Alfons Harizaj:Formulari A2, gati në fundjavë

482
Sigal

Intervistë/Alfons Harizaj: Në çdo rast, rezultati i testeve të ankimuara nga maturantët, bëhet i vlefshëm për aplikimin me anë të formularit A2

Nëse maturantët kanë ankimuar për ndonjë nga testet e zhvilluara, ata duhet të jenë të qetë, pasi edhe nëse ndryshon rezultati, ai në çdo rast, bëhet i vlefshëm për aplikimin me anë të formularit A2. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf”, Alfons Harizaj, Kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Sipas tij, formulari A2 bëhet gati për aplikim në fund të javës dhe procedura do zgjasë 10 ditë për gjithë Shqipërinë. Harizaj  tregon se aplikimi online është shumë i thjeshtë, por maturanti duhet të parapërgatitet,  “ai mjafton që të ketë ndarë mendjen më parë, pasi të jetë këshilluar, konsultuar dhe qartësuar për preferencat që do të zgjedhë dhe në ç’mënyrë do t’i rendisë ato”.

 Shoh ende maturantë që vijnë në dyert e AKP-së, pra syresh që kanë kërkesa për rivlerësim të testeve të tyre. Sa do zgjasë ky proces?

Kjo është një situatë normale. Ata kanë marrë fotokopjet në dorë të testeve të Letërsisë, një pjesë ka marrë edhe të Matematikës. Dhe sipas vëzhgimit që ata kanë bërë, shqyrtimit që i kanë bërë përmbajtjes së testit dhe vlerësimit lidhur me të, ata vijnë dhe ngrenë pretendimet e tyre. Ne me ekspertët tanë i shqyrtojmë, i bëjmë dhe një herë skanerin e plotë të vlerësimit të testit nga Komisioni i Vlerësimit dhe i japim shpjegimet e duhura këtyre maturantëve. Pra kjo është e përvitshme dhe kjo po ndodh edhe tani që po shihni juve. Po vazhdojmë paralelisht dhe me kërkesat për fotokopjet e testeve të provimeve të lëndëve me zgjedhje, të cilat do t’i dërgojmë javën tjetër te maturantët dhe ata do të bëjnë të njëjtën gjë siç kanë bërë me Letërsinë dhe Matematikën.

Sa mendohet që do të zgjasë ky proces, se mendohet që kur ankimohet, mund të qëndrojë ajo notë, por edhe mund të ndryshojë?

Në çdo rast, rezultati bëhet i vlefshëm për aplikimin me anë të formularit A2. Meraku që kanë maturantët është se, në rastin kur ndryshon rezultati a bëhet i vlefshëm apo jo për efekt të aplikimeve me formularin A2? Në çdo rast ai bëhet i vlefshëm. Meqë jemi te formulari A2, ne kemi filluar të nxjerrim njoftimet e para për maturantët. Po bëjmë gati paketën informuese teknike sesi do të aplikohet. Ndërkohë maturantët, javën e kaluar dhe gjysmën e javës në vijim, duhet të vazhdojnë të shkojnë në shkollë, (për ata që s’kanë shkuar), që të bëjnë të vlefshme hedhjen e pikëve mesatare, për ata që janë maturantë të vitit 2013 dhe të notës mesatare për ata që janë kandidatë që vijnë nga vitet e kaluara. Pra pikët mesatare të tre viteve për ata që janë në sistemin e ri, ose nota mesatare e katër viteve për ata që kanë mbaruar në sistemin para 2011-ës. Nga ana tjetër, ata do të plotësojnë  formularin online si vitin e kaluar, por sivjet do ta bëjnë individual dhe ne po merremi me planifikimin e grafikut të aplikimit dhe mënyrën se si do të futen udhëzuesit teknik që do të tregojnë, se si maturantët do të përdorin kredencialet për të hyrë dhe për të mundësuar plotësimin e formularit A2.

Kur fillon plotësimi i formularit A2?

Deri në fund të javës, ata do të kenë në faqet elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, udhëzuesit teknik se si do të procedojnë. Edhe mënyrën se si do të futen në sistem, edhe grafikun kur do të jetë e parashikuar shkolla apo drejtoria së cilës i përkasin, për të aplikuar online.

 Dhe sa do zgjasë pastaj procesi i aplikimit të formularit A2?

Në tërë vendin parashikohet të zgjasë për 10 ditë, ndërsa për maturantin është një procedurë fare e thjeshtë. Ai mjafton që të ketë ndarë mendjen më parë, pasi të jetë këshilluar, konsultuar dhe qartësuar për preferencat që do të zgjedhë dhe në ç’mënyrë do t’i rendisë. Ndërkohë, para kësaj , çdo maturant duhet të ketë bërë fazën përgatitore: Të shikojë se cilat janë programet e reja të studimit, në cilat fakultete dhe universitete, sa është numri i kuotave të tyre, a u interesojnë apo s’u interesojnë, programet e vjetra të studimit pak a shumë i di, por meqë është maturant për herë të parë, informacionin ai e shkel për herë të parë, ndaj edhe këto degë apo programe studimi duhet t’i kalojë, në këndvështrimin që duhet t’i zgjedhë, apo jo me pikët që ka. Dhe të vendosë përfundimisht për pikët dhe preferencat para se të shkojë në sistem. Kur shkon në sistem, është një procedurë e lehtë, e thjeshtë dhe e kryen në pak kohë. E rëndësishme është të marrë vendimin paraprakisht.

Ndërkohë këtyre maturantëve të cilët kërkojnë rivlerësim të testeve të tyre, dhe që mund t’u ndryshojë nota pas rivlerësimit, a do kenë pengesë për formularin A2, se varet sa do zgjasë si kohë kjo procedurë?

E thashë dhe më sipër, ne tregohemi shumë të kujdesshëm që çdo gjë që ndryshon, të bëhet e vlefshme për maturantin për të aplikuar me formularin A2, pra ta ketë rezultatin, përpara se të zgjedhë preferencat.

Si është puna e këtyre diplomave që ju sapo vulosët? (Në momentin e intervistës, kreu i AKP-së vulosi disa diploma që kërkoheshin me urgjencë nga banorë të Gjirokastrës)

Ne kemi printuar diplomat e atyre që kërkojnë të studiojnë jashtë shtetit. Kur u plotësua formulariA1, një kutizë u kërkonte maturantëve të shpreheshin, nëse synonin të studionin jashtë, apo këtu dhe qëllimi i saj ka qenë që ne të identifikonim se cilëve prej tyre do t’u printohej më parë diploma, se kishte të bënte me afatin e dorëzimit të dokumenteve pranë ambasadave. Çdo maturanti që ka çekuar në atë kutizë, ne ua kemi printuar, por u kemi printuar dhe të tjerëve, që nuk kanë plotësuar kutizën përkatëse, por kanë ardhur dhe kanë deklaruar që unë jam para kësaj situate dhe më duhet që të dorëzoj dokumentet.

Pra këto janë ato rastet e veçanta që vijnë e kërkojnë vetë që t’u printoni diplomën, pasi nuk e kanë deklaruar në A1?

Po, që kanë prioritetin për shkak të afateve të plotësimit të dokumenteve për studime jashtë shtetit me anë të ambasadave. Të gjithë të tjerët në fakt do ta marrin diplomën, sepse në përfundim kush kalon provimet, do të marrë dhe diplomën. Në jemi në procesin e prodhimit të diplomës dhe do i dërgojmë zyrtarisht pranë DAR/ZA-ve.

Provimi i shtetit/Java e parë e testimit, 50 % kalueshmëria e mësuesve

 Njëkohësisht vazhdon procedura e provimeve të mësuesve. Si ka shkuar ky testim i mësuesve?

Është dita e tretë e provimit për mësuesit. Është sesioni i dytë që po japin provim, pra ka ndodhur dhe një sesion për ta. Po vijon normalisht. Ata janë në provim këtë periudhë, pasi duhet të jenë kandidatë për punësim për periudhën kur fillon dhe viti shkollor. Është i rëndësishëm rezultati i këtij provimi për ta. Kush rezulton i suksesshëm është kandidat i fortë për të drejtën e punës në profesionin përkatës. Ky provim do zgjasë afërsisht 2 javë. Të regjistruar janë rreth 700 kandidatë, ndërsa në përfundim do të shohim sesa do të jetë pjesëmarrja konkrete. Me të përfunduar provimi për të gjithë, ne ia dërgojmë rezultatin zyrtarisht Ministrisë së Arsimit për të shpallur ose për të dhënë vërtetimin përkatës për të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Pra ata, në momentin që e marrin këtë provim, janë gati për të ushtruar profesionin e mësuesit?

 Ai është vërtetimi i rezultatit të provimit të shtetit, por ndërkohë, “rregullimi i profesionit” parashikon një procedurë më të gjerë, që fillon me plotësimin e dosjes së kandidatit që nga diploma, lista e notave dhe një sërë dokumentesh të tjerë. Pjesa tjetër, është ajo e praktikës profesionale, e kryer para se të testohet në provimin e shtetit. Provimi i shtetit është i fundit, nga më të rëndësishmit, dhe kur rezulton kalues, ai është praktikisht edhe fitues i të drejtës së profesionit. Autoriteti përkatës vetëm sa lëshon vërtetimin që të njihet e drejta e ushtrimit të profesionit.

Ndërsa përgjigjen e testimit të tyre ata e marrin direkt pas përfundimit.

Është i njohur tashmë, është e disata herë, ky është provim dixhital, provimi zhvillohet nëpërmjet kompjuterit. Testimi zgjat një orë, përgjigjet jepen me kompjuter dhe në përfundim të kohës, atyre u shfaqet rezultati në ekran dhe njëkohësisht u printohet, dhe kjo është gjithçka.

Si ka qenë deri më tani kalueshmëria në testet e mësuesisë?

Po të flasim në përgjithësi kalueshmëri është diku te 50 %, pastaj varion për çdo fakultet përkatës. Por përgjithësisht nga numri i tyte që testohen, 50 % e tyre mbesin.