Besnik NALLBANI/ Në thellim të reformës në sistemin e arsimit

160

 Larg filozofisë “Mjaft hëngrën këta…tani e kemi radhën ne…”

*Ish -shef i Burimeve Njerëzore pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë

Si në të gjithë  fushat, ku reformat kanë filluar, edhe në sistemin e arsimit janë bërë disa hapa,që deri tani janë finalizuar me përzgjedhjen e drejtorëve të Drejtorive Arsimore të rretheve  të vendit. Padyshim që kjo është hapi i parë dhe që duhet pasuar me hapa shumë më të shpejta  për reformimin e Drejtorive Arsimore si dhe reformimin e drejtimit të shkollave në bazë.
Sipas mendimit të një pjese të gjerë të opinionit dhe veçanërisht atij pedagogjik  shihet një stepje dhe avashllëk, që në gjuhën popullore edhe mund të thuhet “punët e mira bëhen ngadalë – ngadalë”, por sistemi i arsimit ka një specifikë të veçantë,çdo avashllëk ka pasoja të ndjeshme në shkollë dhe rëndon mbi qeniet më të pafajshme – fëmijët dhe nxënësit,të cilët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë ” borxhe te prapambetura” nga qeveritë dhe për më tepër  kur këto borxhe i paguan shoqëria në tërësi  dhe ku  vlerat monetare të tyre nuk maten me shifra konkrete,por gjithsesi janë shumë më të konsiderueshme dhe të  parikuperueshme për shoqërinë  dhe të ardhmen e vendit. Deri tani opinioni i gjerë  po njihet nëpërmjet mediave vetëm me abuzimet dhe dëmet financiare në fusha të ndryshme dhe shumë pak apo aspak me dëmet në fushën e arsimit. Nëse një faturë financiare mund të zhdëmtohet, dëmet në lëmin a arsimit kanë pasoja shumë më afatgjata dhe shpesh i kalojnë përmasat e këtyre faturave.
E vërteta është se sot kuadri drejtues në shkolla  apo mësuesit e emëruar  jashtë kritereve janë në ankthin e  pritjes  së ndryshimeve të paralajmëruara qysh gjatë fushatës elektorale,ku është shprehur qartë  që në drejtimin e shkollave nuk do të jenë më ata drejtues që si kriter për vlerësimin e punës së tyre kishin mbushjen e shesheve për mitingjet e forcës politike në pushtet dhe kjo nuk lidhet  kurrsesi me të ashtuquajturën “ hakmarrje politike”, siç po përdoret sot nga opozita, përkundrazi kjo lidhet me abuzimin në detyrë  dhe thyerjen flagrante të ligjit të arsimit për depolitizimin e shkollës,dhe që nga ana tjetër  për  rastin konkret nuk përligj asnjë lloj avashllëku nga organi kompetent që i ka në nomenklaturë. Duke  ndjerë peshën e fajësisë së tyre këta drejtues e kanë  të vështire,madje të pamundur të drejtojnë me optimizëm shkollat dhe të jenë në pararojë të reformave në fushën e arsimit. Psikologjia e ndryshimit është një nga elementët më të rëndësishëm të drejtimit të shkollës,gjë kjo që është e vështirë t’u besohet kësaj kategorie drejtuesish që kanë shkelur ligjin “në mes të ditës me diell”,apo janë emëruar thjesht mbi kritere partiake.
Filozofia mbizotëruese e emërimeve të  drejtuesve të shkollave pas vitit 2005 ishte : “Mjaft hëngrën këta…tani e kemi radhën ne..” ,pra drejtimi i shkollës filloi të bastardohej dhe konsiderohej si një vend përfitimi, “ngrënieje…” ,më pas filloi xhelozia se  ” kush e kush të hante më shumë…” aq sa u detyruan që për “llupësit  e pangopur” të merreshin sanksione deri në lërime nga detyra, duke filluar qysh nga drejtuesja kryesore e burimeve njerëzore të Drejtorisë Arsimore të Tiranës e deri tek drejtuesit e shkollave. Lufta brenda llojit arriti deri aty sa brenda një periudhe 2-3 vjeçare në një nga shkollat e kryeqytetit u ndërruan 5 drejtorë radhazi jashtë çdo kriteri e konceptimi pedagogjik për drejtimin e shkollës. Në shumë shkolla të kryeqytetit nuk merrej vesh se kush ishte drejtori i radhës,kush drejtor e fillonte dhe kush e mbaronte vitin shkollor.  Gjatë vitit 2004-2005 Drejtoria Arsimore shkarkoi vetëm 2 drejtorë te shkollave të mesme edhe pse i përkisnin krahut të majtë mbi bazën e dobësive që u konstatuan në shkollat ku drejtonin,ndërsa ne vitet 2005-2006 u shkarkuan pothuajse te gjithë drejtuesit ( drejtorë e zv.drejtorë)  dhe u zëvendësuan mbi bazën e listave që vinin nga selia e partisë në pushtet. Përpara vitit 2005 në Drejtorinë Arsimore të Tiranës punonin si inspektorë 6 punonjës te deklaruar si të krahut të djathtë,ndonjëri prej të cilëve edhe me detyra funksionale në komisionet e arsimit pranë Partisë Demokratike,ndërsa pas viteve 2005 kjo do te përbënte herezi nëse do te ndodhte,siç e kam shprehur edhe në një artikull disa kohë më parë.
Para disa ditësh ndoqa me vëmendje një emision me ministren e arsimit znj.Lindita Nikolla,ku ndër të tjera ajo shprehu se ndër ditët më të trishtuara të jetës së saj ishte pushimi pa asnjë shkak nga detyra e drejtoreshës së gjimnazit “Sinan Tafaj”,apo më saktë vetëm për  “shkakun” se votonte  majtas.
Po a e di znj.ministre se të njëjtin fat patën pothuajse të gjithë drejtuesit e shkollave të mesme dhe 9 vjeçare të Tiranës dhe të Shqipërisë  dhe akoma më keq kur një pjesë e tyre ende sot janë pa punë ?!…Mos vallë këta duhet të rrinë prapa dyerve të Ministrisë apo të Drejtorive Arsimore që të kujtohet njeri ?…
Mendoj se do të ishte në dinjitetin e shtetit që këta njerëz të pafajshëm (apo të fajësuar si dhe vetë ministrja për shkak të bindjeve të majta) të mos rrinë prapa dyerve,por të vlerësohen për kontributet e tyre dhe t’u jepet vendi që u takon,sigurisht sipas kritereve dhe procedurave në fuqi,por të paktën të kujtohen dhe respektohen… Sigurisht përsa më lart nuk mund të fajësohet drejtpërsëdrejti drejtoresha e re e Drejtorisë Arsimore të Tiranës,e cila nga vetë  pozicioni i deritanishëm si mësuese në një nga gjimnazet e Tiranës nuk ka informacionin e plotë për këta ish drejtues,një pjesë e të cilëve ishin me shumë përvojë e arritje në shkollat që drejtonin,por mendoj se nuk është e vështire të bëhet një evidentim i saktë i asaj që ka ndodhur pa të drejtë gjatë këtyre viteve dhe drejtësia të vihet në vendin e vet. Këtu nuk është fjala për të sistemuar e rregulluar disa njerëz,por kryesorja është për të rregulluar shkollën,apo për të rikuperuar dëmet jo të vogla që iu bënë shkollës gjatë këtyre viteve. Duke mos dashur ta personalizoj problemin (pasi nuk kam asnjë interes personal ) e shoh të pavend që të mos thirret në një këshill konsultativ asnjë nga punonjësit e shkarkuar të Drejtorisë Arsimore gjatë  viteve  2005-2006 si  dhe mjaft punonjës të tjerë që punuan me devotshmëri në ato vite tepër të vështira pas  1997-s , ku gjendja e arsimit ishte shumë më e rëndë sesa sot dhe ku këta njerëz u përkushtuan  dhe brenda disa viteve normalizuan dhe patën një sërë arritjesh pozitive, që fatkeqësisht një pjesë jo e vogël e të cilave u rrënuan nga pasardhësit që i zëvendësuan .
Duke dashur të jap një opinion timin për punën e deritanishme në sferën e arsimit,ku kam punuar gjithë kohën  dhe ndjej një nostalgji të veçantë si  ish punonjës i kësaj fushe,e shoh si detyrim qytetar për të kontribuar sado pak me shpresë se arsimi,si çështje prioritare e çdo shoqërie duhet të jetë promotor i të gjitha ndryshimeve në shoqëri, duke pasur bindjen se e ardhmja e kombit fillon qysh nga bankat e shkollës.