Dhuna në shkolla, Nikolla: Shifrat alarmante, ka ende shumë për të bërë

505
Sigal

Mblidhet tryeza e diskutimit mbi rastet e dhunës në shkolla

Mbi 50 % e nxënësve në Shqipëri pohojnë se kanë pësuar dhunë brenda mjediseve të institucioneve të arsimit. Sipas raportimit të tyre, format më të përhapura të dhunës në shkolla janë të bërtiturat, ofendimet dhe shuplakat. Ndërkohë rezulton se, djemtë preken më shumë nga dhuna fizike se sa vajzat. Sipas një studimi të UNICEF, dhuna është më e përhapur në shkollat e qendrave urbane në krahasim me zonat rurale. Lidhur me këtë temë, Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF, “Save the Children” dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, zhvilluan dje në Tiranë, një tryezë diskutimi për situatën e dhunës në shkollat e vendit. ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla i cilësoi alarmante shifrat e dhunës që paraqiten nga monitorimi i situatës në vend. Ajo theksoi se format e dhunës duhet të zëvendësohen me mënyra të reja disiplinimi dhe për këtë ka ende shumë për të bërë. “Ndonëse është e vërtetë që dhuna në shkolla është pranishme, si një fenomen i mbartur në kohë, planet e veprimit me ministritë e linjës po vihen në zbatim. Është e rëndësishme të vihet theksi tek bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirja, për të mundësuar dhe orientuar përgjegjësi të reja që synojnë të prodhojnë një

partneritet strategjik. Unë jam e bindur se partneriteti prindër-mësues-nxënës-komunitet dhe qeveria, do të mundësojë një komunikimi të ri dhe do të përfshijë e angazhojë të gjithë aktorët e shkollës në zgjidhjen e këtij fenomeni. Sa më shumë tryeza dhe projekte të organizohen, aq më shumë do të rritet puna e partnereve dhe angazhimi i gjithë aktorëve për uljen e dhunës në shkolla”, u shpreh ministrja. Nikolla shprehu gatishmërinë e saj si mësuese, ministre dhe njëkohësisht nënë, për të punuar me të gjithë aktorët për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Dënoj sjelljet konfliktuale tek nxënësit dhe mësuesit. Jemi të vendosur për të ndëshkuar këdo që në ambientet e shkollës ushtron dhunë. Dhunë padyshim psikologjike apo verbale, pa folur pastaj edhe për raste absolutisht të patolerueshme që është dhuna fizike. Po punojmë që të rrisim sigurinë në shkollat tona për nxënësit, por dhe për mësuesit”, -tha ajo. Të pranishmit pohuan se një nga mënyrat për të eliminuar dhunën në shkolla është dhe njohja e saj. Në këtë mënyrë, shoqëria është më e gatshme për ta denoncuar atë. Aktualisht në disa shkolla të vendit, po aplikohet projekti “Kombi”, i cili trajnon mësuesit për të njohur format e dhunës, në mënyrë që t`i eliminojnë ato.

Rikthimi i emigrantëve, rritet numri i regjistrimeve të fëmijëve në shkolla

 Korçë-Rikthimi i emigrantëve shqiptarë në vendlindje ka sjellë edhe një fluks në rritje të regjistrimit të fëmijëve në shkolla. Që nga fillimi i vitit shkollor në rrethin e Korçës janë regjistruar rreth 180 fëmijë emigrantësh, 117 prej të cilëve në ciklin 9-vjeçar, ndërsa të tjerët në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional. Këtyre shifrave u shtohen dhe ata që ndjekin sistemin part-time në shkollat profesionale, ku bëjnë pjesë edhe nxënës mbi 18 vjeç. Sipas informacioneve nga Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë, mësohet se një fluks regjistrimesh vihet re edhe gjatë përfundimit të semestrit, ku kryesisht nxënësit e kthyer së bashku me familjet e tyre, vijnë nga vendi fqinj i Greqisë që është duke kaluar një krizë financiare.

 ***

Artur AJAZI/Zonja Ministre, dhuna në shkolla e ka një zgjidhje!

Të gjithë ne, jemi dëshmitarë të një dhune të paparë dhe të papërmbajtur nga një valë krimesh nga më makabret që ka nisur në të gjithë vendin dhe nga të gjitha moshat. Djali vret babain e tij, vëllai vëllain e tij, gruaja burrin, nxënësi shokun e shkollës, tritoli nuk kursen askënd, mjafton të nisësh një konflikt verbal me dikë. Ku po shkojmë, cila është zgjidhja? Por më e dhimbshme për ne të gjithë është, kur këto skena i shohim edhe tek oborret e shkollave, madje edhe në klasat, ku zhvillohet mësimi. Kudo, në të gjitha shkollat e vendit, ndjehet dhuna, e cila ka si protagonistë nxënësit pa dallim moshe dhe gjinie. Kjo tatëpjetë e shkollës, ka nisur 2 dekada më parë dhe ka vazhduar në 8 vitet e fundit me shkatërrimin substancial të asaj që ishte ngritur me kujdes dhe mundim, të figurës së mësuesit. Në 8 vitet e qeverisjes së demokratëve, ish-ministrat e Arsimit, Pollo dhe Tafaj, duhet të mbajnë përgjegjësinë morale dhe ligjore për shkatërrimin e sistemit arsimor, për përdhosjen e figurës së mësuesit, drejtuesit të shkollës dhe për pasojë edhe të degradimit të procesit edukativ të nxënësve. Në gjithë këto vite, nga MASH (nën emrin e reformave) kanë dalë dhjetëra urdhëresa dhe vendime  nga më absurdet, të cilat kanë synuar baltosjen e figurës së mësuesit. Mësuesit, madje, në vitin 2012, pas një qarkoreje të  MASH, u urdhëruan nga DAR në rrethe të pajiseshin me karta të verdha dhe të kuqe. Një turp që s’e ka parë ndonjëherë historia e arsimit, në asnjë vend të botës. Mësuesit ndjeheshin të fyer, ata madje u bënë gazi botës, duke nxjerrë herë kartën e verdhë dhe herë kartën e kuqe në klasë, kur dikush nga nxënësit fliste me celularë, hipte majë bankave, apo edhe shante me fjalë nga më banalet shokun apo shoqen, duke mos kursyer edhe vetë mësuesit. Shkollat në 8 vitet e fundit u kthyen në godina, ku veç mungesës së edukimit, po u krijonin nxënësve edhe mendësinë e të qenit të paprekshëm. Urdhri nga MAS , i firmosur nga ish-ministri Tafaj  ishte “të mos preket nxënësi, të mos nxirret jashtë nxënësi, të ledhatohet nxënësi, të mësohet nxënësi, të durohet nxënësi”. Armata e madhe e mësuesve mbetet edhe sot e indinjuar me fyerjet e bëra nga ish-ministrat e Arsimit, pasi ata nuk arrinin të bënin produktive orën e mësimit, nuk arrinin të mblidhnin një herë Këshillin Pedagogjik për të diskutuar për sjelljet e elementëve huliganë që po rritej e shformohej në shkolla. Këtë e ndalonte Urdhri i Ministrit, kurse përgjigja e drejtorëve të shkollave ishte “me durim, bindeni huliganin, bindeni  të mos nxjerrë thikën në klasë, bindeni të mos flasë fjalë të ndyra, nxirri kartonin e verdhë, pastaj atë të kuq”. Kjo ishte situata  në shkolla dhe, fatkeqësisht, kjo vazhdon të jetë akoma dhe si pasojë, kemi plagosje dhe vrasje në oborret dhe ambientet jashtë tyre.

Zonja Ministre!

Dhuna në  shkolla e ka një zgjidhje dhe kjo zgjidhje duhet të jetë si një aksion  rrufe që duhet të nisë nga zyra juaj dhe të delegohet tek drejtuesit e DAR dhe ata në shkolla. Dhuna në shkolla nuk ndalet me konferenca dhe seminare, por ajo ndalet me ringritjen e dinjitetit dhe figurës së mësuesit. Atë që u shkatërrua në 8 vjet, ju duhet ta ndërtoni në pak javë ose muaj që të ndaloni dhunën në shkolla, të ndaloni plagosjet e vrasjet në oborret e tyre, të hiqni baltën nga emri dhe figura e mësuesit si edukator. Nxënësit, sot, i shohin mësuesit e tyre si bashkëmoshatarë dhe nuk kursejnë ndaj tyre fyerjet, presionet, madje nuk kursehen të ngrenë edhe dorën ndaj tyre. Këtë situatë, zonja Ministre, ju e njihni tashmë, i keni marrë informacionet nga drejtuesit e DAR në rrethe. Ngritja e figurës së mësuesit, duke e bërë atë të barazvlefshme me figurën e mësuesit në Itali, Gjermani, Francë e kudo, do të ndalë sjelljet rrugaçërore dhe dhunën në shkolla.  Shkollat tona, sot, duhet të kenë rregulloren e tyre, duke përcaktuar qartazi në pika të veçanta të saj rëndësinë dhe respektin ndaj edukatorit. Shkollat tona nuk kanë nevojë për policë tek dera, por për drejtues aktivë dhe mësues të motivuar e dinjitozë.