DAR Tiranë, Kuqi: Gjithçka në funksion të përmbylljes me sukses të provimeve të maturës

511
Sigal

Dje në mesditë ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, znj. Lindita Nikolla, ka inspektuar Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë në lidhje me mbarëvajtjen e përgatitjeve të provimeve të Maturës Shtetërore 2014, të cilat zënë fill në 19 maj me provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Gjatë këtij inspektimi, ministrja e Arsimit Nikolla ka kontrolluar kryesisht përgatitjet që po zhvillohen në trajnimin e administratorëve dhe punonjësve të tjerë të cilët do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e këtij evenimenti kaq të rëndësishëm për maturantët. Në Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë përgatitjet për Maturën Shtetërore konsiderohen si një nga evenimentet më të rëndësishme, pasi ky proces kurorëzon studimet 12 vjeçare të maturantëve, por dhe gjithë mbështetjen, mundin dhe sakrificat e prindërve të tyre. E kontaktuar në telefon nga gazeta “Telegraf”, Drejtorja e DAR Tiranë, znj. Mimoza Kuqi theksoi se “potencialet tona për të administruar këtë eveniment nuk mungojnë dhe ne do t’i ofrojmë më të mirën e mundshme, duke garantuar maturantët dhe prindërit e tyre se do të jemi korrekt dhe do të kenë mbështetjen tonë deri në fund të këtij procesi aq të rëndësishëm për sistemin arsimor parauniversitar. Konkretisht, ne po punojme me: 1) përgjegjësit e adminiatratorëve, 2) administratorët 3) sekretuesit e provimeve, 4) përfaqësuesit e DAR. Këto katër personazhe, së bashku me drejtorët e shkollave dhe mësues të tjerë, punonjësit e DAR dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve do të jenë në ditën e provimeve të gatshëm për të zgjidhur çdo problem që mund të dalë gjatë provimeve të maturës dhe të garantojnë mbarëvajtjen e tyre. Të hënën dhe të martën kemi takim me mësuesit, prindërit, drejtorët e shkollave private dhe kryetarët e bordeve për t’i sqaruar dhe për t’i dhënë detaje të mëtejshme rreth rolit të tyre për mbarëvajtjen e provimeve të Maturës Shtetërore. Kemi punuar që 28 ambientet, që janë përzgjedhur tashmë në bazë të kritereve të përcaktuara qartë, do të jenë në gatishmëri të plotë ditën e provimeve. Mësuesit e provimeve po punojnë me teza dhe teste paraprake për të mbyllur me sukses këtë vit shkollor. Ndërkohë që ministrja e Arsimit dhe e Sportit, znj. Lindita Nikolla gjatë inspektimit na premtoi një mbështetje të fuqishme nga MAS për të përmbyllur me sukses Maturën Shtetërore. Ministrja tha se në të ardhmen do të punojmë akoma më fort për ta çuar arsimin shqiptar drejt atij europian”.