Deputetët e Elbasanit në grup tek Lindita Nikolla “Shkarko drejtoren e DAR-it në Elbasan”

1189
Sigal

Emërime klienteliste në shkolla, drejtorë e nëndrejtorë, të pavotuar nga stafet pedagogjike

 MAS të nisë verifikimet për çdo rast të ankimuar

 Deputetët e Qarkut të Elbasanit kanë dalë në grup dhe kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve shkarkimin e drejtores së DAR-it. Kërkesën e tyre ata do t’ia ripërsërisin zonjës Nikolla, edhe në mbledhjen e Komisionit të Arsimit, ku do të diskutohet mbi testimin e mësuesve. Sipas deputetëve, “Elbasani mbetet Qarku më problematik dhe me rezultate të dobëta, i zhytur në llumin e zi të emërimeve të paligjshme, largimeve, shkarkimeve dhe rekrutimeve të pamotivuara në sistemin arsimor. Kjo, për faktin se, për muajt e fundit është konstatuar një valë emërimesh skandaloze në postin e drejtorit dhe nëndrejtorit në shkolla”. Lista e gjatë me emra dhe personazhe aspak të njohur dhe me kontribute zero, kenë gjetur vend në postet e drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave në qytet dhe fshatra. Drejtorë dhe nëndrejtorë shkollash po emërohen njerëz që kanë sajuar dhe falsifikuar, që kanë mbaruar madje edhe part-time dhe me mesatare të ulët, duke e katandisur sistemin arsimor në qytetin që konsiderohet si “djepi arsimit shqiptar” në pikën e hallit. Drejtorët e shkollave gënjejnë dhe mashtrojnë stafin duke pretenduar se “nëndrejtorin e kanë votuar 3/5 e mësuesve”, duke iu imponuar dhe bërë presion mësuesve, kur një gjë e tillë sipas udhëzimeve të MAS nuk ka ndodhur. Drejtorë shkollash po detyrojnë mësuesit të firmosin , duke u thënë se “vini firmën sa për prezencën” dhe kanë bërë emërimin e nëndrejtorëve, por në raste të veçanta, edhe i kanë skualifikuar ata që nuk kanë qenë preferencë e tyre. Ky është një skandal. Duke u fshehur pas rrjetit dhe klanit, emëruesit e drejtorëve dhe nëndrejtorëve të shkollave në Elbasan, kanë shkaktuar prej disa muajsh pakënaqësi të mëdha në kolektivat e mësuesve, pavarësisht se këta të fundit gjenden të trembur dhe nuk flasin. Vendosja e drejtuesve pa kontribute, pa nivele të përcaktuara nga kriteret, konkurset fiktive të DAR Elbasan, e kanë kthyer 20 vjet mbrapa sistemin arsimor, duke sjellë katastrofë. Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka marrë prej kohësh sinjalizime të shpeshta lidhur me emërimet klienteliste në shkolla. Email-e dhe letra kanë mbërritur jo vetëm në MAS, por edhe në redaksi gazetash nga deputetë të qarkut . Gazeta “Telegraf” ka disa ditë që ka marrë email-e të shumta, lidhur me situatën tepër të rënduar e cila po shkatërron sistemin shkollor në Elbasan. Kjo situate është bërë shpesh objekt kritikash edhe nga drejtuesit e pushtetit vendor në Elbasan, madje nga vetë kryetari i Bashkisë zoti Sejdini, si dhe një pjesë e deputetëve socialistë si; Tauland Balla apo dhe Evis Kushi. Zoti Balla ka kërkuar disa herë rifreskimin e drejtuesve Elbasan nga Kryeministri Rama, i cili ka kërkuar sqarime mbi situatën. Në disa institucione është krijuar rrjeti epidemik, klanor dhe nepotik, dhe kjo, veçanërisht, në sistemin arsimor. Emërimet e nxituara dhe klienteliste, emërimet duke shkelur kriteret që e përcaktojnë qartë se kush duhet të jetë drejtor shkolle, nëndrejtor apo edhe inspektor në DAR, duket se po shkatërrojnë dhe deformojnë edhe vetë udhëzimet e MAS. Elbasani ka një histori të dhimbshme me gjoja “reformimin” e sistemit arsimor në dy dekadat e fundit. Emërimi i drejtuesve partiakë ka shkatërruar sistemin shkollor, duke emëruar njerëz inkompetentë. Prej afro 2 dekadash, DAR Elbasan drejtohet nga militantë. Kjo ka sjellë shkatërrimin e sistemit arsimor. Institucionet arsimore në Elbasan vazhdojnë të drejtohen me të njëjtin mentalitet, me të njëjtat metoda, me të njëjtat forma dhe gjithçka ka mbetur kaotike dhe denigruese. Ministria e Arsimit dhe Sporteve duhet të ndalet me urgjencë në Elbasan, – ka deklaruar pak ditë më parë deputeti i qarkut të Elbasanit, Tauland Balla. Drejtuesit e shkollave të emëruar pa asnjë kriter profesional, mbi të vetmin motiv, atë farefisnor, miqësor dhe klientelist, kanë nisur shkatërrimin e institucioneve, presionet ndaj mësuesve të pabindur. Të ardhur dhe të emëruar pa votim, ata janë sa të paaftë aq edhe intrigues. Shkollat e Elbasanit janë katandisur dhe kthyer në institucione, ku po gjejnë strehë të paaftët dhe militantët. Po gjejnë strehë dhe emërohen (pa asnjë konkurs ligjor) mësues me paaftësi serioze në fushën e profesionit, duke shkaktuar ilaritet dhe pakënaqësi tek stafet e mësimdhënies. Shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm po shkojnë drejt rrënimit profesional dhe etik. Ardhja e shpeshtë e deputetëve të qarkut, takimet dhe mbledhjet e gjata me drejtuesit e arsimit, duket se nuk kanë dhënë deri më sot rezultate pozitive.

 Deputetët e Qarkut të Elbasanit “Gati kërkesa jonë për Ministren e Arsimit”

Deputetët e Qarkut të Elbasanit janë bërë së fundi në grup dhe i kanë kërkuar shkarkimin nga detyra të drejtores së DAR Elbasan. Prej muajsh, deputetët e Elbasanit Tauland Balla, Miranda Rira, Luan Duzha, Evis Kushi, kërkojnë shkarkimin e drejtores së DAR Elbasan, duke e motivuar kërkesën e tyre me faktin e “mungesës së etikës, profesionalizmit, aftësive menaxhuese dhe drejtuese, si dhe emërimet e paligjshme dhe klienteliste të bëra nga ajo në periudhën që drejton arsimin, duke krijuar problematika të thella, polemika, duke emëruar dhe shkarkuar pa vendime të komisioneve në shkolla njerëz të pavotuar, e duke krijuar kaos institucional në shkolla”. Deputeti Luan Duzha u shpreh se “mendoj se zonja Nikolla duhet, urgjentisht, edhe pas kërkesave të vazhdueshme nga gjithë deputetët e Qarkut, të veprojë për të shpëtuar sistemin arsimor në Elbasan”. Të këtij mendimi janë edhe deputetët Tauland Balla, Evis Kushi dhe Miranda Rira. Në mbledhjen e të enjtes në Komisionin e Medias dhe Edukimit, grupi i deputetëve të Qarkut të Elbasanit do të kërkojë dhe insistojë nga zonja Nikolla largimin nga detyra të drejtores së DAR Elbasan, ashtu siç largoi drejtorin e Librazhdit. Çdo vonesë është katastrofike për arsimin në atë qytet. Deputetët e Qarkut të Elbasanit deklaruan për “Telegraf” se “nuk do të pushojmë së kërkuari rifreskimin e stafit të DAR, e cila është kthyer në problem të madh për mbarëvajtjen e punëve dhe reformimit të strukturave arsimore atje, veç informacioneve që na vijnë për veprime arbitrare, apo zbulimi dhe heshtja për rastet e konstatuara për dëftesat dhe diplomat false si rasti i Funarit dhe shkollave të tjera, për të cilat ka ngritur padi penale ”.