Dr. Ndriçim MEHMETI/ Paligjshmëria e reformës në arsim

555
Sigal

Kur shkrova për çështje të reformës në arsim, shpresova se nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, do të kishte një reagim. Të paktën do të thoshin  se “po punojmë”, apo “kemi gati një platformë”, ose të shkruanin se nuk ka gjë të vërtetë se po flet vetëm në parim. Mirëpo kuptova, se këtë përgjigje nuk kam për ta marrë ndonjëherë. E vërteta është se nuk ka platformë, nuk ka asnjë iniciativë ligjore (përjashto rregullimi i tre neneve në udhëzimet që kishin të bënin me zgjedhjen e drejtuesve dhe mësuesve në arsim) dhe së fundi nuk asnjë strategji. Kaq shumë në hall janë, saqë edhe ato që ua kanë lënë gati të shkruara, nuk dinë t’i kopjojnë ose nuk i kuptojnë si t’i bëjnë. Le të sjellim disa fakte, për të mos qenë thjesht teorik. Është thënë me të madhe se kjo qeveri, do të respektonte, ligjin dhe vetëm ligjin. Atëherë le t’i referohemi ligjit.

Inspektimi i strukturave të arsimit

Në cilin ligj të arsimit parauniversitar, këshilltari i Ministres që është pozicion politik, specialistë të MAS, AKP dhe DAR Tiranës, kanë të drejtë të inspektojnë, kontrollojnë apo monitorojnë strukturat e arsimit, shkollat apo çdo institucion tjetër? Neni 27 i Ligji 69/2012, i datës 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniveristar në Republikën e Shqipërisë”,  ia njeh të drejtën e inspektimit vetëm Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Në pikën e fundit të këtij Neni thuhet shprehimisht se “Inspektimi, sipas këtij neni, rregullohet nga ligji nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në këtë ligj”. Inspektimi, përmendet edhe në nenin 70 të ligjit, në pikën e fundit të së cilit, thuhet se  “Ministri miraton rregulloren e inspektimit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Pra ligji në nenin 27 dhe 70  ia njeh të drejtën e inspektimit, vetëm ISHA. Madje në pikën b të nenit 27, përcaktohet fare qartë se cila është fusha e inspektimit “kontrollimi i pajtueshmërinë së veprimtarisë të institucioneve arsimore dhe të njësive arsimore vendore me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.”

Për rrjedhojë, të gjitha të ashtuquajturat kontrolle, inspektime dhe masat e marra, ndaj drejtuesve të njësive arsimore dhe drejtuesve të shkollave, janë tërësisht antiligjore dhe njerëzit që kanë marrë përsipër të kryejnë këto inspektime, kanë vepruar hapur në shkelje të ligjit.

Konkursi qesharak për drejtuesit e DAR/ZA

Ashtu si largimet e drejtuesve të arsimit ishin në kundërshtim të ligjit, po ashtu janë edhe emërimet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore të Sikurse është e njohur publikisht, përzgjedhja e këtyre drejtuesve ka qenë, një formë moderne e emërimit, duke kaluar në konkurse qesharake, të drejtuesve, anëtarëve, dhe simpatizantëve të koalicionit qeverisës. Po sikur të mos mjaftonte kjo janë vendosur në postet drejtuese në DAR/ZA, njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me arsimin  dhe pa shkollimin përkatës.

Rregoullorja e Maturës Shtetërore

Ka edhe shembuj të tjerë, që nga padija dhe nxitimi për të kapur kohën e humbur me spastrimet në arsim, kanë prodhuar rregullore dhe udhëzime të paligjshme. Le të marrim si shembull Rregulloren e Maturës Shtetërore. Për ta nxjerrë këtë rregullore, është shfrytëzuar një model i vitit 2011. Pasi e kanë gjetur, kanë bërë sikur e kanë parë duke i hedhur një sy dhe së fundi e kanë nxjerrë në formën e kopjes më të shëmtuar. Akti më themelor i MSH, është katandisur në një paçavure, që askush nuk kupton asgjë. Për shembull a mund të na thonë kopjuesit e saj, se cili është roli i AKAFKP në Maturën Shtetërore? Mirëpo më e rëndësishme është të shohim sesi do të menaxhohet ky proces.

Për muaj të tërë, drejtues të Ministrisë së Arsimit janë betuar para deputetes më të re të parlamentit dhe popullit se do të kenë një proces të hartimit të testeve, vlerësimit të tyre dhe administrim të maturës së këtij viti, sikur më parë. Do të ndëshkohen me rreptësi ata që nuk do të kryejnë detyrën. Në dispozitat e fundit të kësaj rregulloreje, për ndëshkimet, pasi përmenden një seri nenesh, pa i specifikuar për PAP, AP, AS etj., ka dhe një frazë tjetër: “Për çdo shkelje tjetër të Rregullores, të konstatuar gjatë procesit të Maturës, të papërcaktuar në këtë Rregullore, të merret njëra nga masat e përcaktuara ne nenin 33 të Ligjit nr 69, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Cila është përmbajtja e Nenit 33 të Ligjit?

Në këtë nen, bëhet fjalë për Komisionin e etikës dhe sjelljes në institucionin arsimor. “Në institucionin arsimor funksionon komisioni i etikës dhe sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit ndaj shkeljeve të normave të etikës dhe të sjelljes dhe t’i propozojë drejtorit të institucionit masat përkatëse”. Procesi i Maturës, nuk ka fare të bëjë me çështje të etikës, por me zbatimin e ligjit, urdhrave dhe udhëzimeve të Ministrit. Për ta forcuar kontrollin e Ministrisë, është edhe dispozita 4 e Nenit 35, e cila vendos Policinë e Shtetit, nën urdhrat e Ministres së Arsimit dhe Sportit, kur cilëson se: “Kryhet kontrolli fizik në mjedisin teknik të AKP-se, gjatë hyrjes dhe daljes së personave të autorizuar. Me porosi të Ministrit të Arsimit dhe Sportit, policia bën kontrolle të befasishme në mjediset e brendshme të AKP, gjatë KOEPS-it.”

         Dispozita e fundit është edhe fundi i absurditetit të Rregullores. “Përfaqësuesi i MAS-it ose i AKP-së, shkeljet e konstatuara ia përcjell KSHP-së, e cila në mbështetje të nenit 40, i propozon masat Ministrit të Arsimit dhe të Sportit, i cili merr vendimin përkatës dhe ia përcjell organit të emërtesës për zbatim”. Rregullorja mbyllet me Nenin 37, kështu që mendova t’i referohesha Nenit 40 të ligjit “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”për të parë dënimet e përfaqësuesve të MAS dhe AKP-së. Neni 40 i këtij ligji, flet për çështje financiare dhe as që nuk ka lidhje me Maturën. Pra si përfundim, të gjithë ata që do të keqadministrojnë provimet e Maturës, s’do të ketë penalizim, pasi askund nuk parashikohet, një gjë e tillë. Po a është menduar, për një seri urdhrash  udhëzimesh, që duhet të ishin miratuar dhe që ende nuk kanë dalë? Ndoshta për këto, do të mjaftohen me ndonjë e-mail e SMS, që duken se i zëvendësojnë aktet ligjore për këtë qeveri.

Ligjshmëria e strukturave të MAS

Së fundi: A është vetë struktura e MAS dhe e institucioneve të vartësisë në kushtet e legjitimitetit dhe të meritokracisë? Do të doje një guxim të madh të thoshe po. Prapë se prapë, duket se kjo gjë ka shqetësuar pak njerëz . Për provimet e Maturës dhe Lirimit, duket se prindërit, do të kujtohen (siç e kemi shpesh zakon ne shqiptarët në fund të procesit) në qershor, kur nuk do të ketë asnjë mundësi riparimi të dëmit të bërë. Opinioni, mediat (më së shumti ato vizive) dhe organizatat që merren me arsimin, për fat të keq, duket se nuk janë të interesuar për ligjshmërinë, ecurinë e arsimit, procesin e provimeve etj. Ndoshta lajmet e krimit dhe terrorit lënë shumë pak vend, për t’u marrë me arsimin. Sindikatat  e arsimit as kanë nxjerrë as më të voglën fjalë, për qarkullimin, pezullimin dhe largimet nga puna në kundërshtim me ligjin. Me siguri, ose nuk ka në fuqi të flasin ose janë bërë njësh me qeverinë. Kur të kujtohen të gjithë këta aktorë të shoqërisë  dhe të merren seriozisht me arsimin, do ta kuptojnë se ku jemi katandisur.

Gjithashtu meriton një diskutim të gjerë, deklaratat për njehsimin e sistemit arsimor në Shqipëri me atë në Kosovë. Këta patriotë të vonuar, duhet të ishin kujtuar dy vjet më parë, për ta sanksionuar në ligj, ndërsa tani në kundërshtim me ligjin e miratuar nga ata vetë, flasin qesim sa nga një tribunë në një tjetër. Mirë që deri më tani nuk është bërë asnjë gjë, po së paku ato që u lanë të gatshme të shkruheshin siç duhet. Prandaj edhe i ashtuquajturi ristrukturim i administratës që flitet me aq bujë, ka dështuar po kaq triumfalisht edhe në MAS, pavarësisht premtimeve e betimeve të znj. Harito, se po ndërton administratë ekspertësh. Duke qenë se Konica parapëlqehet më shumë në ambientet e sotme të qeverisjes, po sjell pikëpamjen e tij për ekspertët, e pretenduar: “Një grusht njerëzish në Shqipëri kanë mundur të mbajnë e të shtojnë rrogët e tyre dhe të rinë të patundur në mes të furtunave. Këta njerëz janë të vetëquajturit ekspertë. Këto tru të pazhvilluara çiliminjsh-pleq sprapsen nga asnjë anakronizëm kur marrëzitë e tyre botohen në të përditshme, qarku i atyre që qeshin është më i vogël dhe dëmi i pakët. Po këta “ekspertë” të çuditshmë gjejnë ndonjëherë rastin të flasin në vende ku zëri tyre dëgjohet shumë më larg- dhe ahere si mjerë Shqipëria, po bëhet qesharake pa nonjë faj”.