Bita: Çfarë duhet të dinë maturantët për provimin e matematikës?

673
Profesorin Ksenofon Bita e takuam në qytetin e Vlorës këto ditë, kur në prag të provimeve të maturës shtetërore, u sjell maturantëve “biblën” e rezultateve pozitive në këtë provim me librin e tij të tretë “Matematika për maturantët – ushtrime dhe probleme të zgjidhura”, libër ky që vjen pas dy botimeve të mëparshme voluminoze “Matematika për gjimnazistët – ushtrime dhe problema të zgjidhura” dhe “Integrali për shkollat e mesme – ushtrime dhe problema të zgjidhura”. Profesor Ksenofon Bita është një intelektual erudit i njohur në Vlorë, e më gjerë në botën akademike dhe arsimore, me një përvojë 35-vjeçare si profesor matematike në gjimnazet e Vlorës dhe në universitetin “Ismail Qemali” në këtë qytet. Gjatë viteve të punës është dalluar për përgatitje të lartë shkencore e metodike, për korrektësi e seriozitet në punë, shumë i vlerësuar nga nxënësit, prindërit dhe institucionet shkencore. Botimi i librave të sipërpërmendur kanë sjellë shumë ndihmë dhe vlera për nxënësit dhe mësuesit e matematikës, dhe kjo është reflektuar në konkretizimin e fitimit të vendeve të para nga nxënësit e tij në olimpiadat e matematikës të zhvilluara në shkallë rrethi, vendi dhe më gjerë. Ka drejtuar kualifikimin e mësuesve të matematikës të rrethit të Vlorës, si dhe ka marrë pjesë në përgatitjen e altertekstit pranë MASH-it. Kudo pamë se gëzonte respekt të madh në mjediset e punës dhe ato qytetare të Vlorës. Me profesor Bitën zhvilluam këtë bisedë ekskluzive për lexuesit e gazetës “Telegraf” dhe në veçanti për lexuesit tanë maturantë, që janë në prag të provimeve.
Profesor, përshëndetje! Sapo keni hedhur në qarkullim librin tuaj të tretë me problema dhe ushtrime të zgjidhura “Matematika për maturantët”, që në vetvete duket se është vazhdim i dy vëllimeve të para, botuar nga ju. Çfarë përmbajnë në vetvete këta libra dhe cila është ndihma që ofron për maturantët dhe mësuesit në provimet e matematikës?
Mendoj dhe jam përpjekur që në librin e parë jashtëshkollor “Matematika për gjimnazistët” të sjell atë çka u duhet gjimnazistëve për matematikën. Në librin e dytë, “Integrali për shkollat e mesme – ushtrime të zgjidhura” plotësohen më mirë dëshirat, kërkesat dhe interesat e maturantëve. Janë vendosur të zgjidhura të gjitha testet e provimeve të maturës shtetërore për gjimnazin të viteve 2009-2011. Të gjitha këto janë në përputhje të plotë me programin e ri të Maturës Shtetërore. Nxënësit duhet t’i fiksojnë mirë ushtrimet dhe problemet. Kurrë nuk duhen parë direkt të zgjidhura, sepse përfitimi nga kjo është në nivelin zero, por pasi të kenë punuar vetë dhe të kenë shfletuar teorinë përkatëse. Pastaj të merret zgjidhja e gatshme duke nxjerrë edhe konkluzionet se çfarë teorie duhet të përvetësonte e çfarë metode duhet të zotëronte. Ndërsa në librin e tretë, i cili është vazhdim, plotësim, zgjerim dhe thellim i librit të parë, vijnë kryesisht ushtrime dhe problema të matematikës së avancuar, por procedohet me të njëjtën metodikë, duke dhënë disa njohuri teorike për çdo kapitull, konçize e tepër të domosdoshme, dhe më vonë një grup ushtrimesh të shkallëzuara, ku çdo nxënës, sipas nivelit, të gjejë vetveten. Rezultatet e provimit të matematikës së maturës shtetërore janë bërë shpesh objekt i analizave në organet eprore të arsimit, dhe shqetësim i madh për maturantët dhe familjet e tyre. Matematika e gjimnazit mbaron me provimin e maturës shtetërore, aq formues e aq përcaktues për vijueshmërinë e çdo maturanti. Zhvillimi i provimit të maturës shtetërore në matematikë është kurorëzimi me sukses i punës 3-vjeçare të një brezi të tërë maturantësh dhe i mësuesve të tyre që zhvillojnë lëndën e matematikës ndër vite. Të fiksohet mirë tek maturantët se në provimet e maturës shtetërore jepet gjithë lënda e gjimnazit. Puna sistematike gjithëvjetore, këmbëngulja në përballimin e vështirësive që ndeshen gjatë rrugës, formimi i mirë teorik dhe zbatimi i saj korrekt në ushtrime e problema, bëjnë që provimi të përfundojë me sukses. Gjatë semestrit të parë të maturës, për të përvetësuar mirë çdo temë të zhvilluar, duhet t’i paraprijë asaj dhe përsëritja e njohurive nga vitet paraardhëse që shërbejnë për temën e ditës. Gjatë semestrit të dytë, jo vetëm që duhet të përvetësohet mirë çdo temë e zhvilluar, por duhet që çdo orë matematike të ketë një temë nga përsëritja e të gjitha viteve të mëparshme, teori e ushtrime. Dy muajt e fundit të klasës së 12-të, duhet punuar vetëm me përsëritjen e tre viteve ku të predominojë praktika, pra zgjidhja e ushtrimeve e problemeve, në formë testesh me alternativa dhe më shumë ushtrime me zhvillime të plota. Tek rezultatet e nxënësve në provimin e matematikës, çdo mësues matematike duhet të nxjerrë konkluzione e detyra për punën e tij 3-vjeçare me nxënësit.
Në ç’kuptim duhet marrë kjo për mësuesit?
Puna e diferencuar me nxënësit është një nga kërkesat e domosdoshme të procesit mësimor dhe shumë frutdhënëse. Puna e diferencuar është e gjithanshme, por është mirë të përqendrohet në ato të zhvilluara nëpërmjet punës së pavarur, sasinë dhe llojet e të cilave i kemi të kushtëzuara jo vetëm nga kërkesa lëndore në program të matematikës, por edhe nga synimet e afërta e të largëta të përgatitjes së nxënësve bazuar në aftësitë e tyre. Puna e diferencuar me detyra të pavarura duhet të praktikohet brenda orës së mësimit dhe jashtë saj, duke i parë të parat si parapërgatitje për të dytat, ndërsa këto të fundit si vazhdim dhe thellim i të parave. Në orët e mësimit duhet të punohet me të gjitha kategoritë e nxënësve, që puna individuale të ketë rezultat. Duhet të bëhet pjesë përbërëse e procesit mësimor si dhe e punës së mësuesit. Detyrat apo punët e pavarura duhet të realizojnë jo vetëm synimet mësimore të ditës, por edhe ato të së ardhmes. Që të arrihen këto, duhet mund e lodhje, por në shkencë duhet guxim, punë, durim dhe vendosmëri e madhe.
Çfarë duhet pasur parasysh për përballimin me sukses të provimeve, më konkretisht?
Në përgjigje të kësaj pyetje, unë do të jepja këto porosi: Të jetë sistematik për çdo orë matematike dhe të ketë angazhim maksimal dhe përgatitje serioze për të. Gjatë përgatitjes për orën e matematikës për teori dhe ushtrime më përpara, të punojë në fleta që i përdor për shënime. Në tavolinën e punës të ndodhen edhe librat e matematikës së tre viteve të mëparshme! Të zhvillojë gjithnjë e në mënyrë të plotë detyrat e shtëpisë, që është një tregues serioz në përvetësimin e njohurive teorike, si dhe zhvillimi i shprehive dhe shkathtësive praktike, aktivizimi më i madh në orën e mësimit, sidomos gjatë shpjegimit të lëndës së re, sepse kjo synon në: a) vëmendje gjatë gjithë orës së mësimit; b) përvetësim më të plotë të temës së ditës; c) rritje të besimit në forcat e tua; d) bërjen optimist në kapërcimin e vështirësive. Këto synime kanë të bëjnë me moton e shkollës franceze të orës së mësimit: 1-Nxënësi punon, mësuesi drejton; 2-Gjithë ora e mësimit është shpjegim, e gjithë ora kontroll. Çdo maturant në tavolinën e punës, përveç teksteve të viteve të mëparshme dhe librat jashtëshkollorë të lartpërmendur, duhet të kenë edhe librin “Ushtrime dhe problema për maturën” me autorë E. Lulja dhe N. Babamusta, pasi iu vlejnë dhe ua lehtësojnë jashtëzakonisht punën studimore.
Si arrihet formimi matematikor i nxënësit?
Kjo kërkon thellim të mëtejshëm të punës së mësuesit të matematikës. Këta duhet të jenë shumë egzigjent për punën e tyre, në lartësinë e detyrave të kohës dhe në ndjenjën e përgjegjësisë që ka lënda e matematikës, aq e rëndësishme e aq shumë formuese për nxënësin. Planifikimi dhe realizimi i saktë që duhet të bëjnë mësuesit në orën e mësimit është një nga faktorët kryesorë që ndikon në një përvetësim logjik e të qëndrueshëm të njohurive. Mësuesit duhet të jenë racionalë dhe të mos e mbingarkojnë nxënësin. Mësuesi nuk duhet të jetë thjesht një organizator automat, por një pjesëmarrës aktiv, duke i dhënë tonin e drejtimin gjithë klasës. Aktivizimi i nxënësit në çdo etapë të orës së mësimit duhet të jetë primare për mësuesit. Për ngritjen e mëtejshme të cilësisë së punës mësimore, kërkohet që mësuesi të njohë mirë efektivitetin dhe rendimentin konkret të punës së tij. Duhet të bëhet normë për të gjithë mësuesit e matematikës përcaktimi i saktë i efektivitetit dhe rendimentit të çdo ore mësimi, për çdo kapitull, për çdo vit mësimor dhe për çdo tre vjet. Dhe për këtë më shumë se kushdo tjetër e tregon provimi i matematikës i maturës shtetërore. Nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të operohet vetëm me tregues sasiorë e globalë, siç janë kalueshmëria dhe nota mesatare, por me konceptet që zotërohen dhe me tregues që japin formimin matematik të nxënësve. Duhet të bëhet e natyrshme në punën e përditshme të mësuesit, të komisioneve lëndore dhe drejtorive të shkollave me tregues të tillë. Kjo kërkesë nuk është luks, por domosdoshmëri.
Dhe së fundmi, i nderuar profesor, një mesazh për maturantët në prag të provimeve?
Faleminderit për këtë mundësi! Mbyllja me sukses e provimit të matematikës në maturën shtetërore është një premisë shumë e mirë për të përballuar me sukses shkollën e lartë, ku zhvillohet matematika. Matematika ju duket si lëndë e vështirë, por tek vështirësia e saj qëndron edhe bukuria e lëndës. Po të zbatoni me përpikmëri porositë e mësipërme, matematika do t’ju duket lënda më e lehtë dhe më e dashur. Puna dhe vetëm puna sistematike ju çon në sukses. Dhe, në fund të këtij mesazhi dua t’iu drejtohem edhe kolegëve të mi, mësuesve të matematikës në veçanti: “Duhet të dini të fiksoni mirë, se mësuesia është pasion dhe mision”, pra çdo mësues duhet të dojë dhe të zotërojë mirë lëndën që jep, se ka një mision para brezit të ri dhe shoqërisë, që t’i mësojë dhe t’i edukojë mirë nxënësit e tij. 
Agron Mema
Sigal