Datat për për provimet kombëtare të arsimit bazë dhe për provimet e Maturës Shtetërore

865
Ministrja Lindita Nikolla nxjerr dy udhëzimet përkatëse, ja si do të veprojnë nxënësit, shkollat, drejtoritë arsimore dhe komisionet e provimeve
UDHËZIM Nr. 6, datë 7.3.2017 
PËR NJË NDRYSHIM NË UDHËZIMIN NR. 3, DATË 13.2.2017, TË MINISTRIT TË ARSIMIT DHE SPORTIT “PËR ZHVILLIMIN E PROVIMEVE KOMBËTARE TË ARSIMIT BAZË, VITI SHKOLLOR 2016–2017” 
Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 50, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1013, datë 10.12.2010, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 352, datë 3.4.2013, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, UDHËZOJ: 1. Pika 1 e udhëzimit nr. 3, datë 13.2.2017, “Për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë, viti shkollor 2016–2017”, ndryshon si më poshtë: 

“1. Provimet kombëtare të arsimit bazë, për vitin shkollor 2016–2017, do të zhvillohen: 
a) Gjuhë e huaj, 12 qershor 2017; b) Gjuhë shqipe, 22 qershor 2017; 
c) Matematikë, 27 qershor 2017. 
2. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi zëvendësministri, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme, Agjencia Kombëtare e Provimeve, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, drejtoritë arsimore rajonale, zyrat arsimore dhe institucionet shkollore. Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. 

MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT 
Lindita Nikolla
UDHËZIM Nr. 7, datë 10.3.2017 
PËR DATAT DHE ORGANIZIMIN E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2017 
Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të nenit 26, pika 2, germa “a”, të ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, UDHËZOJ: 

1. Lëndët dhe datat për provimet e Maturës Shtetërore 2017, të jenë: 
a) Gjuhë e huaj (D3) 5 qershor 2017; 
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 10 qershor 2017; c) Matematikë (D2) 15 qershor 2017; d)Provime me zgjedhje(Z1/Z2) 24 qershor 2017. 
2. Administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2017 të bazohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2017 në Republikën e Shqipërisë, miratuar me urdhrin nr. 39, datë 31.1.2017, të ministrit të Arsimit dhe Sportit. 
3. Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtarë e Provimeve, brenda muajit mars 2017, të përcaktojnë llojin e testeve për secilin provim të Maturës Shtetërore (të detyruar dhe me zgjedhje). 
4. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2017: 
4.1 Fillojnë në orën 10:00. 4.2 Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta. 
4.3 Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. 
4.4 Testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga AKP-ja. 
4.5 Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. 
4.6 Testi për secilin nga provimet me zgjedhje përmban 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, që vlerësohen me tri pikë secila (30 pikë gjithsej). Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. 
4.7 Maturantët/kandidatët që japin provim vetëm njërën nga lëndët me zgjedhje, e fillojnë provimin në orën 11:30 dhe e përfundojnë atë në orën 13:00. 
4.8 Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2017, i rijapin ato provime në sesionin e dytë. 
5. DAR/ZA-të të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor 2016–2017, brenda datës 3 qershor 2017, t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “Portali i maturantit”, sipas udhëzimit përkatës dhe t’i dërgojnë këto lista në AKP, në format të printuar dhe elektronik. 
5.1 Drejtoritë e shkollave të njoftojnë maturantët mbetës, që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2017, pa likuiduar më parë provimet e klasës. 
5.2 Organizimi i konsultimeve për maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 121, datë 25.2.2011, “Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë”. 
5.3 Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi greke”, për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke, përgatitet nga DAR-ja Gjirokastër. 
5.4 Teza e provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi zhvillohet në datën 24 maj 2017 në shkollat përkatëse. 
5.5 Teza e provimit “Gjuhë frënge” (DELF B2 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi zhvillohet në datën 24 maj 2017 në shkollat përkatëse.
5.6 Tërheqja e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore 2017 të bëhet sipas grafikut të hartuar nga AKP-ja dhe të miratuar nga MAS-. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare tërheqin në AKP materialet e provimit, një ditë para zhvillimit të provimit përkatës. Materialet e provimit të paketohen për çdo mjedis më vete. Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimit të bëhet mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2017 në Republikën e Shqipërisë. 
5.7 Provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2017 zhvillohen në mjediset e institucioneve arsimore, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2017 në Republikën e Shqipërisë. 6. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Provimeve, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, njësitë arsimore vendore dhe shkollat.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare. 
MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT 
Lindita Nikolla
Sigal