Dorina Rapti:“Provimi i shtetit vetëm për mësuesit e rinj me master pas 2011-ës”

4323
Sigal

Intervistë/Dorina Rapti, Shefe e Sektorit të Arsimit Profesional, MASH:në 15 korrik provimi i parë për mësuesit

Në provimin e shtetit futen mësuesit e rinj që kanë mbaruar një master mësuesie pas janarit 2011, në momentin që ligji “Për profesionet e rregulluara”, dhe kryesisht për mësuesinë, ka hyrë pikërisht në këto data. Këtë e konfirmon për “Telegraf”, Dorina Rapti, Shefe e Sektorit të Arsimit Profesional në MASH. Sipas Raptit është vënë re, edhe pse nuk është e domosdoshme, që aplikojnë për këtë provim edhe mësues që kanë vite që ushtrojnë profesionin e mësuesit, por që kanë mbaruar një master pas vitit 2011. Ndërkohë që provimet për mësuesit datojnë nga data 15 korrik deri në datën 26 korrik sipas profileve të caktuara. Rapti shpjegon më tej dhe mënyrën sesi hartohet dhe vlerësohet testi, ku përgjegjësia më e madhe në këtë proces, i bie AKP-së.

A mund të më saktësoni se cila është ajo kategori mësuesish , që i nënshtrohet provimit të shtetit?

Atëherë, provimi i shtetit jepet për mësuesit e rinj që tashmë duan të aplikojnë dhe të ushtrojnë profesionin e mësuesit, pra kjo është kategoria kryesore që jep provimin e shtetit. Që do të thotë, një mësues i ri që ka mbaruar bachelor dhe ka mbaruar për një profil të caktuar, ai për të qenë mësues duhet të kryejë një master në fushën e mësuesisë, dhe kjo është taksative, një master në fushën e mësuesisë, në profilin përkatës ku ai do të aplikojë, do të kryejë praktikën profesionale një vjeçare dhe më pas provimin e shtetit. Dhe me këto tre hapa, ai fiton të drejtën e ushtrimit të profesionit dhe aplikon në Drejtoritë Rajonale të Arsimit për t’u punësuar. Ndërkohë që, e gjitha kjo, pra që thashë për mësuesit e rinj, bëhet për të gjithë ata që kanë mbaruar një master mësuesie pas janarit 2011, në momentin që ligji “Për profesionet e rregulluara”, dhe kryesisht për mësuesinë, ka hyrë pikërisht në këto data. Më pas, në provimin e shtetit, me dëshirën e tyre, duhet ta theksojmë këtë, me dëshirën e tyre, mund të jepet dhe nga një kategori tjetër mësuesish që janë aktualisht në punë, por që për nevojat e tyre kualifikimi të mëtejshëm, kanë përfunduar një master mësuesie pas janarit të vitit 2011, atëherë ata janë të lirë të zgjedhin nëse duan ta japin provimin e shtetit, ose nuk duan ta japin provimin e shtetit. Nëse duan ta japin do t’i nënshtrohen njëlloj proceduarave për dhënie provimi, por ata e kalojnë fazën e praktikës profesionale, sepse duke qenë në punë ato e kanë të përmbyllur fazën e praktikës profesionale, pra me një vit punë, ata nuk kryejnë praktikë, pra mbaron masterin dhe kryen provimin e shtetit. Në qoftë se nuk do ta japin, nuk ka asnjë lloj rreziku për vendin e punës, mund të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre me diplomën e arsimit të lartë që kanë pasur.

Në 15 korrik është provimi i parë për mësuesit për këtë sezon.

Në 15 korrik fillon provimi i parë, janë dy javët e fundit të korrikut, nga 15-26 korrik, janë përcaktuar datat sipas profileve, për secilin profil është data përkatëse.

Cila është kategoria e mësuesve që testohet, apo këto që më shpjeguat më sipër?

Atëherë në provimin e shtetit tani, sipas listave që na kanë ardhur janë rreth 700 mësues që kanë aplikuar për të dhënë provimin e shtetit. Neve kemi parë që kryesisht masa më e madhe, të themi rreth 90% janë mësues të rinj, të cilët kanë përfunduar një shkollë për profilin përkatës, kanë mbaruar një master, kanë kryer gjatë këtij viti praktikën profesionale, që ka mbaruar në qershor, tani kanë aplikuar për provimin e shtetit për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Një masë e vogël, jo më shumë se 10% janë ata që gjatë kësaj periudhe janë në punë dhe gjatë këtyre dy viteve kanë kryer një master mësuesie dhe kanë shprehur dëshirën për të dhënë provimin e shtetit, për të njohur këtë master që ata kanë përfunduar.

Pra pasi ta mbarojnë provimin e shtetit të gjithë këta kanë të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesisë.

Po, prandaj dhe është organizuar provimi në korrik, në mënyrë që në shtator pastaj, mund të aplikojnë pranë Drejtorive Arsimore, në vendet e lira kuptohet, se nuk do hiqet dikush dhe të vihet dikush, pa diskutim, por në vendet e lira, këta kanë prioritet për t’u punësuar si mësues.

Shpesh ngatërrohet provimi i shtetit me provimin që bëhet për të fituar të drejtën e rritjes së pagës sipas meritës profesionale.

Jo, jo, ajo është tjetër gjë, quhet “kualifikim i mësuesve i vazhduar”, është gjatë punës së tyre, kur ata përmbushin disa vite si mësues. Ky provim është vetëm për ata që duan të ushtrojnë profesionin e mësuesit, pra për mësuesit e rinj dhe një përqindje shumë e ulët e atyre që duan t’u njihet masteri që kanë bërë këto dy vjet.

Sa ka ky provim që aplikohet?

Viti parë është bërë në dhjetor 2012 dhe tani është viti i dytë, vetëm se e kemi spostuar dhe e kemi bërë në korrik, pikërisht për t’i dhënë mundësi që në shtator të kenë mundësi aplikimi.

 Dhe si ka qenë cilësia e mësuesve në këtë provim?

Provimi bëhet me kompjuter, është vetëm me alternativa, provimi zgjat një orë dhe rezultati del në vend, pra mbaron provimi dhe printohet rezultati i tij. Kështu që është me një transparencë maksimale, ndërkohë që kalueshmëria e përgjithshme, sepse varet dhe nga profilet, e përgjithshmja ka qenë te 60%.

Sa herë kanë të drejtë ta japin mësuesit këtë provim?

5 herë kanë të drejtë ta japin provimin, nëse nuk e marrin, kanë të drejtën të regjistrohen përsëri. Ka dhe disa nga vjet që nuk e kanë marrë dhe janë regjistruar këtë sezon.

Nga kush përzgjidhen pyetjet?

Përsëri është një komision. Kemi 2 komisione të ngritur, komisioni që harton fondin e pyetjeve dhe një komision tjetër që bën përzgjedhjen. Anëtarë të komisionit janë pedagogë sipas profileve.

Po niveli i vështirësisë?

Niveli i vështirësisë është “e mesmja e artë” që themi ne, ku ka pyetje të nivelit të lehtë 40%, pyetje të nivelit mesatar 40% dhe 20 % është niveli më i vështirë. Po për këto më ekspertë janë ata të AKP-së që merren me këto provime.

Ja çfarë duhet të kenë kujdes mësuesit për provimin

Ne i kemi njoftuar, ata kanë faqen zyrtare të AKP-së që merret me organizimin dhe me kryerjen e testimit, atje janë dhe sallat e provimit. Ato në faqen e tyre kanë programet orientuese për çdo profil, që do të hyjë në testim, që janë hartuar nga pedagogët e fakulteteve në bashkëpunim me njëri-tjetrin me komisionet që janë ngritur, po përveç kësaj kanë dhe fondin e pyetjeve. Është realizuar një fond pyetjesh për profilin përkatës që ata do të japin. Mësuesit janë shumë të orientuar të themi, pra nuk janë se nuk dinë se çfarë të bëjnë, dhe programin e kanë dhe fondin e pyetjeve. Pra nga fondi i pyetjeve, do të përzgjidhen ato pyetje që do i kenë në provim.