Buxhetimi i universiteteve, në bazë të performancës dhe cilësisë

55

Konferenca Kombëtare e Arsimit të Lartë/ Flasin Prof. Petrit Malaj, Rektori i Universitetit të Arteve dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule

Sot do të zhvillohet Konferenca Kombëtare e Arsimit të Lartë me temë “Reforma e financimit në arsimin e lartë”. Në këtë konferencë drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë do të japin propozimet dhe sugjerimet e tyre për financimin në arsimin e lartë. Ndërsa dihet tashmë se drafti për financimin e universiteteve do të bëhet sipas skemës anglosaksone, sipas së cilës lekët e dhëna nga qeveria do të shkojnë drejtpërsëdrejti te studentët dhe programet e studimit. Me reformën për arsimin e lartë do të merret një Komision i posaçëm, i përbërë nga ekspertë të fushës akademike, drejtuar nga Arjan Gjonça, profesor i asociuar. Ky komision, pas draftit të parë të reformës së arsimit, do të diskutojë me grupet akademike dhe grupet e interesit dhe më pas vjen kthimi këtij drafti në ligj. Sipas skemës së re të financimit, për të përfituar nga fondet publike, universitetet shtetërore dhe private duhet të përmbushin disa kushte, ku më i rëndësishmi është që të parat të shndërrohen në publike, ndërsa të dytat në jofitimprurëse. Gjithashtu, universitetet, si shtetërore edhe private, duhet të jenë të akredituara si dhe të plotësojnë kriterin e cilësisë.

I pyetur nga “Telegraf”, për reformën e financimit të universiteteve prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve, mendon se “bazimi në performancën e universiteteve do të ndikojë fuqishëm dhe se do të gjenden rrugët e duhura që Ministria e Arsimit dhe Sportit, apo qeveria shqiptare do të alokojë buxhetet e duhura në fund të fundit për universitetet shqiptare”. Ndërsa Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule thotë për “Telegraf” se “përdorimi i buxhetit nga universitetet do të parashikohet që të jetë sa më transparent dhe raportues, qoftë te publiku, qoftë te strukturat e shtetit, por gjithmonë në funksion të performancës dhe të cilësisë së produktit, cilësisë së autputit”.

Prof. Petrit Malaj: Reforma financiare, një hap i rëndësishëm për edukimin

Konferenca Kombëtare e Arsimit të Lartë do të zhvillohet për financimin e universiteteve dhe thelbin e kësaj reforme që do të iniciohet pikërisht duke u bazuar në performancën e universiteteve. Mendoj, se bazimi në performancën e universiteteve do të ndikojë fuqishëm dhe se do të gjenden rrugët e duhura që Ministria e Arsimit dhe Sportit, apo qeveria shqiptare do të alokojë buxhetet e duhura në fund të fundit për universitetet shqiptare. Reforma Financiare në Arsimin e Lartë në Shqipëri përbën një hap mjaft të rëndësishëm për një fizionomi të re të procesit të edukimit në shoqërinë shqiptare. Duke qenë se çështjet financiare vazhdojnë të jenë një nga elementët kyç të zhvillimit të institucioneve të arsimit të lartë publik, por edhe të arsimit të lartë privat, çdo ndërhyrje apo ndryshim në këtë aspekt, duhet të jetë i menduar mirë, me qëllim që jo vetëm të mos cenojë ecurinë normale të IAL-ve, por edhe ta nxisë e rrisë cilësisht atë. Strategjia mbi reformën financiare është e nevojshme t’i referohet një numri faktorësh që ndikojnë në vetë ekzistencën e institucioneve të arsimit të lartë, qoftë publik apo edhe privatë, duke tentuar drejt krijimit të modeleve referuese, të cilat do të mund të përcaktonin kriteret lidhur me financimin publik apo skemat e mundshme të këtij financimi. Performanca e IAL padyshim që përbën një koncept për t’u mbështetur në këtë reformë. Sigurisht, modelet do të duhej të krijonin hapësira për individualitete, në rastet kur këto individualitete kanë të bëjnë ngushtësisht me vetë qëllimin dhe funksionin e një IAL. Këto individualitete do të mund të përfshiheshin në skemën e financimit qoftë edhe si raste përjashtimore, apo raste me prioritet të veçantë.

Modeli më i mirë për Universitetin e Arteve

Universiteti i Arteve nga pikëpamja e organizimit të procesit mësimor metodik e krijues ndryshon nga universitetet e tjera për vetë specifikat që ka një shkollë arti. Universiteti i Arteve çdo vit pranon një numër të kufizuar studentësh, se në parim të pranimit të studentëve ne kemi cilësinë artistike të njohur si të tillë nga një komision artistik. Ky numër i vogël i studentëve ndikon drejtëpërsëdrejti në një moment shumë të rëndësishëm të funksionimit përsa i takon realizimit të të ardhurave nga tarifa e studimit. Një moment tjetër i rëndësishëm dhe që ndikon drejtëpërsëdrejti në financimin e shkollës është mënyra e organizimi të procesit metodik. E kjo ka koston e vet të madhe, po të llogarisim numrin e madh të orëve të mësimit që dalin si rezultat i këtij procesi. Po ashtu për vetë specifikën kemi organizime të punës në grupe të vogla studentësh. Po ashtu, një moment tjetër ka të bëjë me instrumentet apo laboratorët që kërkon procesi metodik e krijues. Duhet mbajtur parasysh, gjithashtu, niveli maksimal i tarifës, i cili për Universitetin e Arteve duhet të bëjë një diferencë të qartë me Institucionet e tjera. Gjithashtu, këtu duhet nënvizuar që kostoja e një studenti në këtë institucion është më e lartë, pothuaj 7-8 herë më e lartë, për këtë arsye edhe mbështetja financiare e shtetit për këtë institucion duhet të jetë më e diferencuar.

Prof. Dr. Dhori Kule: Domosdoshmëri, kontributi i studentit për përfitimin

Një problem i rëndësishëm për universitetet është problemi i financimit. Në konferencë secili universitet do të paraqesë vizionin e vet, përsa i përket mënyrës eficente të financimit të arsimit të lartë. Ne, si Universitet i Tiranës, do të japim variantin dhe projektin tonë që do ta paraqesim në Konferencë, ku do të ballafaqojmë edhe sugjerimet e universiteteve të tjera publike dhe jopublike, në mënyrë që të gjendet formati më efektiv, përsa i përket financimit të arsimit të lartë. Më vjen mirë, që edhe në këtë pikë ideja është që të merren mendimet e universiteteve. Ne i kemi parë mënyrën sesi financohen universitetet e mira në Europë dhe më gjerë. Pra, financimi  i universiteteve do të bëhet në bazë të performancës. Ne do të ftojmë në këtë diskutim të gjithë aktorët brenda universitetit, jo vetëm stafin pedagogjik, por edhe studentët, pasi duke qenë se arsimi i lartë është një e mirë publike, me përfitime nga individi, pavarësisht se ku e merr në publik, apo në privat, detyrimi për të kontribuar nga individi për këtë përfitim është domosdoshmëri. Pra, kontributi, sepse i arsimuari, ai që merr një diplomë të arsimit të lartë, në krahasim me dikë që nuk e ka këtë mundësi krijon një status tjetër në shoqëri, një mundësi për të ardhura më të mëdha dhe nga kjo pikëpamje, e gjithë situata i bën mirë në tërësi shoqërisë, por ka dhe një përfitim për veten dhe familjen e tij. Parimi kudo në botë është që ai duhet të jetë kontribues nga përfitimi që merr, ndaj dhe përdorimi i buxheteve kalon në struktura kolegjiale, ku janë dhe studentët, pra, kalojnë në Senat, në Këshillin e Administrimit dhe gjithçka merr propozimin edhe miratimin e këtyre strukturave kolegjiale. Megjithatë, përdorimi i buxhetit nga universitetet do të parashikohet që të jetë sa më transparent dhe raportues, qoftë te publiku, qoftë te strukturat e shtetit, por gjithmonë në funksion të performancës dhe të cilësisë së produktit, cilësisë së autputit. Ajo që është minimalisht e domosdoshme në institucionet publike të arsimit të lartë është domosdoshmëri pagesa e stafit të vet. Në universitete, në tre ciklet e studimit të tyre, për ato që kanë tre cikle studimi, kryhet një volum punë nga stafet pedagogjike, një volum i normuar, i matshëm dhe kjo punë me tarifat përkatëse që ka vendosur qeveria duhet të paguhet, pra ky është detyrim që shteti e ka ndaj punës në çdo ndërmarrje, në çdo institucion, në çdo sipërmarrje. Në universitete tona kemi një handikap nga kjo pikëpamje. Ky handikap duhet rregulluar dhe nga kjo pikëpamje do të duhet që vlerësimi i punës në të gjitha nivelet e veta, në të gjithë masën duhet të paguhet njësoj. Kjo ka dy mënyra; ose do të plotësohet e gjithë me staf akademik të brendshëm dhe rruga më korrekte është që, në bazë të volumit të punës, të paktën 80% të ngarkesës ta plotësosh me staf akademik, gjë që do të thotë që ne duhet të dyfishojmë stafin e brendshëm; ose për tejkalimet e ngarkesave me stafin e kualifikuar që ke, t’i vlerësosh tejkalimet njësoj sikurse paguhet pjesa e ngarkesës normale. Këto janë disa nga problemet, por skemën, se çfarë propozojmë dhe sugjerojmë për financimin në arsimin e lartë do ta paraqesim në Konferencë. Unë e vlerësoj si Rektor i Universitetit të Tiranës këtë iniciativë dhe besoj e shpresoj që aktet nënligjore dhe buxhetimi i universiteteve do të bëhet në funksion të performancës dhe cilësisë së autputit që ne realizojmë.