Dr. Ndriçim Mehmeti/ Sikur të ishin vetëm tekstet, zonja Ministre?!

461
Sigal

Ditët e fundit i gjithë opinioni shqiptar u trondit nga fakte të njohura dhe të panjohura më parë në arsimin shqiptar. Në qendër të vëmendjes u rikthyen tekstet shkollore, të grup-moshave të ndryshme, në arsimin parauniversitar. Denoncimi erdhi nga rrjete sociale, ku u dhanë pjesë për lexim apo zgjidhje ushtrimesh, në të cilat fjalori i përdorur tejkalonte moshën, për të cilën teksti ishte botuar. Mediave, të cilat janë fokusuar te vizita e Papës, te Fullani, në emisione maratonë me ekspertë (që në Shqipëri janë me shumicë) të sigurisë ndërkombëtare për ISIS, shpejtuan ta marrin edhe këtë lajm e ta vendosin në kronikat e tyre. Pa kryer ndonjë investigim të veçantë, mjafton që u erdhi në dorë një njoftim, televizionet u kujtuan edhe për ndonjë lajm nga vendi. Por pati nga ato televizione, që u thelluan, ndonëse jo aq sa duhet në këtë çështje, nxorën me zë e figurë, premtim dhe garancinë e ministres dhënë në pranverë të këtij viti “se ishin hequr 120 tekste pas problemeve gjuhësore e shkencore” dhe “se nuk do të kishte më tekste, që nuk ishin të përshtatshme për nxënësit.

Të njëjtin përbetim bëri edhe këshilltari i Ministres së Arsimit, z. Agim Leka, kur na garantoi me fjalën e tij, se nuk kishte më tekste problematike. Mirëpo, shkolla filloi dhe papritur ca prindër të paduruar dhe grindavecë, nxorën se reforma e suksesshme, kishte mbetur rrugës. Cili ishte reagimi Ministrisë së Arsimit?

 Ta kthejmë humbjen në fitore, dështimin në sukses

Pas shpërthimit të skandalit të teksteve, ministrja u pyet nga televizionet për atë që kishte ndodhur dhe përgjigja ishte: “Teksti në partneritet të plotë me Bashkimin Europian, në partneritet të plotë me shtëpitë botuese europiane. Fëmijët janë të shtrenjte për ne”. Më shkoqur sesa kjo përgjigje nuk gjen. Tani do t’i drejtohemi BE-së që të na hartojë tekstet shkollore dhe shtëpive botuese europiane. Në kushtet, kur duhej një veprim flakë për flakë, jo vetëm për të qetësuar opinionin, por edhe për t’i treguar se gjithsecili merr përgjegjësitë e veta për punën e kryer dhe premtime, ministrja gjeti mospërgjigjen për t’u përgjigjur për tekste. Ministria, ajo vetë, këshilltari i përzgjedhur prej saj, që ka pasur vetëm detyrën për reformën e altertekstit, vallë nuk kanë asnjë përgjegjësi? Nga shtatori 2013 e deri në shtator 2014, z. Leka, duhet të ketë kurajën të na thoshte në intervistat e tij për tekstet, se e gjithë problematika e këtij procesi, ndjekur prej tij për një vit, do të zgjidhej në bashkëpunim me BE-në dhe shtëpitë botuese europiane. Mirëpo, meqë këta e kanë zakon të na thonë se kjo do të ndodhë për herë të parë, po i them znj. Nikolla apo edhe z. Leka, e ndonjë tjetri, se procesi i konsultimit me praktikat më të mira bashkëkohore për tekstet ka filluar shumë më herët. Ambasada Italiane, Franceze e Gjermane, kanë dorëzuar nga shtëpitë e tyre botuese, tekstet më të mira shkollore, për t’u studiuar dhe vendosur nëse ato janë në përputhje me programet tona mësimore, që në vitin 2010. Z. Vejsiu ka qenë drejtuesi i kësaj ndërmarrje shumë serioze, sikurse një numër jo i vogël i punonjësve të MASH, të asaj periudhe, ishin në rolin e koordinatorit të grupeve që shqyrtuan këto tekste.

Shtëpi botuese që nga “Oxford press” e deri tek “Zanicheli” ofruan librat e tyre, të cilat u panë nga profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Shkodrës e Elbasanit. Po ashtu edhe metodat e gjuhës së huaj, u panë nga një numër specialistë të universiteteve dhe arsimit parauniversitar. Pra, kjo është një praktikë e njohur, që është bërë më parë dhe mjafton të shikosh procesin i cili, është i dokumentuar, ka proces-verbale etj.. Prandaj, këtu nuk ka ndonjë gjë për herë të parë. Por, duket qartë se i gjithë preokupimi i MAS, ishte se si “pataten” e nxehtë që u mbeti në dorë, ta hidhnin në prehrin e të tjerëve.

Më 19 shtator Ministria e Arsimit lëshon një komunikatë brenda së cilës, kishte sa kundërshti aq edhe mungesë serioziteti në trajtimin e çështjes së teksteve shkollore. “Vlen për t’u theksuar që pjesa dërrmuese e imazheve të shpërndara në rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve, ose nuk janë pjesë e sistemit arsimor parauniversitar, ose janë të manipuluara”. Pa na dhënë asnjë provë, nëse janë të manipuluara apo jo, MAS, nxiton të heqë përgjegjësinë e vet. Më poshtë në të njëjtën komunikatë, gjendet fajtori. “Të gjitha tekstet që janë sot në institucionet e arsimit parauniversitar janë tekste të katalogut të miratuar nga “Komisioni për Miratimin e Teksteve Shkollore” pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vitin 2011-të. Gjetjet e deritanishme nga MAS, por dhe publikimet në media të teksteve të papërshtatshme përforcojnë dhe më shumë pozicionin e Qeverisë shqiptare që alterteksti ishte një dështim me sukses”. Pra, ai që duhet kryqëzuar është paraardhësi dhe jo znj. Nikolla, z. Kristiqi dhe jo z. Leka, pasi të keqen na e lanë mbrapa. I njëjti lajtmotiv, që gjendet për të gjitha mosarritjet në këtë vend. Jemi keq nga energjia se u la gropë e zezë nga qeveria e mëparshme, kemi keq financat se u la një gropë e madhe, nga qeveria e mëparshme, etj., etj.. Në rastin e arsimit, jo vetëm që kjo ishte konstatuar, po u desh edhe një vit për ta verifikuar. Pra, në një vit të tërë, MAS bëri të pamundurën që t’i nxjerrë bojën paraardhësve, sesa të merrej me rregullimin e gabimeve të supozuar nga drejtuesit e sotëm të MAS. Jo vetëm kaq, por skandali i librave i lë shumë të kënaqur drejtuesit e Ministrisë së Diturisë në Shqipëri, pasi edhe vetë qeveria ishte pozicionuar për alterteksin si një dështim. Pra, me një largpamësi të pakrahasueshme më parë, Ministri i Drejtësisë, Bujqësisë, Ekonomisë, i Brendshëm i Financave dhe Kryeministri ynë, kishin parashikuar dështimin e altertekstit. Kjo, për besë, është fitore dhe jo dështim…

 Po me tekstet çdo të bëhet?

Sa për tekstet kemi kohë për t’u marrë edhe një vit. Do të “përzgjedhim njerëzit tanë, do të bëjmë sa më pak alternativa, duke siguruar një fitim të madh dhe kështu e mbulojmë gjithçka me skandalin, që nuk ishte faji ynë”. Për shembull, një model e kemi në Histori. Do të bëjmë një tekst të vetëm të Historisë, që do ta blejnë së paku 450 mijë nxënës në Shqipëri x ? (çmimi i librit) = me ca milionë lekë. Po t’i shtojmë edhe shitjet në Kosovë dhe fitimet shumëfishohen. Po këto fitime do t’ia vlejnë ama, se i shërbejnë qëllimit të madh, “suksesit të reformës së dështuar nga paraardhësit”. Madje, edhe në vitin e parë të reformës së Rilindjes, edhe po pati ndonjë të metë, kjo jo për paaftësi të tyre, po “të prapësive të atyre që ikën në 2013-ën”. Refreni se fajin e ka Saliu, do ta përdorin sa herë që të munden dhe sa herë që të jenë në vështirësi, qoftë edhe në vitin e fundit të mandatit të parë të qeverisjes.

Tani do të hartohet një katalog i ri, të tjera kritere, të tjera ndikime do të kihen në konsideratë. Bëhet fjalë për librin ba-bam. Jo shaka! Milionat e lekëve duhet të administrohen mirë, se na duhen edhe për vete, edhe për shtetin, edhe për fushatën. MAS ka të drejtë këtu, “Gozhda del me gozhdë!”. Thamë që vodhën të parët, të vjedhim edhe ne me librin, kështu që vemi barazim. Kështu që, të shtrenjtët kalamaj, duhet të jenë në pritje të ndonjë gallate tjetër. Por, edhe në rast se do të ketë tekste akoma, “Ministria do të jetë e vendosur për të korrigjuar gabime”, por jo për të gjetur shkaktarët. Fjala vjen, te gazeta “Telegraf”, u botua një shkrim me emër dhe mbiemër për afera korruptive të këshilltarit tjetër të Ministres Nikolla. Heshtja kaloi edhe këtë denoncim. Tani, meqenëse ministria njofton se ka hapur një adresë për denoncime, le të marrë denoncimin e botuar në “Telegraf”, ta shqyrtojë me kujdes dhe të thotë nëse ka të vërteta në lidhje me faktet apo supozimet e bëra dhe gjithsekush të mbajë përgjegjësinë e vet.

 Po sikur të ishte problem vetëm teksti

Sikundër ndodh në çdo veprimtari të jetës së qeverisë dhe reformave që ajo do të ndërmarrë, Kryeministri paralajmëroi reformën e mësuesve. Mësuesit duhet t’i përshtaten profilit, apo përputhja e diplomës që ata kanë marrë me lëndët që japin. Në rast se nuk gabohem, një reformë e tillë e ka zanafillën, që në vitin 2007 (ndoshta edhe më shpejt), ku një urdhër i ministrit të asaj kohe, përcaktonte kategoritë e mësuesve jashtë profilit, të cilët nuk do të lejoheshin të jepnin mësim. Përjashtim bënë mësuesit që kishin mbaruar pedagogjiken dhe kishin një diplomë, që u jepte të drejtën e mësimdhënies. Natyrisht, që nuk duhet të themi se gjithçka u zgjidh me një urdhër. Është fakt i pakundërshtueshëm se pati zona rurale, ku mësuesit jashtë profilit jepnin lëndë që nuk u takonin. Po ashtu vështirësi të mëdha hasi mësimdhënia e TIK, për faktin se me përjashtim të Universitetit të Shkodrës, asnjë universitet nuk kishte një program studimi për mësuesit e informatikës. Pra, nuk lëshoheshin diploma me titullin “Mësues i informatikës”. Për këtë arsye u përshtatën mësues, të Shkencave të Natyrës, kryesisht Matematikë dhe Fizikë, për të dhënë informatikë.

Një tjetër “plagë” e pashërueshme ka qenë mësimi i gjuhës së huaj. Është e vërtetë që mësimi i gjuhës së parë të huaj nuk zhvillohej në të gjitha shkollat shqiptare, pa harruar edhe faktin e cilësisë së mësimdhënies. Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar. Pavarësisht përpjekjeve, nuk u arrit dot sigurimi i gjuhës së huaj në të gjitha shkollat, e më pak i gjuhës së huaj të dytë. Këtu mendoj se duhet filluar puna, pra, nga përshtatja e programeve të studimit në IAL, për mësuesit e informatikës, si dhe nxitja e mësimdhënies së gjuhës së huaj. Në vend të kësaj, reforma e famshme, ka të bëjë me hartimin e listave për mësuesit e padëshiruar. Mësuesve u numërohen orët dhe disa syresh që u dalin 1 apo dy orë mangët, do të ngrenë valixhet për në shtëpi. Kush janë më të rrezikuarit? Mësuesit e Qytetarisë, të Ciklit të Ulët, të Aftësimit për Jetën. Tani profesioni më i dashur i mësuesisë, është kur ke përfunduar për lëndën e Edukimit Fizik. Këta të fundit janë më të nderuarit. Kanë nga tre orë në javë, po aq sa ka gjuha amtare dhe ajo e huaj. Po të përfshijmë edhe stërvitjen që do të bëjnë këta mësues për të ulur barkun, pa qenë nevoja të harxhojnë para në palestrat private, këtyre mësuesve si i thonë një fjale “u ra lotaria”.

Pasi u hoqën qafe drejtuesit e padëshiruar dhe specialistë të arsimit nga Ministria e deri në Drejtoritë Arsimore, Zyra Arsimore e shkolla, tani radhën e kanë mësuesit. Militantët kërkojnë vende pune. Boll duruan një vit. Është koha e operacionit “jashtë shkolle berishianët dhe mirë se vinë LSI-stë, mjaftistë, shok e kushërinj, krushka e artistë”. Shkohet deri aty sa mësuesve të Ciklit të Ulët me diplomë përpara viteve 90-të dhe me MASTER, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.69/2012, “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, u thuhet që ju nuk keni të drejtë të jepni mësim. Një presion i gjerë, nën rrogoz dhe mbi të luhet për të lëkundur besimin e mësuesve tek sistemi e për t’i flakur ata jashtë shkollës. Këtu nuk bëhet fjalë as për ata që janë emëruar në mënyrë të padrejtë (që sigurisht nuk mungojnë), por për mësues me një përvojë mbi 10 e 20 vjeçare. E në rast se kjo do të jetë vërtetë reforma, në djall të shkojë dhe mos ia pafshim bojën!

 A ka nevojë për reformë?

Natyrisht që po. Një reformë e studiuar, e strukturuar dhe transparente. Pra a kemi një studim, sesa mësues janë jashtë profilit? Sa është nevoja për punësim të mësuesve, në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore? Sa mësues janë në listë pritje prej vitesh dhe meritojnë të konkurrojnë për një vend pune? Cili do të jetë roli i Sindikatës së Arsimit si partner social në zbutjen e pasojave të reformës?

Pasi të jenë bërë të njohura të gjitha këto procedura të parashikuar prej ligjit, një tjetër proces transparent konkurrimi i frymëzuar nga ligji dhe jo nga zyrat elektorale të partive në pushtet, do të rriste besimin e publikut? Sa gjasa ka të ndodhë? Vështirë të themi një gjë të saktë. Ka mundësi që si në rastin e teksteve të thuhet, që “kështu bënë ata që ikën, e kështu do të bëjmë edhe ne”. Pasojat? Të gjithë bashkë, shoqëri, prindër, mësues, nxënës. Të kënaqurit? MAS, PS, LSI, të njohur të deputetëve, sekretarët e zyrave elektorale. Me pak fjalë ata “që kanë edhe gurin edhe arrën”.

Por, kjo nuk do të zgjasë shumë… Siç thotë një fjalë e urtë “po hodhe, do presësh”. Guri që mundohen ta ngrenë sa më lart, një ditë do t’u bjerë në kokë atyre që e vështrojnë me ëndje nga karrigia e tyre. Kur t’u bie, nuk është se do të kujtohen shumë për atë që bënë. Thjesht do të thonë se bëmë atë që na thanë. Dhe ne do t’i vështrojmë prapë, në zyrat e pushtetit lokal, Parlament, apo në ndonjë OJF, të krijuar nga aftësia krijuese që kanë.