Departamenti i Italishtes në UT aktivitet për 30-vjetorin e themelimit

464
Sigal

TIRANË – Kanë kaluar 30 vjet nga momenti kur për herë të parë, në vitin 1984 u hap dega e italishtes në Universitetin e Tiranës. Konferenca “Gjuha Italiane në Shqipëri mes të shkuarës dhe të ardhmes”, solli në kujtesë pedagogët por edhe studentët e parë që iu përkushtuan gjuhës italiane vetëm prej atyre pak njohurive që kishin për qytetet e bukura si Venecia, Roma, Xhenova por edhe per artin Italian. Ambasadori Gaiani i pranishëm në këtë konferencë u shpreh se e vlerëson shumë faktin që në Shqipëri italishtja njihet në shkallë të gjerë.
 
“Më bëhet qejfi të shoh sallën kaq plot pasi unë i kushtoj një rëndësi të veçantë italishtes. Duke qenë se të dy vendet tona kontribuojnë për një politikë dhe ekonomi të qëndrueshme, njohja e gjuhës italiane në masë në Shqipëri ka bërë që shumë biznese italiane të hapen këtu duke punësuar me qindra njerëz. Italishtja ka arritur të jetë si gjuha e dytë e preferuar në Shqipëri si dhe në botë vazhdon të jetë në vendin e katërt për shkak të interesit që ka.”- tha ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani
 
Dekania e fakultetit të Gjuhëve të huaja Prof. Dr. Klodeta Dibra, duke folur edhe si një nga studentet e para të italishtes i kujton me mjaft emocion vitet në të cilat la pasionin për mjekësinë që t’i përkushtohej një pasioni tjetër, atij të gjuhës italiane. Në një prononcim për A1Report, Dibra vlerëson kontributin që kanë dhënë ndër vite pedagogët për të gjithë studentët që kanë zgjedhur italishten.
 
Ndërsa shefi i departamentit të italishtes Prof. Dr. Artur Sula është ndalur në kapacitetet që ka ky departament për të zhvilluar tregun e punës.
 
Në të ardhmen pritet që në bashkëpunim me Ambasadën Italiane, departamenti i Italishtes të ofrojë mësimin e gjuhës për fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, si dhe të ofrojnë mësim të gjuhës italiane në shkollat profesionale. Kjo do të mundësohet pa kryer asnjë shpenzim nga ana e shtetit por në të njëjtën kohë duke u dhënë mundësinë studentëve të vitit të dytë master që të zhvillojnë praktikën mësimore që u nevojitet.