Brunilda Spiro: Reforma në arsim, jo si imitim, por në respekt të kushteve dhe arritjeve të shkollës sonë

571
Duke e përjetuar situatën në arsim nga brenda dhe jashtë, si mësuese dhe si qytetare, jam e shqetësuar pafundësisht të kuptoj se çfarë po ndodh me pjesën më të rëndësishme, atë të ndriçimit mendor dhe shpirtëror të një kombi, me arsimin. Diku në një libër filozofik të mirëfilltë kam lexuar që intuita me racionalizmin duhet të jenë në të njëjtin hap kur analizojmë dhe argumentojmë një çështje, pasi vërtet duhet të bindim veten apo të tjerët me fakte reale, por nuk duhet të mohojmë që, ndonjëherë në kuptimin apo në njohjen e situatave të ndërlikuara, rol të rëndësishëm luajnë ndjenjat dhe intuita jonë, e cila përbën anën subjektive. Ne jemi trup dhe shpirt, vetëdije dhe nënvetëdije dhe nuk mund ekzistojmë pa këtë dualitet, madje as mund të njohim veten dhe të tjerët vetëm me njërën nga aftësi tonën. Kështu që ne, jam e bindur, e dimë dhe ndjejmë se çfarë po bën një këshilltar ose ambicia e disa këshilltarëve, për të sjellë përvoja dhe reforma, të cilat për një arsye apo një tjetër kanë patur sukses në vendet e origjinës nga ku po merren. Bëhen kështu si rrjedhim reforma mbi reforma, të cilat shoqërohen me frikën e natyrshme që, nëse ndrrohet qeveria, do të ndryshojnë edhe reformat, sepse kështu edhe ka ndodhur. Ende pa u mësuar mirë me një ndryshim, le ta quajmë reformë, do të na duhet të nisim e të mësojmë tjetrën, duke u krijuar në këtë mënyrë një rreth i mbyllur ose një rrugë qorre si shumicat e rrugicave të kryeqytetit tonë, që nuk të nxjerrin asnjëherë në rrugën kryesore. Mos ndoshta është ky qëllimi, që të jemi të detyruar të kthehemi aty ku u nisëm, për të shpërdoruar energjitë tona, forcën ndërtuese dhe rregulluese, pse jo dhe destruktive?! Një psikolog i njohur në vendin tonë dhe sot këshilltar i kryeministrit në një libër me ese, madje edhe në shkrimet e tij në rrjete sociale apo artikuj gazetash ka sjellë shpesh shembuj se çfarë kanë bërë pushtetarët e të gjitha kohërave, duke nisur që nga Egjypti i lashtë e deri në kohrat moderne, për të qetësuar forcat e kundërshtuese, të errëta, destruktive, kërcënuese për ta që lindin në shpirtin dhe mendjen e popujve të tyre. Ja cfarë shkruan në një prej këtyre shkrimeve, (nuk po e specifikoj në cilin, për disa arsye): “Përse i donte faraoni piramidat gjigande?…Nga njëra anë i duheshin të ruante të fshehtë sekretin e mbajtjes së pushtetit. Ai nuk mund t’iu thoshte, se puna e stërmundimshme nuk është gjë tjetër veçse një mjet pa asnjë qëllim tjetër, vecse t’i lodhte. Qëllimi i angazhimit, i detyrimit me punë ishte dhe është pikërisht lodhja…Ajo lodhja do t’i bënte njerëzit të jenë të qetë, të shtruar, të bindur, qytetarë të urtë…”
E njëjta mendësi duket se i vendos mësuesit në pozita pune ku qëllimi duket se është lodhja dhe pasojat e pritshme kësaj në kthimin e tyre në punëtorë të bindur, të depersonalizuar. Mësuesit po preken më shumë nga psikologji dhe ambicieje të sëmura. Mos duhet parë më me maturi “Reforma”, dhe elemente të saj, të cilat janë kopjuar diku në Hollandë, Britani, Zvicër, nga specialistë të rinj, ndoshta edhe të suksesshëm, madje të arsimuar në perëndim, që po adaptohen në arsimin tonë dhe trumbetohen si arritjet më të mëdha?! Jam shumë dakord me reformat e edukimit që do na njihnin me problemet jetike të lëna në errësirë nga copëzimi disiplinar, por para se të sillet një reformë edukimi, duhet të kihen parasysh kushtet ekonomike dhe sociale të vendit tonë. Nuk mjafton vetëm dëshira, e cila mund të jetë e madhe, por nëse është e pamenduar mirë ajo do të rezultojë utopike. Duke u nisur nga historia e të gjitha kohërave dhe vendeve, kemi mësuar që arti dhe kultura janë të kushtëzuara nga kushtet ekonomike shoqërore dhe sociale. Ne nuk kemi kushtet e shkollave nga të cilat kopjohen risitë, madje jemi vite larg tyre. E para, në shkollat tona të sistemit parauniversitar, në disa prej tyre, që janë quajtur shkolla pilot, mendohet të aplikohet mësimi me tableta dhe më pas të vazhdojë të futet në të gjitha shkollat e vendit. Më vjen keq që ju zhgënjej me të vërtetën, juve reformatorëve ambiciozë, por nxënësve as në shkollat pilot nuk iu jepen tabletat. Ja ta diskutojmë së bashku hapur: – Si mund t’u japësh tabletat kur nxënësit tanë prishin bankat dhe karriget prej druri, 
hedhin ku të munden qeset e patatinave apo kruasanëve dhe kur ju kërkon llogari, të shohin me cudi? Mendoni një çast si ata! Nuk janë thjesht të papërgjigjshëm, por kanë humbur besimin dhe shpresën, kanë humbur sigurinë te prindërit, te ne, te ju. – Si mund t’u japësh tabletat në ditët e pasdites së dhjetorit kur duart iu kanë ngrirë nga të ftohtit? -A mundet ata të mësojnë dhe sillen si nxënësit zviceranë apo hollandezë, kur u mungojnë kushtet më optimale? E dyta, sistemi më i ri i vlerësimit të nxënësve është vlerësimi çdo tre muaj, që po aplikohet fillimisht në klasat e 10-ta të sistemit parauniversitar. Nxënësit do vlerësohen në fletoret regjistër me gojë sipas niveleve dhe jo në regjistrin zyrtar, gjithashtu do vlerësohen me dosjet e tyre të cilat do përmbajnë katër detyra dhe me testet permbledhëse në fund të cdo tremujori. Kam shumë të drejtë kur ju them, që reformat bëhen në përshtatje me kushtet ekonomike. Pse ju, që menduat për fletoret regjistër, nuk menduat që në shkollat tona edhe kur ka një printër dhe fotokopje, nuk ka letër dhe bojë? Kërkoni që regjistrin jozyrtar ta dorëzojmë në fund të tremujorit në drejtori. Përse jemi të detyruar ta dorëzojmë, kur çdo tre muaj e bejmë vetë dhe e printojmë vetë? Çdo tre muaj printojme për 6 deri 7 klasa regjistër me 7 deri 8 faqe. Mos flasim pastaj, për planet dhe statistikat në fillim dhe fund viti…Po për nxënësit keni menduar, që për çdo dosje apo detyrë në aq lëndë,ka një kosto? I shoh sa keq ndihen nxënësit kur duhet të paguajnë 10 lekë të reja për një test, që ne i kemi printuar te fotokopja pranë shkollës. Akoma më keq ndihemi ne, që jemi të detyruar t’ua kërkojmë, por nuk mund t’a paguajmë ne, sepse janë aq shumë klasa dhe nxënës dhe rroga jonë mezi na del për muajin. Ju u shtuat edhe dosjet me kosto… E treta dhe më e rëndësishmja, dakord të anashkalojmë koston materiale dhe sakrificat, gjë që nuk është e drejtë dhe etike, por ju nuk keni llogaritur kohën që i duhet mësuesit që të realizojë këto regjistra dhe statistika pa fund dhe anë, të cilat vijnë çdo ditë. Kostoja tani nuk është materiale, por rëndon mbi cilësinë e mësimdhënies. Shoh koleget e mia çdo ditë në tryezën e sallës së mësuesve si sillen, vështroj me kujdes duart dhe sytë e tyre. Duart e tyre dridhen lehtë nga stresi dhe sytë i kanë të përhumbur në mendime. Janë në stres të vazhdueshëm, por jo për orën e mësimit, por për realizimin e statistikave drejt, pa gabime dhe në ditën e caktuar, ndryshe do quhen të paafta ose më keq, të papërgjegjshme. Disa prej tyre, ato të “aftat” shpesh i bëjnë në orën e mësimit statistikat apo regjistrat dhe kostoja siç e kuptoni rritet, duke minuar reformat në thelbin e tyre. Ato që bëjnë orën e mësimit në mënyrë të rregullt i marrin punët me vete në shtëpi dhe stresi tashmë mbartet edhe në familjet e tyre. Ja pra përshkallëzimi i humbjes vazhdon, kostoja rritet dhe përfundimi është për të qarë hallin. Mësues dhe nxënës të stresuar dhe të ngarkuar në punë jashtë çdo norme profesionale, familje të palumtura dhe mes sherrit, që sjell mbartja e stresit në shtëpi, si nga nxënësit edhe nga mësuesit. Nga rishikimi i argumenteve del natyrshëm konkluzioni, se kosto të tilla materiale dhe shoqërore sjellin vetëm reformat e pastudiuara mirë, të nxituara dhe të këshilluara nga njerëz pa përvojë në arsimin tonë ose njerëz që mendojnë, se puna me tepëri çart mendjet dhe i largon nga politika. Nga ana tjetër këshilltarët dhe ambiciozët për lavdi e arrijnë shpërblimin, pasi kanë vënë në punë mësuesit, duke i “qetësuar” dhe përhumbur në stres dhe kosto materiale dhe shpirtërore. Politika, kjo ujkonjë që po na ha trupin dhe shpirtin, pa u dukur patetike, ka minuar pa kthim dhe ka rritur koston e të gjithëve ne. Forcat e errëta dhe anonime mbase marrin një emër, por nëse ne do mbetemi anonimë në njohjen e tanatosit (inatin agresiv të natyrshëm brenda qenies njerëzore) kryesor, ato do na përçajnë në të djathtë dhe në të majtë, duke arritur qëllimin e tyre, të jemi pa zë dhe anonimë. Grupet dhe klanet edhe mes mësuesve po shkatërrojnë dëshirën që çdo mësues duhet të ketë parësore, mësimdhënien dhe dashurinë për dijen.
Sigal