Danel Cana/ Sekretet  e  shkollave  shqipe  në  Greqi

583
Sigal

 “Përse deri më sot, shteti shqiptar i ka parë emigrantët me syrin e “njerkës”

Mos u çuditni aspak me titullin dhe mos prisni të zbuloj unë ndonjë “sekret” të paditur deri më sot për hapjen e shkollave shqipe në Greqi!

Sekreti është sa i njohur, aq dhe i pa ditur sepse, si emigranti që ka nevojë shkollën, ashtu edhe unë si gazetar që kam disa vite që së bashku me shoqatën “Bashkimi shqiptar” në Zakynthos, po kërkojmë nëpër anekset dhe korridoret e qeverisë dhe të diplomacisë, mundësimin e një shkolle shqipe për fëmijët e emigrantëve, apo më minimumin një kurs analfabetizmi… sot në shek XXI-të, në emër të “Qytetërimit” dhe “Të kartës së të drejtave të njeriut” të njohur; por jo të pranuar botërisht ! Më vijnë ndërmend fjalët e një ish zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare kur e pyeta në gjuhën popullore:
“ Përse deri më sot, shteti shqiptar i ka parë emigrantët me syrin e “njerkës” ?
Ai m’u përgjigj po popullorçe: “Sepse deri më sot ka qenë “Ariu” për ne që s’kemi patur shtet…”!
Unë….nuk është se nuk e prisja një përgjigje të tillë, sepse kam ndjekur nga afër shumë ngjarje të politikës shqiptare që nga koha e përmbysjes së sistemit totalitar, i cili për hir të së vërtetës, nuk e ka njohur aspak për “Ari” dhe…befas del në sfond si i tillë…!
Çudi kur u rrit kaq shumë se që …ka treguar ca egërsi, kjo është e vërtetë, por jo dhe të jetë kaq i fortë  sa të bëj si të dojë…! Mbas këtij mendimi dhe analize, nuk mbetet gjë tjetër veçse të themi se… “qenka trembur kotë…” ose…ka luajtur të tremburin për interes të saj politika shqiptare, sepse kështu ja ka dashur puna e përfitimit. Por vjen një ditë që edhe populli ashtu si fëmija, ngopet me gënjeshtra dhe nuk i beson më…! Kemi mbi njëzet vjet që emigrantët e Greqisë po ngopen me gënjeshtra se, gjoja shteti shqiptar është i interesuar për arsimimin e fëmijëve të emigrantëve, të larguar nga halli, në gjuhën e tyre amtare. Për të mijtën herë ju tregon se ka bërë marrëveshje me qeverinë greke dhe ka rënë dakord për arsimimin e shtetasve të saj në emigrim…! Këto premtime bombastike kanë qenë dhe mbetën në erë, sepse sa herë që ne përballemi me kërkesat tona për ushtrimin e të drejtave për arsimimin në gjuhën tonë amtare, aq herë qeveria vendase na vë me shpatulla për muri dhe na tregon derën duke na thënë fortë se: “Janë qeveritë e të dy vendeve ato që i zgjidhin dhe rregullojnë këto probleme, nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe…”
Dhe kjo marrëveshje për fatin tonë të keq na munguakërka…!  Edhe një marrëveshje e vitit 1996 që u hartua për të drejtat dhe detyrimet dypalëshe në fushën e arsimit, na dalkërka sot se paska mbetur e pa përfunduar dhe e pa firmosur nga pala greke! (v.o. kur në të njëjtën kohë pala shqiptare ka lejuar hapjen e disa shkollave, në Korçë, Dropull, disa fshatra të Sarandës dhe Himarë e gjetkë.!) Do pyes dikush: Po si janë hapur shkolla shqipe në disa vende të Greqisë, të cilat raportohen nga shoqatat jo qeveritare? Unë do të thosha se nuk ka shkolla shqipe dhe as që mendohet të ketë, pa jua ulur rëndësinë atyre kurseve të mësimit të gjuhës amtare, të cilat janë një sakrificë e vërtetë e shoqatave dhe disa intelektualëve mësimdhënës, të cilët meritojnë gjithë respektin. Këto kurse të mësimit të gjuhës amtare janë dëshirë dhe sakrificë e emigrantëve dhe të mos mendojë dikush se ka ndihmuar shteti shqiptar apo shteti grek!
Këto kurse analfabetizmi janë rezultat i përpjekjeve të organizatave jo qeveritare greke të “mbrojtjes së të drejtave të njeriut”  të cilat janë në opozitë të plotë me politikën e ndjekur deri tani të qeverisë greke përsa i përket respektimit të të drejtave njerëzore dhe gjithmonë i kanë adresuar kritika të ashpra, pavarësisht se ligjet i nxjerr dhe zbaton qeveria, partia në pushtet!
“ I zoti e di se ku i pikon Çatia” E shkëputa këtë proverb të popullit tonë, për të vënë pikën mbi “i” dhe ta kuptojnë edha atë që nuk kanë dëshirë. Gjuha amtare kombëtare, është pasaporta e çdo kombi dhe shteti, është pasaporta e çdo qytetari, për ta dalluar nga të tjerët. Kur një individ nuk flet dhe përdor mirë gjuhën e tij amtare, ai individ le të mësoj të gjitha gjuhët e botës, por nuk mund ta quaj veten me kulturë, kur kulturën e tij, gjuhën e tij, indetitetin e tij nuk e njeh dhe e mohon atë nëpërmjet injorancës! E pra kur një njeri për kombin dhe familjen e tij është “askushi” nuk mundet kurrë që për të tjerët të bëhet “dikushi”! Është për të ardhur keq kur shikojmë, ndeshim për ditë emigrantë shqiptar, sidomos moshat e reja, të cilët nuk e flasin pastër dhe qartë gjuhën shqipe, pa lëre më tej që nuk dinë as alfabetin, as të shkruajnë dhe as të lexojnë. Nëpërmjet internetit sot, kemi mundësinë të biem në kontakte diskutimesh nëpërmjet faqes së njohur sociale dhe më të populluarës “Facebook”, ku shohim emigrantë shqiptar të cilët mundohen të komunikojnë me patriotët e tyre në gjuhën amtare por flasin dhe dinë një gjuhë të cunguar, me një gramatikë që nuk mësohet në asnjë shkollë e libër, por që e përdorin sot “emigrantët e fabrikuar” në qytetar europian!
E ç’mund të themi më tej për Historinë, Gjeografinë, Letërsinë? Këtë  e mësojnë dhe e përvetësojnë të indoktrinuar, të bastarduar, të zhvleftësuar, të mohuar më në fund nga tekstet e hartuara me frymën e njohur raciste dhe antishqiptare! Ky nuk është një problem rastësor i shkaktuar nga pakujdesia, varfëria, pamundësia, padituria, por është një fenomen i studiuar, i menduar, i dëshiruar i gjithë kundërshtarëve të mençur të gjuhës shqipe!  Ata, pra kundërshtari, është i mençur, sepse di si ta luftojë gjuhën shqipe; është i mundësuar dhe i zoti sepse e bën realitet kapriçon e tij; është dinak sepse kërkon të asimilojë të gjithë shqiptarët dhe ti kthejë në “stanin e tij”; por ne shqiptarët çfarë bëjmë? Ne shajmë e sulmojmë njëri tjetrin; nuk pranojmë asnjë të bëj qeveri po nuk ishim vetë atje; duam e nderojmë të huajt dhe shajmë e dënojmë vëllain tonë!
E gjithë kjo është pjellë e injorancës, është prapambetja jonë e madhe, është mohimi i gjuhës shqipe dhe mburrjet e lëvdatat në gjuhën e huaj. Që të tjerët të besojnë se emigranti shqiptar nuk “qahet” kotë së koti, i cili ka 23 vjet në Greqi dhe akoma ripërtëritë lejen e qëndrimit – 1-vjeçare me kushte të forta ekonomike dhe me para në dorë në shumën 150 euro!
Le të marrim disa shifra si shembull: – Në vitin 2004 në ishullin e Zakynthos ishin  afërsisht 21.696 të huaj, Nga të cilët 153 ishin të pa ligjshëm. (sipas statistikave të marra nga policia ato vite), nga këta 86% ishin shqiptar.  – Në vitin 2005 ishin afërsisht 23.732 të huaj, nga këta 138 ishin të pa ligjshëm, të cilët u deportuan, (shtojmë se deportime kishte vetëm për shqiptarët, mbasi ishin me kosto shumë të ulët). Vetëm për vitin 2007 ishin depozituar nga emigrantët shqiptarë 4841 kërkesa për leje qëndrimi nga të cilat u dhanë vetëm 2552. Këto shifra na tregojnë qartë se cili ka qënë qëllimi i “ndihmës dhe integrimit” të emigrantit kur në ditën e sotme në këtë ishull jetojnë vetëm 3334 emigrantë shqiptar. Me pak fjalë numri i emigrantëve ka ardhur duke u tkurrur nën presionin e vazhdueshëm të “kthimit në qytetarë asnjanës, as grek…as shqiptar”; sepse ju mohuan mësimin e gjuhës amtare por nuk i bënë shtetas me të drejta të barabarta, duke i lënë në mes të rrugës brezin e dytë dhe të tretë!