Alfons Harizaj:“Ku duhet të mbështeten maturantët për të fituar degën që duan”

219

INTERVISTA/Flet për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj

 Në Maturën Shtetërore këtë vit nuk do të jepen më shumë se dy provime, nga 3 që ishin vitin që shkoi. Sipas Udhëzimit 35, i datës 27 nëntor 2012, ndryshimi konsiston në këto gjëra: Së pari është minimizuar menyja e lëndëve me zgjedhje. Në kuptimin që, asnjë lëndë nuk është lënë pa u marrë në konsideratë, sepse nxënësit kanë bërë përgatitje për 1,2 ose 3 vite. Në lidhje me rregullat e reja dhe procedurat më të hollësishme ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj. Sipas zotit Harizaj, maturanti duhet të zgjedh për provime me zgjedhje ato lëndë, ku ai ndjehet më mirë.

 -Zoti Harizaj, jemi në fazën, ku kanë dalë dhe programet orientuese për maturantët. Çfarë risish do të ketë sivjet për maturën?

-Vitin e shkruar ka qenë një kriter që mund të zgjidheshin dy lëndë ose edhe tre lënë për provimet me zgjedhje me qëllim që të plotësoheshin 8 kredite. Por shumica kanë zgjedhur vetëm dy lëndë. Ndërkohë që, këtë vit është e prerë që do zgjidhen vetëm dy lëndë për të dhënë provimet me zgjedhje. Kjo është vendosur edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më urdhrin që ka nxjerrë para pak ditësh. Arsyeja e vendosjes së kësaj rregulloreje është e thjeshtë. Dhe është bërë për krijuar lehtësira për maturantët. Po ashtu kjo është bërë dhe për një arsye të thjeshtë me qëllim lehtësimin e procedurave për administrimin e testeve, në periudhën që do të zhvillohen këto provime. Pro në total maturantët këtë vit do të japin katër provime që janë dy me detyrim si Matematika dhe gjuhë-Letërsia dhe dy provimet me zgjedhje që ato do të mund ti zgjidhin sipas dëshirës dhe sipas përgatitjes që ato kanë.

 -Në përzgjedhjen e këtyre lëndëve, çfarë duhet të kenë kujdes maturantët?

-Po, nga një menu lëndësh, maturanti zgjedh dy lëndë për provim. Po si duhen zgjedhur këto lëndë, bëhet shpesh pyetja nga maturantët?  Duhen zgjedhur dy lëndë me kusht që shuma e krediteve të jetë 8. Duhen tetë kredite dhe janë shumë të rëndësishme, pasi duhet të kujtojmë se që në maturën e vjetshme u fut krediti për herë të parë. E them për herë të parë, pasi ajo ishte matura e parë që filloi me kurrikul të re dhe me sistem të ndryshuar që para tre vitesh. Pra vjet ishte matura e parë që ishte me sistemin e ri.

 -A ka ndonjë ndryshim në mënyrën e dhënies së provimit?

-Pjesa tjetër e procedurave është si pjesa e përvitshme. Do të ketë përmirësime të administrimit, dhe kjo është një taktikë e përvitshme, pra bëhet një monitorim më i mirë. Ndërsa për përzgjedhjen e lëndëve do të thoja që varet ku e kanë projektuar veten lëndët. Ka maturantë që duan të studiojnë për mjekësi, për juridik, kjo pra varet nga dëshirat dhe projektimet që i bën çdo maturant vetes së tij. Ato shohin koefiçentët e lëndëve që i favorizojnë në këto programe studimi dhe zgjidhin ato. Po e përsëris edhe njëherë maturanti mund të ketë shumë dëshira, por e mira është që ato të zgjidhin ato lëndë ku ato e ndjejnë veten më të sigurt, për të marrë rezultatin më të mirë.

 -Mbi çfarë kriteresh do të bëhet llogaritja e mesatares nga maturantët, a do të ketë elementë të rinj?

-Mesatarja e gjimnazit të një nxënësi do të llogaritet duke pjesëtuar shumën e të gjitha pikëve që nxënësi ka grumbulluar gjatë tre vjetëve të shkollës së mesme me shumën e të gjitha krediteve që ai ka grumbulluar po gjatë gjimnazit. Shuma i pikëve nxirret duke shumëzuar notën vjetore me kreditet dhe koefiçentin 1 ose 1.4 që ka secila lëndë e thelluar. Ky rezultat më pas pjesëtohet me shumën e krediteve të lëndëve përkatëse, duke dhënë mesataren e shkollës së mesme.

Pas përfundimit të Maturës Shtetërore, përllogaritja e pikëve për hyrjen në universitetet publike, të maturantit/kandidatit bëhet si më poshtë:

Shënojmë me M, Di, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje.

– Shënojmë me K koeficentin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike.

Shënojmë me Fi, F2 koeficentët e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike.

Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit/kandidatit do të bëhet me

formulën:

S = [ (M + Di +D2) x K + (Zi x Fi+ Z2 x F2) ] x 100

-Përveç atyre maturantëve që mbarojnë shkollën këtë vit, ka dhe maturantë që e kanë mbaruar më parë. A janë të njëjta procedurat, nëse jo si duhet të procedojnë?

-Ata kandidatë që kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2011-2012, por nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje për të vazhduar studimet e larta publike do t’i japin ato. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet:  Në shkollat ku kandidatët kanë kryer shkollën e mesme, si dhe pranë komisioneve të maturës në drejtoritë arsimore të rrethit përkatës kur shkolla e tyre nuk ekziston më. Në këtë rast duhen paraqitur dokumentet përkatëse:

a)kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje të detyruar

b)dëftesën e pjekurisë/kopje të noterizuar me fotografi të dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me fotografi që ka përfunduar shkollën e mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse bazuar në amzën e shkollës apo dokumentin e lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i Drejtorisë Arsimore si dhe kopje të noterizuar të pasaportës ose kartës së identitetit.