Arian Jaupllari:Përse po “harrohet” betimi i Hipokratit

630
Sigal

Intervista/Flet presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë Arian Jaupllari

Këtë vit në provimin e Shtetit për farmacistët kanë ngelur 50% e pjesëmarrësve. Numri më i madh i farmacistëve që kanë ngelur kanë mbaruar studimet në universitetet private në Shqipëri. Në lidhje me rezultatet dhe përgatitjen e farmacistëve ka folur në një intervistë për “Telegraf” presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë Arian Jaupllari.

 -Zoti Jaupllari, këtë vit pati një numër të madh të farmacistëve që ngelën në Provimin e Shtetit. Si e shpjegoni këtë?

-Nga 255 që morën pjesë në provim 117 kaluan dhe 128 ngelën. Edhe në vitet e kaluara tek 50% ka qenë kalueshmëria.

 -A është e vërtetë që numri më i madh i farmacistëve që ngelën, kanë mbaruar shkollën në universitetet private?

-Nuk e di nëse këto të universiteteve private kanë vajtur ndonjë ditë në shkollë. Por unë di që farmacistët që kanë dalë nga dy universitete private kaluan 30% të atyre që u futën në provim për herë të parë. Dhe 70 % e farmacistëve që vinin nga universitetet private ngelën. Në total farmacistët që vinin nga shteti kaluan 88.9%, ndërsa privati kaloi në masën 30% dhe ndryshimi është i dukshëm.

 –A tregon kjo që farmacistët që dalin nga universitetet private nuk kanë marrë dijet e duhura?

-Unë nuk mund të them një vlerësim për universitetet private, pasi ato i vlerëson dikush tjetër, pra ka një Agjenci të Akreditimit që i vlerëson. E vetmja gjë që unë mund të them është ajo që duket, që në universitetin shtetëror studentët shkojnë me anë të kritereve të konkurrimit. Ndërsa në universitetet private shkojnë pa asnjë lloj kriteri. Pra që në fazën e parë të regjistrimit, ku nuk ka asnjë kriter përjashtues dhe nuk ka asnjë kriter pranues dhe mund të futet çdo kush dihet rezultati. Kjo mendoj unë që është A-ja. Pastaj unë nuk kam marrë përsipër të bëj vlerësimin, pasi është Ministria e Arsimit dhe Shkencës që bën vlerësimin e këtyre universiteteve private. Sepse ato në programe janë më të mirë mbase edhe në bazë laboratorike. Por ana tjetër lidhet me faktin që nga universiteti privat iu shit një diplomë një shtetasi italian pa qenë asnjë ditë në Shqipëri, kjo mund të ndodhë edhe me studentë shqiptarë. Kështu që kjo mund të verifikohet shumë lehtë edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke parë sa janë regjistrua në vitin 2010 dhe sa kanë mbaruar shkollën. Pasi mund të jenë regjistruar 30 studentë dhe mund të kenë mbaruar shkollën 130, atëherë ku ishin këto gjatë rrugës.

 -Cilat janë pasojat që sjell dalja e këtyre farmacistëve të paformuar mirë?

-Pasojat lidhen direkt me shërbimin. Sepse nëse një farmacist nuk ka formimin e duhur, ai nuk di efektet anësore të barnave. Por një farmaci nuk shet vetëm barnat, sepse në farmaci jepet edhe informacion për barnat. Dhe nëse vetë farmacisti nuk di efektet e barnave kjo do të thotë që ai do të dëmtojë shëndetin e të sëmurit. Një njeri që merr përsipër që të shërbejë në farmaci duhet të ketë edhe një përgjegjësi të madhe.

 – Cila është zgjidhja qe ju mendoni?

-Çdo gjë ka një zgjidhje, madje dhe më shumë se një të tillë. Problemi qëndron te vullneti i munguar deri më sot për ta gjetur zgjidhjen, duke e lënë këtë fenomen në rrjedhje të lirë. Ka shumë eksperienca nga vendet e KE-së apo rajonit, por edhe Kosova që i kanë dhënë zgjidhje shumë të mirë këtij problemi. Është bërë gjysma e hapit të parë pozitiv, vendosja e provimit të shtetit, megjithëse konsiderohet një barrierë e lehtë për t’u kapërcyer. Forcimi i kësaj barriere, duke rritur standardet, do të shënonte hapin e parë të plotë në këtë drejtim. Së pari unë mund të them që nuk ka nevojë për kaq shumë farmacistë në Shqipëri. Së dyti, pas një studimi të domosdoshëm të sistemit farmaceutik në fushën e shërbimit, mund të vendoset mbyllja e universiteteve private që diplomojnë farmacistë. Pasi me kaq shumë farmacistë sa dalin, i bie që të furnizojmë tërë botën me farmacistë. Së treti, forcimi i kapaciteteve në burime njerëzore dhe bazë logjistike në Universitetin Shtetëror të Farmacisë, do të rriste cilësinë e farmacistëve të diplomuar prej tij. Po ashtu, duhet parë edhe vendosja e kritereve për pranimin e studentëve në universitetet private.

 -Çfarë hapash duhen marrë për rritjen e cilësisë në universitetet që nxjerrin farmacistë?

-Ajo që është e rëndësishme është vendosja e Provimit të Shtetit. Por mendoj që duhet të ndryshojë mënyra e vlerësimit që bëhet në Provimin e Shtetit. Sot është 50 pikë pragu u provimit të Shtetit dhe do ishte mirë që ky prag të shkonte në  70 pikë. Kjo do të ishte një rrugë për të rritur cilësinë. Dhe mendoj që duhen barriera akoma më të forta, edhe pse Provimi i Shtetit është një barrierë, unë mendoj që duhen edhe më shumë barriera.

Përse po “harrohet” betimi i Hipokratit

-Profesionistët e shëndetit, gjatë ushtrimit të profesionit udhëhiqen nga Kodi i Etikës dhe Deontologjisë. Ata, në momentin që hyjnë në radhët e anëtarësisë së Urdhrave Profesionalë në fushën e mjekësisë, bëjnë Betimin e Hipokratit, me anë të së cilit betohen solemnisht se jetën e tyre do ta venë në shërbim të njerëzimit. Morali i profesionit e kërkon që këtë betim mund ta kryejnë vetëm ata që e mësojnë profesionin, por jo ata që e blejnë atë me para. Kjo është një pabarazi e madhe jo vetëm profesionale, por më shumë morale. Nuk mund të betohesh mbi një gjë kur nuk e ke këtë të drejtë. Kodi i Etikës Profesionale nuk ta lejon një gjë të tillë. Ky lloj betimi, pastaj, quhet jo i Hipokratit, por i “Hipokritit”. E thashë që në fillim që blerësi i diplomave krijon vazhdimësinë e fantazmave universitare. Ky moral duhet të ngrihet mbi ta. Para se të bëjnë këtë betim, duhet t’i drejtohen pasqyrës për të parë veten në momentin e vendimmarrjes së kësaj rruge, i pari ai që do ta ushtrojë atë, pastaj prindi dhe e gjithë shoqëria.