Andon Andoni/ Kolosi Dionis Bubani në librat e shkollës

630
Sigal

Më ra në sy një nga problemet e trajtuar ditët e fundit për cilësinë e teksteve shkollore dhe përmbajtjen e tyre, sipas disa mediave, “tejet të rrezikshme”. Mu kujtua se edhe në të shkuarën ishin ngritur tymnaja të tilla për një tekst leximi, ku “kishte rrezikshmëri për pedofili”, e tjera, e tjera… Që ka dhe do ketë reagime të tilla të herëpashershme për tekstet shkollore, kjo është një gjë e natyrshme për aq kohë sa ne prindërit dhe gjyshërit rrimë me librat e fëmijëve tanë pothuajse aq kohë sa rrinë edhe ata vetë me to.

Në rrjetet sociale doli këto ditë dikush i shqetësuar dhe i indinjuar, duke u bërë thirrje prindërve “të bëjnë kujdes e të mos lejojnë t’u bien në dorë fëmijëve të tyre” disa tekste shkollore. Por, mua më ra në sy dhe më bëri përshtypje (meqenëse kam nipin në klasën e dytë) ajo çka shkruhej për tekstin “Gjuha shqipe 2”. Problemi, që ngrihet, qëndron me tregimin “Shkumësi magjik”, të cilin “të indinjuarit” jo vetëm e kishin “lexuar” vetëm në faqen e parë të tij, pra të paplotë, por edhe e paraqisnin në rrjetet sociale me figurë, duke dhënë vetëm faqen e parë dhe jo të gjithë tregimin. Natyrisht të “indinjuarit” u rritën shpejt, pasi nuk kishin tekstin në dorë (unë vetë e kam parë se e ka në duar nipi im) dhe lexonin vetëm një pjesë të tregimit. Tekstin ne dorë e pati vetëm ai dikushi që “hodhi farën e së keqes” në diskutim. Dhe, sigurisht, që në Shqipërinë e sotme, kur gjithçkaje që s’ka bisht i venë një të tillë dhe për buajt e mëdhenj, që kalojnë ditë e natë përpara bankës e ku ta di unë se ku, nuk kujtohet njeri… Ndaj dyshoj seriozisht se është ndonjë “mercenar” me ose pa pagesë në “garën e shfrenuar” të ndonjë shtëpie botuese për të zaptuar pjesë sa më të mëdha të tregut të shitjes së librit shkollor, aq më shumë kur prej kohe është deklaruar se reforma e Altertekstit, do të ribëhet…

Por, mjaft me kaq! Unë ju lutem shumë që të lexoni krejt tregimin, së bashku me aparatin pedagogjik prapa, para se të flisni dhe të merrni mundimin të harxhoni kohën tuaj të vyer, që mund ta shpenzoni për të kryer punë të dobishme. Autorët kanë menduar që në faqen 23 të këtij teksti, për të ilustruar programin kurrikular, të sjellin tregimin “Shkumësi magjik” të autorit të mirënjohur shqiptar, z. Dionis Bubani. Pjesa e zgjedhur “Shkumësi magjik” prej autorëve të hartimit të librit, shkon në mënyrë tejet funksionale me disa elementë të moshës, kur përbashkohen brenda saj fjalë kyçe si: shkumësi, tabela e zezë, babai, dhe prirja e kësaj moshe për “aventura”. Dhe morali i pjesës është goditja e aventurës.

Theksojmë këtu, se z. Dionis Bubani, për këdo që nuk ka dijenitë e duhura në këtë fushë, radhitet një prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe jo vetëm. Dionis Bubani është prej atyre që ka njohur nga afër Çajupin, Asdrenin, Kutelin, Poradecin, Luarasin, Kadarenë, Agollin e deri edhe Man-in. Redaktor i Revistës “Hosteni” për vite të tëra, autor i një sërë teksteve këngësh fituese në festivale dhe autor i disa komedive. Ndaj, na duket e tepërt t’ju sqarojmë më shumë se si Dionis Bubani nuk paska shkruar një tregim ashtu siç duhet për fëmijët, me moralin dhe mësimin që duhet nxjerrë prej fenomenit që përshkruhet aty! A, vetëm nëse dikush kërkon që t’i bëjë gjyqin sot zotit Dionis Bubani “në mungesë”! Nuk ju duket pak për të qeshur?

Me sa di, prej përvojës së hartimit të teksteve, teksti “Gjuha shqipe 2” si dhe shumë të tjerë, përveçse ka kaluar kontrollin profesional të recensentëve dhe redaktorit shkencor mjaft profesional dhe me emër në këtë fushë, ka kaluar dhe në filtrin e komisioneve kualifikuese të konkurseve të Ministrisë së Arsimit që në vitin 2011. Ajo pjesëz nuk ka asnjë arsye të keqinterpretohet, kur në dorë, pikë së pari e ka dhe do ta ketë mësuesi për interpretim në klasë, ne prindërit dhe gjyshërit, përpara fëmijëve tanë dhe krijimi i metodologjisë interpretuese duke marrë të kundërtën e moralit që përcjell, nuk bën gjë tjetër vetëm se krijon një pështjellim të keq dhe tjerrja kaq gjatë e këtij problemi, të sjell një qasje negative, ku aventura e mashtrimit të merret për një realitet të zbatueshëm.

Dionis Bubanit vetë, kjo do t’i dukej një absurditet i gjallë.

 ****

 Koment

 Përzgjedhja e teksteve shkollore me të cilat mësojnë nxënësit e arsimit parauniversitar, nga klasa e parë deri në vitin e fundit të gjimnazit, është kthyer në një betejë interesash. I nisur si një reformë që do të zhdukte korrupsionin në përzgjedhjen e teksteve shkollore, Alterteksti, në të vërtetë, së fundmi, duket se vetëm sa po e thellon këtë dukuri. Gazeta “Telegraf” ka qenë ndër të parat media që ka denoncuar klientelizmat apo gjithë problematikat e Altertekstit. Gazeta ka qenë zëri i denoncimeve të mësuesve, kur janë detyruar nga drejtorët e shkollave, apo edhe ata të drejtorisë arsimore, të përzgjedhin libra të shtëpive botuese që janë afër interesave të tyre. Apo në rastet, kur drejtuesit e arsimit, apo kryetarët e bashkive nëpër rrethe rekomandojnë që asnjë shkollë të mos zgjedhë librat e x shtëpie botuese. Por, kjo lojë e pistë klanesh vazhdon dhe sot. Për interesa përfitimi nuk ngurojnë të njollosen edhe autorë, për të cilët duhet të jemi krenarë që i kemi pjesë të teksteve tona shkollore. Individë të caktuar po bëjnë një lojë jo të ndershme, për të hequr nga qarkullimi shtëpi botuese që “kërcënojnë” biznesin e tyre të sapo nisur. Nisur nga interesa të ngushta përfitimi, ata përdorin çdo lloj mjeti dhe sivjet kanë gjetur të keqpërdorin pjesë tekstesh, duke mos i sjellë në kontekstin e tyre dhe duke krijuar në këtë mënyrë një kaos dhe një pështjellim në mendimet e prindërve. Patjetër që prindërit reagojnë dhe janë të predispozuar të besojnë gjithçka ka të bëjë me fëmijët e tyre. Patjetër që “Telegraf” do të jetë afër tyre dhe do të denoncojë gjithçka është kundër rregullave apo prek cilësinë e edukimit në shkollat tona. Por, nga ana tjetër, është e turpshme të abuzosh me emra të spikatur të letërsisë sonë, si në rastin e tregimit të Dionis Bubanit. Ndaj, i duhet prerë vrulli harbutërisë dhe makutërisë së ndonjë shtëpie botuese (thuhet se kjo është vepër e 4-5 shtëpive të reja botuese), që përdor çdo mjet, për të pushtuar tregun e shitjes së librit shkollor.