Bardhyl MUSAI/ Deformimi i fakteve nuk mund ta fshehë të vërtetën

774
Sigal

(Pas shkrimit të botuar dje, e mërkurë 22 tetor 2014,  në gazetën “Telegraf” nga specialisti i Arsimit Tefik Osmani me titull “Ish- këshilltari i Berishës, biznes me mësuesit dhe librat e tij në Durrës” ku atakohej Bardhyl Musaj, ka reaguar ky i fundit. Reagimin e  tij po e botojmë të plotë).

Shkrimi i botuar nga Tefik Osmani, ditën e djeshme në Gazetën “Telegraf”,  është një montim i keq i copëzave të fakteve të deformuara, me qëllim dashakeqës dhe denigrues. Pretendimi i autorit se jam përzgjedhur nga MAS për reformën arsimore në Durrës, është tërësisht i pavërtetë dhe dashakeqësia shfaqet më pas me një sërë të pavërtetash, pa lidhje me njëra-tjetrën. Pavarësisht etikës së përdorur nga autori, më duhet të pohoj, jo atij, por në respekt të lexuesit dhe të reputacionit të gazetës Telegraf, se jam themelues i Qendrës për Arsim Demokratik (CDE) në vitin 2001 dhe se misioni i saj është të kontribuojë për zhvillim profesional përmes trajnimeve dhe botimeve. Në Durrës, ashtu si në mbarë Shqipërinë dhe më gjerë, ka shumë mësues që e njohin mirë CDE-në, janë përfitues të veprimtarive të saj dhe përdorues të botimeve, e më mirë se autori janë ata që mund të shprehin konsideratat e tyre. Artikullshkruesi është mirë të lexojë informacionin në faqen e internetit (www.cde.edu.al) dhe nëse i lexon mirë rubrikat, jam i sigurt se do ta kuptojë që ka gabuar. Një nga veprimtaritë më të spikatura që CDE organizon dhe po e shndërron në traditë është edhe Konferenca Ndërkombëtare Arsimore e Shqipërisë, e dyta këtë vit me temë: “Dimensioni europian në kontekstin kombëtar”. Për nga formati, cilësia, tematika, kultura e organizimit, ajo është me të vërtetë konferencë ndërkombëtare dhe këtë vit marrin pjesë dy folës të shquar, një nga Universiteti i Shtutgardit dhe një tjetër nga universiteti i Glasgout. Pjesëmarrësit janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i zi. Pas dy vitesh kjo Konferencë do të zhvillohet në Prishtinë e më pas në Tetovë. Çfarë të keqe ka këtu nëse shqiptarët mblidhen bashkë në një forum profesional dhe përfitojnë nga seminaret, referimet por edhe nga përvojat që shkëmbejnë me njëri-tjetrin dhe trajtojnë një tematikë, e cila është aspirata jonë, Europa. Një ditë përpara Konferencës zhvillohen seminare (workshope), njëjtë si konferencat në vendet perëndimore. Aplikimet janë të lira dhe mund të marrë pjesë cilido që plotëson kriteret. Çfarë të keqe sheh autori këtu? Pagesën 12 Euro? E siguroj se këto aktivitete janë jo fitimprurëse, por, a mund të më thotë se në cilin vend të botës zhvillohen konferenca dhe seminare falas? Nëse MAS ka deklaruar se trajnimet do të jenë falas, të mos ngatërrohemi, kjo do të thotë se mësuesit nuk paguajnë, por paguan dikush tjetër, p.sh., buxheti i shtetit. Çdo shërbim ka një vlerë, kryesore është që të mos abuzohet për të nxjerrë fitime. Në Shqipëri ka dhjetëra organizata që ofrojnë shërbime trajnimi, të certifikuara nga MAS dhe me pagesë. A mund të më thoni se ku e shihni ju fitimin, duke mos ditur se çfarë shërbimi i ofrohet përfituesve? E dini ju zotëri se kolegët e mi dhe mësuesit për të marrë pjesë në një konferencë apo seminar në rajon, jo më larg, paguajnë disa fish më shumë se tarifa e seminareve dhe e kësaj Konference? Duke përfunduar i siguroj lexuesit, dhe sidomos mësuesve, studentëve dhe pedagogëve se CDE, me rrethin e gjerë të bashkëpunëtorëve të saj, do të ofrojë veprimtari arsimore cilësore gjithnjë në rritje. Artikullshkruesit  i bëj thirrje se nëse ka vërejtje për cilësinë, do ta dëgjoj me respektin maksimal, por nëse e shqetësojnë të tjera gjëra, ky nuk është problem im.