Edi Rama: Sistemi i arsimit të lartë largoi abuzivizmin dhe forcoi meritën

Kryeministri vlerëson reformën dhe ministren Lindita Nikolla

 

Kryeministri Edi Rama tha se procesi i ri i futjes në universitet ishte mjaft i suksesshëm, por kazani shpifës i opozitës dhe mediave që e shoqërojnë atë, trembën prindërit dhe maturantët që prisnin të rrinin pa shkolla. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë punën e ministres Lindita Nikolla që e ndoqi me seriozitet si procesin e hartimit të ligjit të ri për arsimin e lartë ashtu edhe procesin konkret të pranimit të maturantëve në shkollat e larta. Sipas Ramës, viktimat e blofit politik ishin maturantët dhe prindërit. “Ankthi i tyre për të hyrë në shkollën e lartë u shoqërua dhe me një ankth më të madh të politikës së mbrapshtë dhe kazanit mediatik që e shoqëron. Si përherë kjo pjesë e politikës së mbrapshtë nuk dha asnjë alternativë, asnjë sugjerim, asnjë mundësi të re për të zgjidhur këto probleme, që medemek paska pasur kjo reformë. Ky proces konfirmoi dhe njëherë moralin jo të pastër të kësaj politike të mbrapshtë e të deformuar. Opozita ndaj qeverisë është kthyer në një foltore nga kazani në kazan (duke iu referuar portaleve)”, tha Rama. “Ata thanë se në vend të meritës do të vendoste partia, ryshfeti apo tarafi, por nuk është kështu, sistemi ri është tejet transparent. Kësaj radhe këtë proces të gjithë e ndoqën në transparencë të plotë. Ky sistem mbylli të gjitha shtigjet ku miku, partia, tarafi apo leku mund të ndërhynte, pra rezultati vendosi fituesin. Ata thanë, se sistemi ri i votuar u ngrit për të dëmtuar universitetin publik, duke favorizuar privatin. Por nuk është kështu, pasi dhe privatët iu nënshtruan të njëjtit proces. Faktori lek pati 0 rol me këtë sistem të unifikuar hyrje në universitet. 81% e maturantëve janë regjistruar në universitet publike, përballë 19% të atyre private”, tha Kryeministri.