Besnik Nallbani/ Shkolla pret më shumë ndryshime, sesa konstatime të abuzivizmit

473
Sigal

*Ish -shef i burimeve njerëzore të DAR -Tiranë

Para disa ditësh ministrja e arsimit u shfaq në mediat televizive me një regjistër në dore,ku kishte evidentuar shkelje të rënda në një shkollë të Pogradecit. Nuk do të doja të besoja që qëllimi i ministres lidhet me ndonjë “shou televiziv”, sesa me influencën e profesionit të saj të mësueses dhe drejtores së shkollës së para disa viteve,megjithëse, duhet thënë se është rasti i parë që një ministre Arsimi kontrollon regjistrat e shkollës. Ndoshta shkelja  ishte aq skandaloze, saqë edhe ia vlente që këtë rast, ministrja ta bënte drejtpërsëdrejti publik.

Secili ka të drejtë të bëjë komente me këndvështrime të ndryshme  për këtë ndodhi,por ndërkohë shtrojmë disa pyetje :
-A kemi të bëjmë me inefiçente të drejtorive Arsimore që e kanë lënë gjendjen të katandiset deri këtu e për më tepër, ku në krye të tyre në të gjitha rrethet janë përzgjedhur drejtues të rinj të këtyre institucioneve?
-A kemi të bëjmë me abuzime të drejtorisë dhe mësuesve të shkollës që në rastin konkret marrin formën e plotë të falsifikimeve të dokumentacionit shkollor dhe dënohen penalisht ?!
-A mund të jetë ky një rast i veçuar dhe unikal, kur gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar shkelje të të gjitha formave ?
Në të gjitha këto raste apo raste të ngjashme me ‘to mos përsëri duhet t’i hidhet faji qeverisë së mëparshme, kur edhe për 3-4 muaj mbaron shkolla  dhe kur vetë qeveria e re e filloi punën paralelisht me fillimin e këtij viti shkollor ?!
Mendoj se, tani, për çdo abuzim që vërehet në institucionet shkollore kanë  përgjegjësi të plotë e të pandashme organet kompetente, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe institucionet vartëse të saj. Ndërsa publiku u njoh me konstatimin e shkeljeve flagrante nga vetë ministrja, padyshim, priste masat përkatëse administrative ndaj shkelësve të ligjit dhe rregullores së shkollës, gjë që, deri tani nuk është bërë ende e njohur. Një kontroll i pashoqëruar me masat përkatëse për ndryshimin e gjendjes do të ishte pa asnjë vlerë dhe do të kthehej qëllim në vetvete, prandaj dhe masat konkrete  do të ishin më me interes për opinionin  e gjerë publik dhe për më shumë për komunitetin  e arsimit. Gjatë gjithë viteve në opozitë janë evidentuar dhe bërë publike shumë probleme abuzive në shkolla e universitete e që lidheshin kryesisht me drejtuesit  e këtyre institucioneve, duke premtuar që ndaj tyre do të merreshim masa të menjëhershme, kështu që nuk besoj  të çuditet njerí nga ky konstatim, përkundrazi opinioni i gjerë çuditet nga pasiviteti dhe avashllëku i Ministrisë së Arsimit për zbatimin e reformave të proklamuara në programet e saj në tërësi dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në veçanti. Gjatë këtyre viteve, publiku ka dëgjuar dhe parë shkelje edhe më të rënda, duke i denoncuar ato edhe në media të ndryshme, ndërkohë që, qeveria e mëparshme mbyllte njërin vesh e tjetrin sy, por mendojmë se sot duhet të kishim një qasje tjetër ndaj shkeljeve  të çfarëdo lloji qofshin këto. Këtu nuk është fjala vetëm për rastin e abuzimeve, por për një drejtim më cilësor të shkollës me njerëz profesionistë. Drejtuesit e shkollave nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil, që ndoshta kërkon një sërë procedurash për lëvizjen dhe zëvendësimin e atyre që nuk i përgjigjen kërkesave të  institucioneve në zbatim të ligjeve dhe urdhëresave. Një drejtues shkolle i paaftë mund të jetë i aftë për mësues dhe anasjelltas, një mësues i pasionuar  mund ta bëjë shumë mirë punën e drejtuesit, e për më tepër kur nuk janë të pakët edhe mjaft  ish- drejtues me shumë përvojë dhe të suksesshëm që u shkarkuan pa asnjë motiv apo thjesht për t’u zëvendësuar me militantët e partisë që mori pushtetin e që çuditërisht ende vazhdojnë të jenë të papunë! Pikërisht kjo e fundit është për t’u çuditur, sesa shkeljet e konstatuara nga ministrja me të cilat deri tani publiku është mbingopur. Nuk ka pse të konsiderohen këto raste shpërdorimesh  si “hedhje në rrugë ” e abuzuesve, siç trajtohet shpesh opozita e sotme. Ndoshta kjo e fundit, pra “frika” nga sulmet politike i ka pushtuar organet e arsimit  t’i zvarrisin  problemet që lidhen me një menaxhim më efektiv të burimeve njerëzore, duke dëmtuar në këtë rast institucionet shkollore dhe shoqërinë në tërësi. Reformat, veçanërisht ato në fushën e arsimit, kërkojnë guxim dhe zhdërvjelltësi, pasi ato janë të ndjeshme nga mbarë opinioni, i cili tani për tani është i mbingopur vetëm me procedura konkursesh, të cilat ende nuk dihen se kur do të mbarojnë, e sipas gjasave, ndoshta, pasi të ketë mbaruar shkolla. Duke punuar për një kohë të gjatë në fushën e arsimit, ashtu sikundërse shumë të tjerë, nuk do të doja kurrë që këto probleme të lidheshin me “revanshe politike”‘ siç dhe u bënë disa vite më parë, por nuk do të pajtohesha njëkohësisht me këtë plogështi, për të mos e thënë “frikë” që po tregohet deri tani në sferën e arsimit parauniversitar. Duke përmendur shprehjen “fillimi i mbarë është gjysma e punës”,mendoj se deri tani nuk është arritur “gjysma e punës”, pra si rrjedhojë nuk kemi të bëjmë me një “fillim të mbarë”. Por të paktën do të shpresoja që kjo kohë e humbur të rikuperohet sa më shpejt,para se të “fillojë vapa” dhe pushimet verore.