Dr. Ndriçim MehmetiMbrapa fasadës

511
Sigal

Një aksion në shkallë të gjerë, i ndërmarrë nga Policia e Shtetit, INUK, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe të tjera institucione qendrore e të vartësisë të jep përshtypjen se shteti po vendos ligjshmërinë, aty ku ka munguar. Nëse do të ishte ky qëllimi, të gjithë do të duartrokisnin dhe mbështetnin shtetin që po ia vinte veshin opinionit publik në kërkim të vendosjes së ligjit, si në gjithë shoqëritë e përparuara.

Por, a është për t’u duartrokitur e gjithë kjo iniciativë, për vënien e “ligjit me dorë të hekurt”? Apo është, thjesht, fasada për të mbuluar dështimin e atyre që qeverisin?

Analiza e plotë e të gjitha fakteve në fusha të ndryshme, na çojnë drejt përfundimit, se prapa fasadës së ligjshmërisë, paligjshmëria dhe arbitrariteti bëjnë kërdinë.

Le të marrim një nga sektorët për të cilët shteti që nga lindja e tij, sot e në vazhdim ka detyrimin më të madh: Edukimin dhe arsimin e popullsisë.

 

Kush fitoi e kush humbi prej mbylljes së Universiteteve private

Ka gati një muaj që MAS, pothuajse njëherë në tre ditë, del e kërcënon me përballjen me ligjin institucionet private të arsimit të lartë, që janë mbyllur sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave,  të cilat, zvarritin përgatitjen e dosjeve të studentëve. Por, pyetja që bën në këtë rast: Përse i duhet MAS, të dalë kaq shpesh e të bëj deklarata? Ky institucion, në çdo rast që preken interesat e cilitdo shtetasi, është në të drejtën e tij t’i drejtohet organeve kompetente. MAS, e cila nuk përton të dërgojë për apelim, pretendimet e saj kundër punonjësve që ka hedhur në rrugë, ende pa u zbardhur vendimi i gjykatës, nuk e kuptoj pse i rri me kaq temena këtyre institucioneve.  Një VKM është e detyrueshme për t’u zbatuar, derisa ajo është në fuqi. E vetmja rrugë për ta bërë NUL, është një vendim i Gjykatës Kushtetuese që e zhvlerëson. Ama, deri në marrjen e këtyre veprimeve, çdo institucion dhe qytetar i thjeshtë është i detyruar të zbatojë një akt nënligjor si VKM, i pëlqen ose jo. Prandaj, dalja e njëpasnjëshme e krerëve më të lartë të MAS, nuk sjell asnjë efekt tjetër, veç shfaqjes së radhës për të treguar të ashtuquajturën forcë të shtetit. Mirëpo, në fakt, duket qartë se mbrapa buzëqeshjes së fitores, fshihet frika, se veprimet e marra mund të jenë arbitrare dhe që nesër mund të kthehen si bumerang.

Në vend të paralajmërimeve për zbatimin e ligjit, do të ishte shumë më mirë që të dinim sesi u zbatua ligji. Pra, sa masa administrative apo penale janë marrë për të gjithë ata njerëz, që sipas MAS dhe Kryeministrit, kanë abuzuar me lekët e familjeve shqiptare, duke u dhënë diploma jo cilësore të rinjve tanë? Në vend të kësaj, ne mësuam një gjë tjetër: Të gjithë studentët që janë në vazhdim të studimeve në shkollat larta, që u mbyllën, do të sistemohen në universitetet private, ndërsa ata që kanë përfunduar studimet do t’u njihet diploma e marrë. Pra, shteti përgënjeshtron veten disa herë. Njëherë deklaron, përmes gojës së krerëve të Ministrisë së Arsimit e madje edhe vetë Kryeministrit, “se universitete private fabrikonin diploma pa vlerë”, tani shteti, përmes ministres së Arsimit znj. Nikolla, i njeh këto diploma si të vlefshme.

Duhet pranuar pa hezitim se vënia nën kontroll e shkollave private të mesme dhe të larta është një detyrim, të cilit shteti nuk mund t’i shmanget. Por, po aq detyrim është edhe transparenca e procesit, ashtu sikundër edhe barazia e trajtimit në këtë proces. Qoftë transparenca, e qoftë barazia në trajtimin e universiteteve private nuk u arrit. Mjafton të përmendim faktin se në rrjete sociale, në median vizive dhe shtyp, u akuzua se kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, që kishte udhëhequr procesin e mbylljes së institucioneve të arsimit të lartë privat rezultonte me diploma të falsifikuar në studimet Master dhe Doktoraturë. Në vend që të ndërmerrej një hetim administrativ, Kryeministri i doli i pari në mbrojtje, duke lavdëruar punën e saj. Më e mira do të ishte që të vërtetohej se akuzat ishin të pabaza dhe kësisoj u mbyllej goja që të gjithëve. Megjithatë, propaganda vështirë se e mbulon të vërtetën, e aq më pak ta justifikojë paligjshmërinë. Nga e gjithë kjo zallamahi, kush del me qarin, e kush me zararin?

Kush fitoi?

Studentët e universiteteve të mbyllura dalin më të fituarit. Ata i drejtohen tani Universiteteve shtetërore, pa ndonjë mund të madh  dhe marrin të njëjtën diplomë të bashkëmoshatarëve të tyre që kanë derdhur djersën për të fituar të drejtën e regjistrimit në një Universitet shtetëror. Sigurisht, të transferuarit do të paguajnë një shumë më të madhe se studentët e tjerë, kështu që shteti ka mundësinë të fusë ca lekë më shumë në arkën e tij. Prindërit do t’i thonë “aferim” qeverisë së madhe që vuri dorën në zemër për fëmijët e tyre dhe i futi në shkollën e shtetit dhe do t’u sigurojë një diplomë, që, natyrisht, sipas versionit të ri të ministres dhe Kryeministrit është me shumë vlerë.

Por, pavarësisht të gjitha këtyre “të mirave”, a nuk shkelet në këtë mënyrë barazia e shanseve dhe parimi i meritokracisë në përfitimin e shërbimeve të ofruara nga shteti? Si do të justifikohet pagesa më e lartë që do të bëjnë studentët e ardhur nga shkolla private në shkollën shtetërore? A nuk duket sikur kjo kategori studentësh, po e blen në një farë mënyre diplomën me bekimin e shtetit? A është në kundërshtim me vizionin dhe filozofinë largpamëse të MAS, ky lloj trajtimi që do t’i bëhet studentëve të shkollave? MAS deklaroi në të drejtën e tij si institucion, se këtë vit nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë të gjithë maturantët, bëhet fjalë për ata që kanë notën mesatare më të vogël se 6.00. Po me ata studentë që janë regjistruar në shkollat e larta private me një notë më ulët se 6.00, çfarë do të bëhet? Apo këta kanë të drejtë të përfitojnë nga dashuria dhe shpirtmadhësia e MAS?

Mirëpo, për të gjitha këto nuk do t’ia dijë njeri. Në fund të fundit, sipas mentalitetit të krijuar nga ky lloj administrimi i shtetit, MAS dhe qeveria dolën fitimtarë. Ata me një gur vranë shumë zogj. Sipas logjikës, me të cilën punohet në këtë institucion, por edhe në frymën e përcjellë prej kësaj qeverie, populli kërkoi një aksion në arsim dhe ata ia dhanë. Shkollat e larta private, që sipas Kryeministrit, “po vidhnin xhepat e shqiptarëve”, u mbyllën. Me këtë rast nja dy a tre kundërshtarë politikë të dikurshëm a të sotëm, i hoqëm qafe. Popullin e kënaqëm pa masë duke i thënë, kanë apo s’kanë meritë fëmijët tuaj, ne ua çojmë në shkollë shtetërore dhe u japim edhe diplomën që duam vetë. Pra “punën e fabrikimit të diplomave”, që sipas Kryeministrit e bënte privati, tani e merr në dorë shtetit, apo më saktë MAS ua lë në derë universiteteve shtetërore. Madje MAS, i ka dhënë të drejtën vetes që të mundësojë edhe studimet jashtë vendit për këta studentë, sipas pikës 1 të Udhëzimit nr. 25, datë 11.08.2014.

Kush humbi?

Ata që humbën janë të shumtë. Pedagogë, studentë, drejtues institucionesh që tërë jetën e kishin kaluar në katedrat universitare, e që dolën si të paaftë etj.. Por për këta, siç e kam thënë edhe herë tjetër, vështirë se e vret mendjen njeri. Tani ata që e “fituan betejën” fërkojnë duart, duke mbuluar dështimet dhe paligjshmërinë me aksionin që zgjati muaj të tërë. Pra, siç thotë populli “ku ishe, hiç gjëkundi, çfarë bëre, hiç mosgjë”. Tani radhën e kanë institucionet private të arsimit parauniversitar.