Bardhyl Musai, ose “Ali Agai ” i të “dhjetave” të tenderëve të arsimit shqiptar

1382
Sigal

Skandali/ Ministrja Nikolla, i jep ish-këshilltarit të Berishës, monopolin e shitjes së librit shkollor

Nuk është më aspak çudi, që një person “gjarpërues” i quajtur Bardhyl Musai, të vazhdojë të mbajë në përdorim privat Ministrinë e Arsimit Shqiptar, drejtuesit e shkollave dhe mësuesit deri në fshatin më të largët të Shqipërisë, duke “mjelë” gjithë hapësirat financiare zyrtare që ofrohen në procesin e arsimit, që nga stolat e librat me përralla të kopshteve të fëmijëve e deri në licencat dhe tekstet universitare. Prej 15 vitesh, në të dy pushtetet majtas e djathtas, “profesori” i përfitimeve në arsim, Bardhyl Musai, vazhdon të jetë “komandues” absolut i çdo ministri, deri në atë “fuqi” diktuese, sa ministrat e Arsimit deri tek kjo aktualja Nikolla e “Rilindjes”, më tepër frikë kanë patur e kanë nga Bardhyl Musai, se sa nga kryeministrat. Aq fuqi ka i “jashtmi i brendshëm” i sektorit të arsimit shqiptar, Bardhyl Musai, sa zyrtarët e lartë të Ministrisë së Arsimit dhe drejtorët e zyrave arsimore në rrethe e qarqe, më shumë “dridhen si miu” përpara “maçokut” Bardhyl Musai, se sa përpara ministres së Arsimit Lindita Nikolla. Aq diktat veprues ka “bosi” i pazareve e përfitimeve të arsimit shqiptar Bardhyl Musai, sa drejtorët e shkollave dhe mësuesit më tepër kanë “tmerr” nga Bardhyl Musai, se sa nga drejtorët e zyrave arsimore në rrethe e qarqe. Këtë “status” diktues prej “Tano Karidi” deri edhe mbi kupolën e arsimit shqiptar, Bardhyl Musai e ka vendosur me fuqinë që i ka dhënë “profesorllëku” i tij për të blerë edhe shtetin, pushtetin, drejtësinë, duke i ulur ato në “gjunjë”, edhe kur atij i janë publikuar me fakte; skandale librash artistikë që futen me dhunë në mësimdhënie në shkolla, skandale tenderësh me shtypje librash shkollorë, pagesa bordesh, licenca arsimi privat, seminare e kualifikime banditeske e të paligjshme mësuesish me lekë, që derdhen 100 % në xhepin e tij.

 Ministrja Nikolla, i jep Bardhyl Musait, monopolin e shitjes së librit shkollor

 Dje, në redaksinë e gazetës “Telegraf” erdhi një shitëse librash nga qarku i Gjirokastrës. Na bëri me dije, se kishte shkuar në Drejtorinë Arsimore të qarkut, për të kërkuar që të merrte pjesë në tenderin për shitjen e librit shkollor. Në Drejtorinë Arsimore, i kishin thënë se këtë vit, nuk do të bëhej tender për shitjen e librit shkollor, sepse ato do të shiteshin vetëm në një pikë shitje në qendër të rrethit e jo në pika shitjeje, ose qytete e zona të tjera, mbasi kështu ishte urdhri “gojor” nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Sipas shpjegimit të bërë prej drejtorit të arsimit, ai (drejtori) nuk kishte asnjë fuqi për të vepruar për organizimin e shitjes së librave në çdo zonë, sipas Udhëzimit të ministres së Arsimit, Nr. 8, datë 24. 03. 2014 “Për shitjen e librit shkollor për vitin mësimor 2014-2015”, sepse “i ikte kolltuku”, ngaqë procesin e shitjes së librit shkollor e komandonte “miku i ngushtë i ministres”, ose më saktë “bosi” i prodhimit, shpërndarjes dhe shitjes së librave të arsimit, “Ali Agai” i arsimit, Bardhyl Musai. Fakti është ky: Shpërndarja e librit shkollor në Shqipëri edhe për vitin mësimor 2014-2015, është futur në “kthetrat” e një dore monopolisti dhe ky quhet Bardhyl Musai, i cili, kur i nevojitej posti publik për grada shkencore, deklaronte se ishte këshilltar i brendshëm i Kryeministrit Berisha, ndërsa kur i interesonte për të përfituar tenderë librash, futje librash artistikë në shkolla e për të përfituar praktika kualifikimi kreditesh e kurrikulash me pagesë private nga mësuesit dhe drejtoritë e shkollave e zyrat arsimore, paraqitej si “këshilltar i jashtëm i Kryeministrit” për të evituar “konfliktin e interesit” e për të mos deklaruar pasuritë. Ne investiguam skandalin në disa zyra arsimore të rretheve e qarqeve dhe në disa pika shitje librash shkollorë në 21 qytete të vendit dhe na konfirmuan nën zë, se nuk ishte bërë tender për të drejtën e fitimit të shitjes së librit shkollorë, madje nuk kishin as licencë prej drejtorive arsimore e zyrave të tatimeve për shitjen e librit shkollor, siç e parashikon udhëzimi i ministres Nikolla. Shitja e librit shkollor, përbën një skandal tjetër që lidhet me emrin e Bardhyl Musait, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit Berisha, tashmë ‘tutor” edhe i “punëve me lekë” në ministrinë që drejton pushteti i “Rilindjes”. Në çdo rreth, sipas skemës së monopolit “Musai”, ka vetëm nga 1 pikë shitje librash shkollorë, që kontrollohet prej Bardhyl Musait, si biznes i tij. Drejtorët e arsimit e pranojnë nën zë këtë gjë, mbasi vetë Bardhyl Musai u ka përcjellë urdhrin “miqësor” të ministres Nikolla, për të patur monopolin e shitjes së librit shkollor. Në qytete e zona nuk ka pika shitje librash shkollorë, sepse ato janë monopolizuar në qendër të rretheve dhe nxënës, prindër, mësues detyrohen të udhëtojnë drejt qendrave të rretheve për të blerë librat që u duhen. Drejtoritë arsimore, nën diktatin, “hyqmin” dhe dirigjimin antiligjor të Bardhyl Musait, me bekimin dhe heshtjen e ministres Nikolla, po shkelin hapur detyrimin ligjor e kushtetues, për të çuar librin tek shkolla e jo për të shkuar shkolla dhe nxënësi tek libri. Këtë e detyron edhe Udhëzimi Nr. 8, datë 24.3.2014, i firmosur e vulosur nga “dora vetë” ministrja Nikolla, ku sqarohet e përcaktohet se shitja e teksteve shkollore duhet të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave, ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara, duke filluar nga 20 gushti 2014. Po sipas udhëzimit, shkollat detyrohen t’u vënë në dispozicion falas subjekteve të licencuara, një ose dy mjedise të sigurta për shitjen e teksteve. Ky udhëzim i nxjerrë nga ministrja Nikolla, po shkelet nga ministrja Nikolla, duke urdhëruar të mos zbatohet nga drejtoritë arsimore, madje është tjetërsuar në “defter bakalli” prej drejtorive arsimore e prej vetë ministres Nikolla, duke ia dhënë monopolin e shitjes së librave, “kapobandës” së tenderëve, librave e kualifikimeve të arsimit shqiptar, “tahmaqarit” Bardhyl Musai.

 Bardhyl Musai, ose “Ali Agai” i të “dhjetave” të tenderëve të arsimit shqiptar

 Ka afro 10 vjet, që Bardhyl Musai është në epiqendër të akuzave për afera me librin shkollorë, me shtypjen e tyre, me shpërndarjen e librit artistik në shkolla me “dhunë shtetërore”. Kujtojmë skandalin e shitjes në shkollat e arsimit parauniversitar të librave artistikë, sociologjikë e metodikë me autorësi të tij e të klientëve dhe miqve të tij, botuar në shtypshkronjën e tij. Siç dihet, Ministria e Arsimit vendos në dispozicion të përvitshëm për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore të rretheve (ZA) një fond financiar për blerje librash për bibliotekat e shkollave publike të arsimit parauniversitar, me qëllim pasurimin e bibliotekave të shkollave. Në rregulloren e nxjerrë nga ministria, më datë 16. 09. 2010, thuhet se këto fonde duhen përdorur për blerje librash nga autorë të shquar të vendit dhe të huaj si dhe libra që shërbejnë si literaturë ndihmëse në procesin mësimor. Fondi i vënë në dispozicion në vitin mësimor 2013-2014 ishte afro 70 milionë lekë të reja. “Bosi” që menaxhoi këtë vlerë të madhe fondesh ishte Bardhyl Musai, duke ofruar tituj librash nga autorë anonimë, që nuk i lexojnë as fëmijët e tyre. Nga 84 titujt e blerë nga shkollat, 68 ishin “porosi” e Bardhyl Musait, atë kohë këshilltar i ish-kryeministrit Berisha për arsimin. Kjo lojë vazhdon edhe këtë vit, ku janë akorduar afro 82 milionë lekë të reja dhe që përsëri kanë rënë në duart e Bardhyl Musait, tashmë i preferuar i pushtetit “Rilindja”. Sipas autorëve të librave, Bardhyl Musai është bërë si “Ali Agai” i të “dhjetave” të arsimit shqiptar. Shkollat, me urdhër të drejtorive arsimore në rrethe e qarqe, kanë nisur të blejnë libra artistikë, madje edhe disa shkolla fshati që nuk kanë as klasa për mësim e jo më salla biblioteke, por që librat blihen dhe futen nëpër depot prapa ndërtesave të shkollave, ose i marrin në shtëpi drejtorët dhe mësuesit.

UDHËZIM Nr. 8, datë 24. 03. 2014

 PËR PËRZGJEDHJEN DHE SHITJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE PËR VITIN SHKOLLOR 2014-2015

Në mbështetje të nenit 47 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 107, datë 10.2.2010, “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit arsimor parauniversitar”, të ndryshuar.

Pika 5/ SHPËRNDARJA DHE SHITJA E TEKSTEVE SHKOLLORE

1. Shitja e teksteve shkollore të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara nga 20 gushti deri më 15 shtator 2014.

2. Gjatë kësaj periudhe, shkollat u vënë në dispozicion, falas, subjekteve të licencuara një ose dy mjedise të sigurta për shitjen e teksteve.

3. ISHA-ja, DAR/ZA-të, drejtuesit e shkollave, monitorojnë shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore.

4. Ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve të pakicave kombëtare, ku shpërndarja dhe shitja e tekstit shkollor mund të bëhet nga punonjës arsimorë, të ngarkuar nga DAR/ZA dhe drejtoritë e këtyre shkollave, pa pagesë.

5. Botuesit apo distributorët që nuk zbatojnë rregullin e mësipërm do të ballafaqohen me masa ndëshkuese në vitin e ardhshëm shkollor.

6. Shitja me detyrim ose me mashtrim e librave që nuk kanë hologramën e MAS-it, është kategorikisht e ndaluar.

7. DAR/ZA-të, gjatë dy javëve para fillimit të vitit të ri shkollor dhe dy javë pas tij, të raportojnë në MAS çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme për shpërndarjen dhe blerjen e teksteve.

8. ISHA-ja, pas monitorimit të procesit, t’i raportojë me shkrim ministrit të Arsimit dhe Sportit.

9. Subjekteve të licencuara për shitje të teksteve shkollore nuk u lejohet të shesin në shkollë asnjë tekst shkollor që nuk i përket katalogut të teksteve shkollore të vitit shkollor 2014-2015.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I ARSIMIT DHE SPORTIT, Lindita Nikolla

Bardhyl Musai, zyrtarisht, ende kryetar i Këshillit të Akreditimit

 VENDIMI

 Me urdhër Nr 29, datë 19.02.2009 të Kryeministrit, Z. Sali Berisha, z.Bardhyl Musai, emërohet Kryetar i Këshillit të Akreditimit.

 Prof.Dr Bardhyl Musai (kryetar)

Prof.As.Dr Anila Hoda

Edlira Late

Prof.Dr Shyqyri Llaci

Prof.Dr Vladimir Nika

Prof.Dr Gëzim Hadaj

Prof.As.Dr Ilir Bozgo

Prof.As.Dr Emil Lamani

Qamil Dika (Përfaqësues i studentëve)

Përparim HALILI