Dr. Altin Shegani: Bashkëpunimi me dy fakultete të UT-së, ka shtuar programin e masterave

736
Sigal

Intervistë/Dr. Altin Shegani, dekani i Juridikut: Nota mesatare, kriter për masterin

Ky vit i ri akademik vjen me hapësira më të bollshme për studentët e Fakultetit të Drejtësisë. Marrja e dy kateve të sipërme të godinës aktuale, bashkë me ambientet në Qytetin Studenti, e zbusin dukshëm situatën e ambienteve për studentët e këtij fakulteti. Këtë e konfirmon për “Telegraf” dekani i Fakultetit të Drejtësisë në UT, Dr. Altin Shegani. Ndërsa për përzgjedhjen e kandidatëve në master, Shegani shprehet se nota mesatare e Bachelor-it është kriteri përzgjedhës, por edhe ndarës për master shkencor, apo profesional. Gjithashtu dekani i Juridikut tregon dhe risinë, përsa i përket masterit ndërdisiplinor. Në bashkëpunim me fakultete të UT-së, respektivisht me Fakultetin e shkencave Sociale është hapur që vjet programi master, Administrimi i Funksioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë; ndërsa me Fakultetin e Shkencave të Natyrës hapet sivjet programi master, Informatika Ligjore.

Si bëhet përzgjedhja e kandidatëve për master?

Sigurisht që baza e ndarjes së këtij kufiri, do të jetë nota mesatare në Sistemin bachelor. Besoj, se ne do të mbështesim vendimin e Këshillit të Fakultetit që u mor vjet nga Fakulteti i Drejtësisë në UT, ku prioritet absolut do të kenë studentët që mbarojnë bachelor-in në UT dhe pastaj më pas kuotat që ngelen do t’i ofrohen auditorit tjetër që do të paraqesin nevojat e tyre, por do të ketë rregulla rigoroze. Drejtimi i punës konsiston në faktin që çdo departament ka autonomi të plotë dhe të gjithë procedurën e përzgjedhjes e kryen departamenti, përveç administrimit dhe regjistrimit që kryhen në sekretarinë mësimore. Kështu që në këtë pikëpamje ne e kemi liberalizuar procesin për të patur më shumë cilësi në punën për përzgjedhjen e studentëve.

Ju më parë më folët për një master ndërdisiplinor?

Shumë e drejtë, e lamë për në fund, por jo se e harruam. Risia për vitin 2012-2013, por edhe e këtij viti, është një master që sapo ka filluar të funksionojë, Administrimi i Funksioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë. Nga pikëpamja e profilit, rezulton të jetë një master ndërdisiplinor i Fakultetit të Drejtësisë dhe i Fakultetit të Shkencave Sociale, i cili ka filluar të funksionojë dhe është mbështetur financiarisht vitin e parë nga OSBE-ja. Sigurisht është një master profesional i profilizuar, i cili ka pasur për objektiv të trajnojë punonjësit e Shërbimit të Provës, i cili është një sistem i ri  në sistemin e drejtësisë, por dhe njëkohësisht punonjësit e tjerë që shërbejnë në aktivitetin e tyre në sistemet penitenciare, edhe punonjës policie, etj etj. Domethënë, është një master profesional që i vjen shumë në ndihmë sektorit juridik në fushën penale.

Duke qenë se ka vetëm një vit që aplikohet ky master, a ka pasur sukses, a ka të interesuar?

Absolutisht që ka pasur kërkesa, edhe prirja e programeve master në universitetet perëndimore, është që të ketë specifika të ngushta, sigurisht që mund të ketë dhe mastera të përgjithshëm, por specifika është ajo që e diferencon njeriun. Njeriu, sipas prirjes së vet, orientohet drejt një masteri që plotëson gamën e interesit të tij profesional. Në rastin konkret, kërkesa ka patur sigurisht, është përzgjedhur me kujdes një komision i përbashkët i Fakultetit të Drejtësisë me atë të Shkencave Sociale. Gjithë aktiviteti mësimor zhvillohet në godinën aktuale që ne kemi, besoj se ky master do të  forcojë cilësinë në të ardhmen, do të jetë një prerogativë domethënëse që ne të operojmë në programe master edhe më fakultete të tjera. Mendoj, që për vitin 2013-2014 një risi do të jetë funksionimi i një masteri të quajtur Informatika Ligjore. Është një program master i përbashkët ndërdisiplinor që Fakulteti i Drejtësisë ka vendosur ta bëjë me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në kuadrin e UT dhe besoj se kjo do të japë një profil, një trajtë më të plotë për të përmbushur interesin e njerëzve, të cilët duan të kenë njohuri në fushën e informatikës dhe juridike në të njëjtën kohë, ose le të themi kompleksin e njohurive të ligjit të zbatuar në fushën e informatikës.

Flasim sërish për masterat, por tashmë për tarifën e regjistrimit.

Tani, në bazë të udhëzimit nr. 49 datë 06.09.2013 tarifat e regjistrimit të vendosura janë rreth 25 mijë lekë të vjetra që do të paguhet te Posta Shqiptare. Në dokumentet e rëndësishme që rendit udhëzimi janë: 1)fotokopje e noterizuar e diplomës së ciklit të parë të studimeve, shoqëruar me listën origjinale të notave; 2) dokument identifikimi dhe fotokopje të tyre; 3) 2 fotografi; 4)mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; 5) deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë në universitete publike.

Kuptohet që pranë fakulteteve do të ngrihen komisione të posaçme, të cilat do të operojnë sipas degëve e programeve të masterit lidhur me kriteret e pranimit të vendosura të shpallura publikisht në këtë institucion.

Nëse një student aplikon regjistrimin për 2 a më shumë programe masteri, atëherë ai duhet të paguajë tarifën e regjistrimit për secilën prej tyre?

Logjikisht rezulton të jetë kështu, megjithatë lidhur me këtë problem ne do të presim dhe një udhëzim nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, por logjikisht po, duhet paguar tarifa për çdo degë që kërkohet. Domethënë tarifë e veçantë për çdo degë.

Tani të flasim për ata që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar. Shumë prej tyre, kërkojnë të bëjnë master edhe pse diploma që ata kanë ekuivalentohet në diplomë me master shkencor. Si aplikohet në këto raste, këto quhen kuota të dyta, apo përfshihen në kuotat që janë miratuar?

Atëherë, në parim ndryshimet e Ligjit për Arsimin e Lartë saktësuan që diploma e integruar e nivelit të dytë, 4-vjeçari i dikurshëm ekuivalentohet me master shkencor, ndërsa diplomat e masterit të nivelit të dytë, ekuivalentohen në postmaster, të cilat bëjnë të mundur që në rastin e regjistrimit në programin e studimeve doktorate, studentit i diferencohet periudha e studimeve teorike, provimeve etj etj, sepse konsiderohet që është mbuluar në masterin e nivelit të dytë. Përsa i përket problemit që ju shtroni, vjet ne kemi pasur raste të studentëve që edhe pse kanë tashmë një master shkencor, e kanë kërkuar. Mirë do të ishte, që meqenëse e kanë një master shkencor, të kërkonin një master profesional, por sigurisht një master shkencor është më superior se një master profesional, por nuk ka ndonjë akt ligjor apo nënligjor të Arsimit të Lartë në Shqipëri të ndalojë një gjë të tillë, por çdo kandidat duhet të jetë i qartë në një gjë, që diploma që kanë është e konvertueshme në bazë të ligjit, në master shkencor. Ne kemi pasur raste të tilla, sigurisht që mbetet në vlerësimin e kandidatit nëse duhet ta bëjë, duke pasur parasysh që një program studimi master ka dhe një kosto financiare.

Ndërkohë, këtyre duhet t’u jepet e drejta për t’u regjistruar në doktoraturë, apo u jepet prioritet atyre që kanë mbaruar 3+2?

Mendoj, që trajtimi është i barabartë, nuk ka diskriminim të kësaj natyre, sepse ato janë tashmë diploma ekuivalente. Nuk ka ndonjë specifikë, kriteret janë të njëjta. Kur aplikohet për doktoraturë, aplikohet dhe në bazë të disa kritereve që vendosen, por në parim nuk ka asnjë lloj diferencimi.

Kuotat dhe tarifat e masterit në Juridik

 Në fushën e programeve master, ne ofrojmë master profesional me kohë të plotë dhe master profesional me kohë të pjesshme, risi që e ofruam në vitin 2012-2013 dhe do e ofrojmë dhe vitin akademik 2013-2014. Është një risi mjaft pozitive në zgjerimin e programit dhe kurikulës universitare të fakultetit tonë. Në programet master profesional me kohë të plotë, ne ofrojmë 4 programe masteri, respektivisht master profesional në të drejtë penale, në të drejtë publike dhe civile, si dhe master në të Drejtën e Biznesit të Bashkimit Europian. Tarifat për këtë master janë rreth 748 mijë lekë të vjetra, ndërsa përsa i përket kuotave kemi nga 100 studentë për çdo program masteri. Përsa i përket masterit profesional me kohë të pjesshme, ne ofrojmë tre programe, sepse është dhe fillimi i aplikimit i një formati të tillë në këtë drejtim, ofrojmë master në të Drejtë Penale, e Drejtë Civile dhe  e Drjetë Publike. Përsa i përket masterave shkencorë, ofrojmë tre programe studimi, e Drejtë Civile, Shkenca Penale dhe e Drejtë Publike, të cilat janë përshtatur në lidhje me profilin kërkimor, se diferenca nga masteri profesional dhe masteri shkencor është te numri i krediteve dhe detyrimisht edhe te kohëzgjatja. Masteri shkencor zgjat 2 vjet, kurse ai profesional 1 vit e gjysmë, llogarit pastaj dhe kohën e praktikës për të plotësuar 90 kreditshin. Masteri profesional koncepton 90 kredite, kurse ai shkencor 120 kredite. Diferenca financiare sigurisht që është prezente, tarifa financiare për masterin shkencor është 1 milion e 297 mijë lekë të vjetra, pra ka një diferencë, logjikisht duhet të ketë një diferencë, sepse rritet kohëzgjatja e periudhës së studimit, por ka dhe një diferencë lidhur me cilësinë e diplomës që ofrohet.

Risitë e Fakultetit të Drejtësisë. Më shumë hapësira këtë vit të ri akademik

Është e vërtetë, që ne sapo na erdhi struktura e vitit të ri akademik 2013-2014. Viti i ri akademik për arsimin e lartë do të fillojë në 7 tetor 2013 dhe do të përfundojë në datën 30 shtator 2014. Aktualisht numri i studentëve 2012-2013 që kanë studiuar në Fakultetin e Drejtësisë në UT është 5879, pra është një numër i konsiderueshëm. Sigurisht, ne e fillojmë vitin e ri akademik me një lajm të mirë për të gjithë studentët e këtij fakulteti. Aktualisht, presim zgjerimin faktik të mjediseve, tashmë është bërë fakt që Fakulteti i Drejtësisë do të marrë dy katet sipër, të tretin dhe të katërtin të godinës aktuale dhe Fakulteti i Shkencave Sociale do të shpërngulet në një godinë të re, diku në rrugën “Vasil Shanto”. Një lëvizje e tillë infrastrukturore është dëshmi se çfarë po bëhet për infrastrukturën në përgjithësi në UT dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Është e vërtetë që Fakulteti i Drejtësisë ka trashëguar një periudhë problematike, sepse ne gjithmonë kemi pasur nevojë për mjedise, por aktualisht mendojmë që ne zgjerohemi me mjedise të mjaftueshme, bashkë me mjediset që kemi në qytetin studenti, për të ushtruar normalisht procesin mësimor në të gjitha programet që ofron Fakulteti i Drejtësisë në UT. Përveç kësaj, investimi në pikëpamjen e ridimensionimit të infrastrukturës fizike nuk ka pasur të bëjë vetëm me zgjerimin e mjediseve, por njëkohësisht edhe me përmirësimin e kapaciteteve të gjithë pajisjeve që lehtësojnë procesin mësimor kërkimor shkencor, por dhe procesin e administrimit të produktit dhe të dhënave të studentëve. Me këtë dua të them që tashmë është vënë në funksionim një mjedis i ri i sekretarisë së Fakultetit të Drejtësisë, i cili ka përfunduar gjatë vitit 2012-2013. Është një hapësirë e pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme të infrastrukturës logjistike për të administruar të gjithë problematikën e studentëve. Përveç kësaj, në kuadrin e UT, edhe Fakulteti i Drejtësisë ka një sekretari dixhitale, një sistem elektronik të administrimit të të dhënave të studentëve, aktualisht kjo funksionon vetëm për sistemin bachelor, por ne do ta implementojmë shumë shpejt edhe në master, edhe në doktoraturë. Çfarë ndodh? Nëpërmjet një ID që ka çdo student, ai hyn në rrjetin e posaçëm të këtij rrjeti elektronik dhe merr të dhëna mbi notat e tij, në respektim të ligjit për të dhënat personale, pasi nota e studentit konsiderohet një e dhënë personale me karakter ngushtësisht vetjak, por njëkohësisht që aty mund të bëjë dhe regjistrimin për provimet sipas sezoneve të përcaktuara për të cilët ata kanë marrë njoftim. Sigurisht, që kjo është një ndihmë shumë e madhe, sepse largon një pjesë të rëndësishme të vëllimit të punës nga mjediset e sekretarisë. Përveç kësaj ne kemi ngritur një zyrë informacioni, e cila i vjen në ndihmë me marrjen e një informacioni paraprak çdo studenti, çdo personi i cili kontakton Fakultetin e Drejtësisë, përshtatur profileve europiane të fakulteteve juridike në Europë, të cilat i kanë këto pjesë të infrastrukturës, tashmë egzistente. Kemi hapur një  zyrë të karrierës. UT, nëpërmjet një projekti TEMPUS, ka filluar që në të gjitha fakultetet të vejë në funksion zyrën e karrierës, nëpërmjet të cilës kemi organizuar dhe panairin e punës për studentët bashkë me USAID-in. Kjo është një gjë shumë e mirë, sepse në vetvete është një zyrë informimi, por edhe këshillimi për studentët që të ndjekin rrugën e karrierës. Për mua, nga informacionet që kam, ka rezultuar shumë e suksesshme funksionimi i saj deri tani dhe jam shumë optimist që kjo nuk është thjesht një risi vizuale, por do të jetë një risi shumë domethënëse për rezultatet në jetën e studentëve, për produktet që ata do të kërkojnë të marrin. Përveç kësaj,  një risi e rëndësishme është përfundimi dhe vënia në funksionim e mjediseve të Klinikës së Ligjit. Me një investim rreth 100 mijë dollarësh amerikanë, programi Just i USAID-it ka investuar në Fakultetin e Drejtësisë një klinikë ligji, që do të përdoret për të rritur cilësinë e dimensionit praktik të formimit juridik universitar për studentët tanë. Është një gjë shumë e rëndësishme, nuk bëhet fjalë thjesht që në këto mjedise, në sallën e gjyqit imitues dhe në salla të tjera në të cilat është investuar, thjesht të konstatohet një lojë autoriale, cili është gjyqtari, cili është prokurori, cili është avokati, jo. Ky është një dimension praktik që do të bëjë që të gjitha efektet e situatave kazualistike nëpër seminare e leksione, t’i bëjnë më të prekshme e madje ne do ta përforcojmë këtë prirje shpeshherë studentëve ne do t’i japim kazuse të posaçme për t’i trajtuar si gjyqe të posaçme. Përpos kësaj, një lajm tjetër i mirë përveç zgjerimit të mjediseve është dhe fondi financiar prej rreth 40 milion lekësh të reja, i cili do të përdoret për rikonstruktuar 2 katet të cilët ne do të marrim dhe po me këto para do të mundësohet dhe rikonceptimi dhe riformatimi i funksionimit të bibliotekës së fakultetit. Të gjitha këto, mendoj se janë  një risi, një përpjekje pozitive janë një materializim i të gjitha energjive pozitive dhe i punës të gjithë kolegëve, anëtarëve të stafit akademik dhe administrativ të fakultetit, për të çuar cilësisht më lart standarde të reja, për të prekur standarde të reja në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.