Dr. Ndriçim Mehmeti/ Dhe drita e 300 ditëve… përpara arsimin do ta çoj!

484
Sigal

Çdo qeveri ka të drejtën e pakundërshtueshme të bëjë bilancet e veta në 100 ditë, 330 ditë, apo 1000 ditë. Në tërësi ne jemi mësuar me analiza 3 mujore, 6 mujore apo vjetore. Qeverisë, në të drejtën e vet, i ra më për mbarë që të llogariste fitoret (kini kujdes, vetëm fitore) në 300 ditë. Tani që  jehona e madhe e suksesit të 300 ditëve kaloi, me siguri që na lejohet të bëjmë një analizë vërejte apo kritikë, për 300 ditët në arsim, ashtu sikundër i paraqiti Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nikolla. U thanë aq shumë atë ditë, por unë vetë u përqendrova më shumë tek arsimi.

Çfarë prisja e çfarë ndodhi?

Në fakt nuk prisja ndonjë gjë të madhe e ndodhi jo dhe aq ajo që prisja. Prisja, për shembull, që ministrja të na thoshte sesi kishte arritur të zvogëlonte e në disa raste të zhdukte korrupsionin në arsim. Të më thoshte se, cilat ishin rezultate e dy muaj kontroll, shantazh e terror psikologjik, mbi institucionet e vartësisë dhe të nxirrte një, dy apo tre zyrtarë me abuzim në detyrë, të paaftë, apo që kishte vjedhur, duke shkaktuar dëm në kurriz të shtetit. Prisja një analizë sesa e rëndë ishte gjendja në arsim (të paktën kështu është shprehur ministrja) në takime me punonjësit në fillim të punës së saj. Prisja të thoshte një fjalë se cila ishte arsyeja e largimit, kalimit në listë pritje të disa punonjësve, rimarrjen dhe rikalimin të disave në listë pritje, të thoshte sesi u rekrutuan punonjësit në MAS dhe institucionet e vartësisë. Në fakt edhe të donte, nuk mund të fliste për to.

Në fakt foli për gjëra të njohura, të bëra vite më parë, por që duke ndryshuar fjali, këshilltarët e saj, ajo e pranon edhe vetë gënjeshtrën si të vërtetë. Po le ti referohemi asaj që tha zonja ministre.

 Në këto 300 ditë, duke zbatuar rekomandimet e Bashkimit Europian për arsimin, hartuam Kornizën e re Kurrikulare të bazuar në kompetenca, e cila e sjell arsimin shqiptar në shekullin e 21-të. Tashmë nuk ekziston asnjë vështirësi për të ndjekur shkollat europiane, pasi korniza kurrikulare që po unifikohet, është ajo zyrtare e BE-së. Një shkollë shqiptare për të gjitha hapësirat shqipfolëse. Jetësuam unifikimin e sistemit arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes për Unifikimin e Kurrikulës së Sistemit Arsimor Parauniversitar. Tashmë, një nxënës/e i Shqipërisë nuk do të ketë më asnjë pengesë për të vijuar shkollimin e tij/të saj në Kosovë dhe anasjelltas”.

Parimin e mbështetjes së kornizës kurrikulare mbi kompetencat, e përcakton Neni 13 i ligjit 69/2012, datë 21.06.2012 “Për arsimin parauniversiatr në Republikën e Shqipërisë”. Kështu që edhe sikur të kenë hartuar një kornizë të re, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë zbatuar ligjin. Po ashtu, nuk duhet harruar se Korniza ka qenë e miratuar, konsultuar në parim dhe me dakordësinë e partnerëve të huaj dhe vendas. Ndërkaq, drafti i paraqitur në muajin prill, është më shumë reflektimi i korrigjimeve të bëra me shpejtësi nga korniza e mëparshme, për ta paraqitur atë si të re. Pjesa tjetër, se kjo e bën shkollën shqiptare europiane është si shprehja “Fjalë, imzot, fjalë”. Asnjëherë, në asnjë rast të vetëm, nuk ka patur asnjë kundërshti dhe asnjë kërkesë të vetme, nga cilido vend evropian që të vinte në dyshim sistemin arsimor, kornizën kurrikulare apo krijonte vështirësi në njehsimin e studimeve të nxënësve shqiptarë që shkonin jashtë dhe anasjelltas. E njëjta gjendje ka  qenë edhe për Kosovën. Ndërkaq, ministrja nuk mund të jetë aq e lumtur, kur thotë se sistemi ynë është po aq europian në unifikim, sa edhe kosovar. Kjo ka një kundërshti të madhe, që është lehtësisht e verifikueshme.

Le t’i drejtohemi të dhënave që na vijnë nga vendet e BE-së dhe sistemet më të përparuara në botë. Çfarë thotë dokumenti i miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s (1997) “International Standard Classification of Education I S C E D 199. Primary education (Niveli 1)”:

46. Niveli i parë mbulon 6 vjet të plota shkollore. 49. Në vendet, ku arsimi fillor është pjesë e “arsimit bazë “, vetëm faza e parë duhet të përfshihet në nivelin 1. Nëse “arsimi bazë” nuk është zyrtarisht i  ndarë në faza, vetëm 6 vitet e para duhet të klasifikohen si niveli 1.

Më poshtë po paraqesim së bashku me tabelën përkatëse, raportin e vitit 2011.

Ky nivel në mënyrë tipike zgjat gjashtë vjet, edhe pse kohëzgjatja e tij mund të shkojë ndërmjet katër dhe shtatë vjet.

PËRKUFIZIMI

Arsimi fillor (ISCED 1) zakonisht fillon në moshën pesë, gjashtë apo shtatë vjeç dhe zgjat nga katër deri në gjashtë vjet (Vendet e OECD-së është gjashtë vjet).

  1.        I.            TABELA E KOHËZGJATJES NË VITE TË ARSIMIT FILLOR NË 192 VENDE TË BOTËS

 

Kohëzgjatja në vite e arsimit fillor 3 4 5 6 7 8
Numri i shteteve 2 29 19 119 22 1
Përqindja 1% 15% 10% 62% 11% 1%

 

Burimi: UNICEF & UNESCO, Children Out Of School: Measuring Exclusion From Primary Education, Montreal, Quebec, 2005.

Pra sistemi që ne duam të përshtatim (pasi të ndërhyhet në ligj, gjë që nuk ka ndodhur ende) është 5+4+3. Ne në këtë rast e bëjmë për të unifikuar sistemin me Kosovën dhe kjo, sipas shpjegimit të ministres, për të krijuar lehtësi për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Shumë mirë. Po për shqiptarët e Malit të Zi që e kanë sistemin ndryshe, si i bëhet? Apo ata janë të paktë në numër dhe nuk na interesojnë shumë. Pastaj marrëveshja e unifikimit, përjashton popullatën tjetër në Kosovë dhe Shqipëri, pasi aty flitet vetëm për shqiptarët? Pra, me pak fjalë, standardi që ndjek BE në arsim është përjashtimi apo gjithëpërfshirja? Shtetet e zhvilluar të BE-së (në mos gaboj 20 prej tyre kanë sistemin 6+3+3), kanë sistemin 5+4+3, apo sistem tjetër? Unifikimi me Kosovën, do të thotë automatikisht arritja e standardeve europiane? Këto përgjigje, nuk i morëm dot dhe as kemi për t’i marrë ndonjëherë.

Shkolla qendër komunitare

“Shkolla si qendra komunitare vazhdon të mbetet për ne projekti ynë i madh. Në 66 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme ka nisur zbatimi i projektit “Shkolla, Qendër Komunitare”, falë mbështetjes edhe të donatorëve europianë dhe ShBA-ve. Programi zhvillohet nga vetë shkollat në bazë të specifikës së tyre, duke promovuar bashkëpunimin mësues-prindër-nxënës. Për herë të parë, prindërit, mësuesit dhe nxënësit do të kenë në dorë një instrument të rëndësishëm për verifikimin e cilësisë në gjithë sistemin parauniversitar, sepse për herë të parë ne realizuam Kartën e Performancës së Shkollës”. Kjo ishte fjalia e bujshme e ministres. Por nuk na tha sa dhe si është bërë shkolla komunitare? Sa e dashur dhe krahëhapur u bë ajo për këto 300 ditë? Nuk u tha asnjë fjalë, për rrahjet, hedhjet nga dritarja të nxënësve, bashkëpunimin me prindërit për të ndalur dhunën e nxënësve ndaj mësuesve, përdorimin e drogës, alkoolit, duhanit, frekuentimit më të rregullt. Por, ama, zbuluam një gjë të madhe: Nxënësit dhe mësuesit dhe prindërit do të verifikojnë cilësinë në arsim. Po cilët nxënës, ata që na i bënë leshko një muaj më parë, të paaftë dhe lopë ripërtypëse? Cilët prindër, ata që sipas zëvendësministres, ju jepnin celularë fëmijëve për provime dhe i këshillonin që t’i fusnin në të mbathura, që të mos ua dallonin? Cilët prindër, që po sipas zëvendësministres, ata që paguanin mësuesit për notat e larta dhe ato kaluese? Apo prindërit që paguanin mësuesit për kurset jashtë shkollore, për një notë më të mirë. Cilët mësues do të realizojnë “Kartën e Perfomancës” (fjala e parë e kësaj fraze është rilindëse, e dyta “performanca” konteporane d.m.th. bashkëkohore), ata që janë të paaftë? Që nuk dinë veprimet matematikore? Që i rrjepin nxënësit në kurse? Apo ata që i nxirrte qeveria e mëparshme në mitingje, e tani janë rehatuar pas 23 qershorit? Cilët janë mësuesit që do ta bëjnë performancën? Po unë më kot pyes. Harrova sesa efekt ndryshues, kanë pasur këto 330 ditë. Pra, të këqijtë janë bërë të mirë, të pavlerësuarit, u bënë të vlerësuar, mësuesit u “çliruan” dhe ata mund të bëjnë edhe gjëra të mira.  Pra, çfarë pritet kur performancën e zymtë të arsimit, e ka shoqëruar çdo deklaratë e 300 ditëve? Apo pas shtatorit mrekullitë hyjnore zbresin në tokë dhe na bëjnë çudira. Po meqë e kanë për herë të parë, ta provojnë njëherë dhe siç thotë populli “Për hajër u daltë!”. Një gjë është e sigurt, po doli vajzë, këta të sotmit nuk e marrin përsipër. “Fajin e kanë ata rufjanët që ikën, e na lanë në këtë derexhe”, do thonë. Kështu që gjërat do të harrohen shpejt.