër e tyre janë tërësisht të painformuar e të paorientuar për arsimin e përshtatshëm. Moda për të patur një diplomë, e kombinuar me mungesën e vendeve të punës, e shtyn çdokënd të ndjekë fakultet pas fakulteti, aq sa fare mirë “student” mund të jetë një lloj i ri profesioni, sikurse universitetet private ofronin në fakt në Panairin e Punësimit përpara pak ditësh. Gjithsesi, nuk është kjo problematika që dua të ngre këtu. Tek e fundit, në një vend të lirë secili bën si dëshiron. Ajo që më habit pa masë është dështimi total i të gjitha strukturave të shoqërisë për ta menaxhuar këtë aset kombëtar, e veçanërisht strukturave përgjegjëse. Por le t’i marrim gjërat me radhë. Kalvari i absurdit fillon që me hyrjen në Universitet. Studenti është tërësisht i painformuar për renditjen e universiteteve, profilizimin e tyre, përputhshmërinë e kurrikulave me vendet e tjera të BE-së që kanë nënshkruar Kartën e Bolonjës, sikurse ne, dhe, ç’ është më e rëndësishmja, për vlefshmërinë dhe njohjen e diplomave të tyre brenda e jashtë vendit dhe vlerën e saj në tregun e punës. Kur i pyes studentët në publik se, pse kanë zgjedhur të studiojnë në institucione të tilla ku shumicën e herëve vuajnë arrogancën e pedagogut, mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për mësimdhënie e mësimnxënie, mundimet për të marrë një vërtetim notash në sekretari e qindra siklete si këto, më përmendim menjëherë cilësinë e diplomës së publikut krahasuar me atë të privatit. Sipas tyre, kjo cilësi nuk ka lidhje me pedagogët, sepse në fakt të njëjtët që japin leksione në publik, japin edhe në privat, madje tek këta të fundit respektojnë oraret me përpikmëri, plotësojnë regjistrat qoftë dhe formalisht dhe janë të ëmbël me notat. Nuk ka lidhje as me mjetet, laboratorët apo dërrasën që në publik vazhdon të jetë e zezë, ndërsa në privat e bardhë. As me tarifat që në privat janë të deklaruara, ndërsa në publik, në rastin më të mirë, me kliring të nënkuptuar mes palëve. Ka lidhje me vlerën në tregun e punës. Por, ajo që nuk dinë studentët dhe familjet e tyre, është se ndërsa arsimi i lartë privat i ka akredituar diplomat e veta, duke i bërë të vlefshme formalisht për këtë treg, arsimi publik vazhdon të jetë i pacertifikuar nga strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Arsimit. Në Ligjin për Arsimin e Lartë të 2007 specifikohej në mënyrë eksplicite që ky akreditim duhet të kishte përfunduar brenda 3 vjetësh, pra deri në 2010, por po shkojmë në mesin e 2014 dhe asnjë Institucion i Lartë Publik nuk i ka të akredituara diplomat që lëshon. Që të jemi të qartë: mungesa e akreditimit nënkupton se, ligjërisht diploma të tilla nuk njihen as brenda vendit e jo më jashtë tij, sikurse synon Karta e Bolonjës. Nënkupton se, këto diploma janë të pavlefshme për tregun e punës. Dhe si gjithmonë, faji mbetet jetim. Në Ministri të Arsimit e justifikojnë këtë papërgjegjshmëri me autonominë që kanë Universitetet Publike dhe mungesën e iniciativës nga këto të fundit për të filluar akreditimin. Në Universitete (atëherë kur strukturat drejtuese e dinë që lëshojnë diploma të paakredituara, sepse ka edhe raste kur janë vetë të painformuar) justifikohen me faktin se një proces i tillë nuk mund të nisë, për sa kohë Qeveria rrit kuotat e pranimit të studentëve viti pas viti, ndërkohë që, nuk rrit proporcionalisht numrin e pedagogëve dhe investimeve për ta mbështetur këtë rritje. E megjithatë, të dyja palët janë fajtore. Universitetet që shkelin Ligjin dhe Ministria që nuk e zbaton atë. Ky kaos në vlerësimin dhe akreditimin fillestar e periodik të programeve të studimit, i ka hapur udhë një sërë dukurive të çuditshme në Universitetet Publike, siç janë: ndërrimi i kurrikulave sa herë ka zgjedhje nëpër fakultete, ndërrimi i literaturës dhe pedagogëve që lëvrojnë këto kurrikula, mospërputhja e përmbajtjes së kurrikulës me tregun e punës për shkak të përkthimit (edhe pa të drejtë autori) të librave të huaja që adresojnë në fakt realitete të huaja, imitimi motamo (fjalë për fjalë) i kurrikulave të Universitetit të Tiranës nga Universitetet e tjera publike, meqenëse pedagogët e këtyre të fundit janë diplomuar më së shumti në Tiranë. Dhe të gjitha këto e shfryjnë efektin në shkëputjen e Universiteteve nga realiteti i tregut, në prodhimin e dijeve të patestuara e të pacertifikuara, në shndërrimin e këtyre institucioneve në monopol individësh më tepër sesa qendra që rrezatojnë dije.

Në raportin e parë për reformën në arsimin e lartë, që komisioni i krijuar posaçërisht u ka përcjellë Universiteteve, identifikohen problemet e akreditimit, kurrikulave, organizimit, etj. Madje, sugjerohen edhe disa linja veprimi për të përmirësuar cilësinë, megjithëse të padetajuara për vetë stadin e kësaj reforme. Shpresoj vetëm që komisioni të vërë në jetë shprehjen e Ajnshtajnit: “Problemet nuk mund t’i zgjidhim me të njëjtën mendësi që i krijuam!”.