Artur Zeneli/ Testi ua nxjerr të palarat mashtruesve të Ministrisë së Arsimit

687
Sigal

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit kanë nisur fushatën e vetëlavdërimit përmes emërimit të mësuesve që kanë fituar testin. Por brenda dy ditëve, vetëlavdërimi ka përfunduar, ndërsa mësuesit fitues të Kukësit janë ndjerë tërësisht të mashtruar.

Mësuesve që kishin fituar testin dhe që, përmes një veprimtarie të organizuar nga Ministria e Arsimit iu komunikua vendi ku do të punonin, nuk mund të nisin punën. “Nuk ka vende pune, ju do të nisni punën kur t’u përfundojë kontrata mësuesve që punojnë aktualisht e që janë pa arsimin përkatës. Ndoshta atyre u përfundon edhe në fund të vitit kontrata, kështu ju mund të filloni punën vitin e ardhshëm, apo edhe më vonë”, – u thonë mësuesve të mashtruar, drejtues të Drejtorisë Rajonale të Arsimit të Kukësit. Ndërsa nën zë shtojnë: “Ju kemi thënë se nuk ka vende të lira, por testi na është kërkuar nga Ministria e Arsimit. Ne kemi zbatuar kërkesën e Ministrisë, edhe pse e dimë se do të kishim problem. Si të thuash, e dinim se po i mashtronim mësuesit që pranuan të kryenin testin ”.

Mësuesit fitues të testit janë të gjithë të diplomuar,që kanë punuar për vite të tëra në sektorin e arsimit, por për disa vite janë larguar në punë të tjera. “Prej më shumë se një viti kam kërkuar të nis punën në arsim. Por gjithnjë më është thënë: Për momentin nuk ka vende të lira. Ndërsa tani del se vende të lira ka me shumicë, por ato u janë dhënë kundrejt parasë mësuesve pa arsimin përkatës. Ndërsa tani që kam fituar testin më thonë: “Do të punësohesh kur t’u mbarojë kontrata mësuesve që janë pa arsimin përkatës. Ndërsa Ministria hesht për këtë logjikë mashtruesish e hajdutësh”, – shprehet i nervozuar një mësues që vazhdon ritualin e përditshëm në dyert e Drejtorisë Rajonale të Arsimit.

E vërteta është se mashtrimi dhe hajdutëria është kthyer në profesion në sektorin e arsimit. U krye ceremonia e akordimit të vendeve të punës për mësuesit që kishin fituar testin (edhe kjo, siç e thamë, doli se ishte një mashtrim i madh), por edhe në këtë ceremoni u bënë të njohur vetëm vendet e punës në zonën larg qytetit të Kukësit. Vetë drejtorët e shkollave të pranishëm në këtë ceremoni u habitën: “Vende të zëna nga mësues pa arsimin përkatës ka mjaft, bile jo vetëm në zonën afër qytetit, por edhe në shkollat brenda qytetit”, – tregojnë nën zë drejtues të shkollave. Ata shtojnë se, “këto vende nuk tregohen se u shërbejnë për biznes, duke ua shitur drejtuesve të arsimit, apo të tjerë personave të lidhur me ta”.

Është kjo arsyeja që tashmë për gjithë komunitetin Ministria e Arsimit është kthyer në një sektor, ku mblidhen hajdutët e jo një qendër dije. Mashtrimi i madh që po kryhet në sektorin e arsimit, tashmë është bërë i njohur nga i gjithë komuniteti. Vetëm Ministria e Arsimit vazhdon të heshtë e të luajë rolin e të paditurin kur bëhet e njohur haptazi nga Drejtoria Rajonale se punësimi në arsim është kthyer në një vend sa për të siguruar një pagë dhe jo për t’u hapur vend e punësuar specialistëve. Këtë po e tregojnë këto ditë, kur u kërkohet mësuesve fitues të presin deri sa të largohen ata mësues që janë punësuar kundrejt pagesës, apo që janë punësuar nga i ashtuquajturi G -5, një nga krijesat idioteske të së majtës që është bërë tmerri i gjithë punonjësve të administratës shtetërore, shkurtimi i së cilës vazhdon ende me ritme të shpejta.

Gjithsesi, testi i kryer në muajin dhjetor, më shumë se ka zgjidhur ndonjë punë, ka evidentuar mashtrimin e madh që ka nxjerrë mendja e Ministrisë së Arsimit, e cila në 24 orë mërmërin për transparencë, por sikur nuk ia di kuptimin kësaj fjale. Sepse duhet t’u thotë të vërtetën mësuese që sillen, prej më shumë se një viti, dyerve të drejtorisë rajonale dhe nuk u afrohet asnjë vend pune, ndërsa kundrejt pagesës vendi i punës iu është afruar mësuesve pa arsimin përkatës.

Një paradoks tjetër i kësaj Ministrie është edhe vendosja në postin e Drejtorit të degës Rajonale të Arsimit të 5 personave brenda një viti. Ende Drejtori Rajonal nuk është i emëruar, por i komanduar. Kësisoj, paradokset në arsim do të vazhdojnë me të njëjtat ritme. Ndërsa i gjithë komuniteti pyet: Pse vazhdon me ritmin e shpejtë lëvizja e drejtuesve të arsimit? Kujt i intereson një katrahurë në sektorin e arsimit që po vazhdon prej dy vjetësh, ku mashtrimi është në krye të vendit?

Në ceremoninë e emërimit të mësuesve që kishin fituar testin, ishte i pranishëm, edhe i dërguari i ministres së Arsimit Lindita Nikolli, Novruz Ahmeti. Tashmë doli se kjo ceremoni ishte një mashtrim. Ndaj armatës së mësuesve dhe gjithë komunitetit i duhet treguar se, mësuesit fitues do të nisin punën kur mësuesve pa arsim do t’u kthehen paratë, që kanë dhënë për të filluar punën apo kur?

Pasi nga komuniteti është heshtur për vendet që mbahen të fshehura në shkollat afër qytetit e që u jepen kundrejt parasë, jo kujtdo, por vetëm personave të zgjedhur.

Të gjitha të palarat që vazhdojnë të rriten, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit i dinë. Këto marifete tashmë i njeh edhe gjithë komuniteti. Fjalë nën rogoz e mbi rogoz flitet për këto maskarallëqe. Aq sa vetë drejtuesit e shkollave kur lexojnë shkrime për çfarë po ndodh në arsimin e zonës verilindore shkrehen: Nuk ka thënë gjë, ka gjëra shumë më të rënda për të cilat nuk mund të flasim, se humbasim vendin e punës.

Ndërsa Ministria e Arsimit vazhdon të mashtrojë komunitetin, armatën e mësuesve dhe të nxënësve.