Alfons Harizaj:Ja kush do të plotësojë A1/A1Z dhe procedurat për maturantët që kanë mbaruar para 2011

473
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj, për procedurat e reja

 Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së shpejti pritet që të dali formulari A1/A1Z. Në lidhje me procedurat dhe kategoritë që do të plotësojnë formularin A1/A1Z, ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, provimet e detyruara zhvillohen në ditë të ndryshme, ndërsa provimet me zgjedhje të detyruar zhvillohen në një ditë. Këto provime i jep maturanti kandidat që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme, ka marrë Dëftesën e Pjekurie dhe ka plotësuar Formularin Al, AlZ. Kështu, çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe me zgjedhje, pajiset me Diplomën e Maturës Shtetërore. Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2012, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie/Diplomë dhe fitojnë provimet e Maturës, do të marrin diplomën dhe certifikatën e Maturës Shtetërore.

 – Zoti Harizaj, pritet të dali Formulari A1 dhe A1Z. Sipas informacioneve të MASH ai do të plotësohet në rrugë elektronike. Si do procedohet me plotësimin e këtyre formularëve?

-Po. Ne aktualisht jemi në pikën që po bëjmë ndërrimin e versionit nga të plotësuarit në format të printuar, në atë elektronik. Të gjithë këto ndryshime që rrjedhin për këtë shkak të aplikimit të versionit on-line jemi duke i bërë për të arritur afatin dhe për linçuar fillimin e plotësimit të formularit nga kandidatët për studentë. Theksojmë që kjo formë on-line e plotësimit bëhet me qëllim që të krijohet regjistrimi e maturantëve të Maturës Shtetërore 2013, pra ata nxënës që diplomohen në fund të këtij viti shkollor. Ky formular vlen dhe për të mbledhur të dhënat e maturantëve që e kanë shlyer detyrimet e provimeve të Maturës Shtetërore, dhe që duan të aplikojnë për në universitetet publike në vend. Pra në këtë rast Formulari A1 mbledh të gjitha të dhënat për maturantët. Ndërkohë, nga ana tjetër është dhe formulari A1Z, i cili mbledh të dhënat për ata që kanë për të shlyer ato provime që nuk i kanë dhënë, por dhe ata kandidatë që nuk kanë asnjë detyrim në Maturën Shtetërore, kjo për arsye se duhet të identifikojnë veten si kërkesë për t’u regjistruar për pranim  në universitete.

 -Aktualisht a është i qartë tërë programi dhe procedurat që do të ndiqen për Maturën Shtetërore për vitin 2013?

-Risi për këtë vit akademik është fakti se maturantët do të zgjedhin vetëm dy lëndë. Ndërsa vitin e kaluar maturantët kishin mundësi të zgjidhnin mes 2 ose 3 lëndëve, me kushtin mbi 5 kreditë. Ndërsa për këtë vit u hoq mundësi për të zgjedhur më shumë se dy lëndë. Kjo përpos një administrimi më të mirë, nga viti një vit, të gjithë ata që administrojnë procesin bazë të provimeve, e dinë se çdo maturantë ka dy barkode, ka dy teste për të mbledhur në fund. Ky ndryshim e lehtëson procesin e administrimit të provimeve, lehtëson maturantin pasi ai nuk është i informuar nganjëherë se çfarë të mirash ka të zgjedhësh dy apo tre lëndë. Procedura të tjera janë të njëjtat me vitet e kaluar, dhe maturanti është i informuar për formatin e testit, për provimet e detyruara dhe provimet me zgjedhje.

 -A ka ndonjë ndryshim në strukturën e pyetjeve, apo në numrin e tyre?

-Kjo do të thotë se ai e di mirë që si provimi për lëndën e Matematikës dhe Letërsisë do të kenë 25 pyetje gjithsecili me nga 50 pikë secili, nga të cilat 13 pyetje në çdo tezë do të jenë me anë të rrethimit të përgjigjes së saktë. Ndërsa 12 pyetje do të jenë përgjigje të hapura, të cilat bëhen nëpërmjet shtjellimit të kërkesës që jepet në pyetje. Ndërkohë 37 pikë maturanti i merr nga përgjigjet e këtyre 12 pyetjeve, ndërsa 13 pikë i merr nga pyetjet me rrethim.

 -Ç’mund të na thoni në lidhje me provimet me zgjedhje?

-Provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë, dhe nuk ka 25 pyetje që kanë provimet e detyrueshme, por ka 20 secili provim, ku të dy lëndët me zgjedhje japin 50 pikë së bashku. Pra 20 pyetje do të jenë për 40 pikë, ndërsa të dy së bashku për 40 pyetje do të kenë 80 pikë. Të gjithë këto janë elemente janë shumë të rëndësishme, dhe maturanti duhet ti ketë parasysh. Tashmë ka dal dhe lista e lëndëve që janë provime me zgjedhje. Kështu, bazuar në udhëzimin 35 është shënuar se kush janë lëndët që maturanti do të zgjedh dy prej tyre. Ndërkohë, është dhe grupi i Gjuhëve të huaja, ku vjet ishte grupi i parë pasi gjuhëve të huaja iu vu në theks i veçantë dhe ishim dëshmitar që këto lëndë ishin të zgjedhura në një numër të madh nxënësish, siç ishte Anglishtja. Për vitin e kaluar 10 mijë maturantë zgjidhën si lëndë më zgjedhje Anglishten.

 -Po në lidhje me zgjedhjen e lëndës së gjuhës së huaj për provim a ka ndonjë ndryshim për këtë vit?

-Këtë vit është lënë grupi i lëndëve si gjuhë e huaj e parë, prej 4 gjuhësh të huaja dhe tek grupi i dytë që është më i madh, janë po këto 4 gjuhë, janë dhe 3 të tjera që janë si gjuhë të huaja të dyta. Maturanti tashmë ka të drejtë të zgjedhin si lëndë me zgjedhje edhe dy gjuhë të huaja, me kusht që ato mos jenë e njëjta gjuhë. Pra maturanti i këtij viti mund të hyjë në provimeve me zgjedhje edhe me dy gjuhë të huaja, kjo është një tjetër përparësi që është dhënë nëpërmjet kësaj grade lirie nëpërmjet gjuhëve të huaja.

– Cilat do të jenë lëndët që do të zgjedhin kandidatët e Maturës Shtetërore, pjesë e shkollave profesionale? A do të jenë dy lëndë bazë, apo do të jenë Teoria Profesionale, apo dhe një lëndë tjetër jashtë profilit?

-Arsimi profesional ka nenin e vetë të zgjedhjes, pra në këtë listë ai është i përfaqësuar  me Teorinë profesionale, brenda të cilët janë të gjitha kategoritë e Arsimit Profesional që diplomohen këtë vit. Pra maturanti në këtë rast zgjedh njërën nga këto lëndë.

Si do procedohet me maturantët që vijnë nga jashtë

Duhet thënë se është e njëjta procedurë si në vitin e kaluar. Është ndërtuar një praktikë e mirë për të gjithë ata që vinë në vendin tonë nga vende të huaja. Kësaj kategorie kandidatësh për studentë u janë krijuar lehtësira siç është konvertimi i diplomës në rastin kur ata e kanë përfunduar atë. Më pas bëhet ekuivalentimi me diplomë të Maturës Shtetërore shqiptare. Në të gjitha rastet ata duhet të përfundojnë me njohje të diplomës në Shqipëri. Pas këtij akti, pra pasi u njihet diploma, ata janë pjesë e databezit të maturantëve të Maturës Shtetërore dhe më pas ata gëzojnë të drejtën e zgjedhjes së një prej programeve të studimit në Universitetet Publike dhe privat në vend.