Dekani Hysa: “Sfidat dhe ndryshimet që sjell Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri”

485
Sigal


INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr Bajram Hysa, për rritjen e cilësisë

Një muaj më parë u shpall krijimi i Universitetit të parë të Mjekësisë në Shqipëri. Kalimi nga fakultet në Universitet, përbën një avantazh të madh për tërë sistemin shëndetësor. Në lidhje me këtë ndryshim dhe me sfidat që e presin këtë universitet ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Dr. Bajram Hysa. Sipas zotit Hysa, kalimi nga fakultet në Universitet, përbën ngjarje të rëndësishme dhe kjo normalisht që ka shumë anë pozitive. Me kalimin në universitet do të ketë më shumë financime, më shumë investime.

 -Zoti Hysa, para pak kohësh Fakulteti i Mjekësisë u kthye në Universitet të Mjekësisë. Cilat janë avantazhet e këtij ndryshimi?

-Fakulteti i Mjekësisë është themeluar 61 vjet më parë, më konkretisht është themeluar në 1952. Fillimisht është themeluar si Instituti i Lartë Mjekësor dhe më pas është emëruar Fakulteti i Mjekësisë në kuadrin e Universitetit të Tiranës. Ky fakultet ka kontribute të dukshme në të gjithë sistemin shëndetësor, pasi mjekët stomatologët, farmacistët dhe të gjithë specialistët e shëndetësisë i kana shërbyer me dinjitet qytetarëve në çdo vend të Shqipërisë. Natyrisht në kushtet e sotme kërkohet një rritje me e madhe e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Kjo bëhet në kushtet që Shqipëria është e hapur në kushtet që mjetet e komunikimit me botën janë më të avancuara. Përgatitja e gjeneratave të reja dhe integrimi në komunitetin evropian kërkojnë krijimin e standardeve më të larta nga ato që kanë qenë deri më tani.

 – Cilët ishin disa prej faktorëve që çuna në krijimin e Universitetit Mjekësor në Shqipëri?

-Sigurisht krijimi i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës është një domosdoshmëri në kushtet e integrimit të vendit tonë për të përgatitur një gjeneratë mjekësh të aftë që të përballojnë sfidat që kërkon sistemi shëndetësor shqiptar, rajonal edhe më gjerë. Në këto kushte rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor e stomatologëve, farmacistëve, kërkon që përveç marrjes së njohurive në nivel universitar kanë nevojë edhe për marrje të njohurive edhe pasuniversitare. Pra, ka nevojë për më shumë specializime. Në kushtet që Fakulteti i Mjekësisë i ka të treja ciklet e studimit. Në kushtet që ka një profesorët shumë të madh me 240 pedagogë të brendshëm, dhe mbi 200 pedagogë të jashtëm, ky fakultet duke pasur në konsideratë edhe numrin e studentëve që shkon në 6000 së bashku me infermierinë i plotëson kushtet për të qenë një universitet dinjitoz. Po ashtu edhe përsa i përket shtrirjes territoriale të ambienteve, që janë që nga sanatoriumi, Spitali Ushtarak, Instituti i Shëndetit Publik, Qendra Shëndetësore Nënë Tereza. Për më tepër pritet që të ketë edhe një bashkëpunim me spitalet private. Të gjitha këto elementë e bënë të domosdoshme krijimin e një universiteti Mjekësor.

 -Formimi i Universitetit të Mjekësisë, a do të shkojë paralelisht me rritjen e cilësisë për studentët që studiojnë në këtë universitet?

-Krijimi i Universitetit të Mjekësisë, siç e thashë edhe më lart është bërë për të rritur cilësinë e studimeve, në mënyrë që t’i përgjigjemi standardeve të Bashkimit Evropian. Në radhë të parë krijimi i Universitetit të Mjekësisë, rrit numrin e fondeve. Po ashtu do të rritet edhe numri i fondeve. Nëse në vendet e tjera hapet një universitet për 1 milion banorë, tek ne është hapur një universitet për mbi tre milion banorë. Ky universitet do të plotësojë nevojat edhe nga pikëpamja sasiore për të pare së sa mjekë duhen për 1 mijë banorë. Në kushtet e sotme aplikimet për tu lidhur me organizmat ndërkombëtare janë më të mundshme, pasi tani kalojmë nga aplikimet në bazë dege në aplikime në bazë fakultetesh. Dhe këto fakultete natyrisht që do të kenë stafin e tyre. Pra kjo do të thotë që do të ketë më shumë fonde edhe për aplikimet dhe projektet ndërkombëtare. Po ashtu unë do të thoja që deri tani i është kushtuar një rëndësi e madhe edhe specializimeve vetëm në fushën e mjekësisë, ndërsa tani do të ketë specializime edhe në fushën e Farmacisë, stomatologjisë dhe të Mjekësisë, pra do të krijohen më shumë mundësi në lidhje me krijimin e cilësisë.

 -A janë të mjaftueshme ambientet, laboratorët, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të studentëve që keni ju si universitet?

-Në Fakultetin e Mjekësisë, nuk ka pasur ndonjë nevojë emergjente për ambiente, sepse unë e përmenda edhe më sipër që në kemi një sipërfaqe të madhe në dispozicion. Ndërsa përsa i përket laboratorëve unë do të thoja që nevojë për më shumë investime, ndërsa nga pikëpamja e godinave, ne kemi 17 ambiente në dispozicion.

 -Prej disa në fakultetet e tjera po bëhen aplikimet për Doktoraturën, po në Universitetin e Mjekësisë, si po shkon ky aplikim?

-Doktoratura ka të bëjë me ciklin e tretë dhe deri më tani ne jemi në pritje të shkresës që është miratuar nga Këshilli i Ministrave. Jemi në pritje dhe shpresojmë që numri i kuotave të miratuara për Universitetin tonë të jetë mbi 200, sipas kërkesave që kemi bërë ne para disa muajsh.

 –Në momentin që nuk ju kanë ardhur kuotat ende, do të thotë që ju do të keni një fazë tjetër aplikimi?

-Po, përderisa ne nuk na ka ardhur ende numri i kuotave dhe shkresa zyrtare. Kështu që do të jemi të detyruar që të kërkojmë shtyrje të afatit nga organet kompetente dhe superiore.

 -Ju theksuat pak më lart që keni një numër të madh pedagogësh, po a i mbulojnë këto nevojat e universitetit tashmë, a ka nevojë për rritje të numri të pedagogëve?

-Sigurisht që Fakulteti i Mjekësisë, ka nevojë për rritje të stafit akademik për shkak të specifikës së studentëve. Nuk mund të bëhen praktikat me një numër më të madh se gjashtë studentë, po aq e kanë edhe standardet botërore. Dhe nuk mund të bëhet praktika me 20 studentë siç bëhet në vendet tona. Pra kjo e bën të domosdoshëm rritjen e numrit të stafit. Por ne shpresojmë që me krijimin e Universitetit shumë probleme të marrin zgjidhje.

 -A është i mjaftueshëm për tregun e punës numri i studentëve që mbarojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë?

– Fakulteti i Mjekësisë ngelet lokomotiva e Universitetit, pasi është fakulteti më i madh. Ndërsa në lidhje me numrin e studentëve, unë do të thoja që deri më tani ka një riprodhim të thjeshtë. Numri i studentëve që vijnë në Fakultetin e Mjekësisë, llogaritet mbi bazën e daljes në pension të mjekëve. Pra sa mjekë dalin në pension brenda një viti, aq studentë pranohen në fakultet. Ka ardhur koha që këto kuota të shtohen. Me krijimin e Universitetit të Mjekësisë në shpresojmë që ta rrisim numrin e studentëve dhe për këtë do bëjmë edhe kërkesë.

-Misioni i Universitetit të Mjekësisë

a) ofrimin e formimit universitar të studentëve dhe specialistëve në të tria ciklet e studimeve në shkencat e shëndetit;

b) ofrimin e kualifikimit të specialistëve në fushën e shëndetit;

c) thellimin e kualifikimit të punonjësve akademikë e shkencorë universitarë;

ç) kryerjen e kërkimit shkencor bazë dhe të aplikuar;

d) realizimin e funksioneve diagnostikuese e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, nëpërmjet shërbimeve, që janë njësi bazë të universitetit dhe pjesë përbërëse e strukturës së qendrave spitalore universitare.

-Nga Universiteti i Tiranës shkëputen dhe integrohen në strukturën e UMT-së njësitë kryesore të mëposhtme:

a) Fakulteti i Mjekësisë;

b) Fakulteti i Infermierisë.

II. Struktura e UMT-së

Në strukturën e UMT-së përfshihen njësitë kryesore, si më poshtë vijon:

a) Fakulteti i Mjekësisë;

b) Fakulteti i Mjekësisë Dentare;

c) Fakulteti i Farmacisë;

ç) Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike;

d) Fakulteti i Shëndetit Publik.