Alfons Harizaj:Formulari A2, gati në 10 ditshin e tretë të korrikut

440
Sigal

Intervistë/Alfons Harizaj, drejtori i AKP-së: Në Matematikë u morën 237 dhjeta absolute

Korrigjimi i provimit me zgjedhje është në ¾ e vlerësimit të saj. Këtë e konfirmon në një intervistë për gazetën “Telegraf” Alfons Harizaj, drejtori i Agjencisë së Kontrollit të Provimeve. “Nga përpunimi i të dhënave të deritanishme, vërejmë një  nivel të mirë të maturantëve. Kjo është e pritshme, sepse maturantët kanë zgjedhur me dëshirë dhe në ato raste ata zgjedhin ato lëndë, ku ndjehen më të përgatitur, por që edhe i shërben më mirë synimit të tyre për t’u drejtuar në ato programe studimi që dëshirojnë të shpallen fitues”, shprehet Harizaj. Ndërsa tregon, se rezultatet e provimit të Matematikës treguan se ka më shumë 10 absolute të marra nga maturantët se në Letërsi, rreth 237 nxënës janë vlerësuar me 50 pikët e mundshme.  Për kërkesat për fotokopjet e testeve, Harizaj shprehet, se numri i kërkesave ka qenë pothuaj sa vitet e kaluara, madje më i ulët, por përsa i përket maturantëve të cilët janë ankimuar për vlerësimin, ata janë pritur dhe sqaruar nga specialistët përkatës të AKP-së. Sipas Harizaj, formulari A2 pritet të dalë në dhjetë ditshin e fundit të korrikut dhe do plotësohet online nga maturantët.

Z. Harizaj tani maturantët janë në pritje të rezultateve të provimit me zgjedhje, si po shkon procesi i korrigjimit të tyre dhe si kanë rezultuar deri më tani këto provime, duke qenë se nxënësit kanë dhënë provime ato lëndë që i kanë zgjedhur vetë, pra lëndë ku ndihen dhe më të sigurt?

Atëherë, po vijon vlerësimi i testeve të provimit me zgjedhje Maturë Shtetërore 2013. Maturantët dhanë provimin me zgjedhje në datën 29 qershor. Ne po vijojmë me vlerësimin e testeve dhe jemi në ¾-ën, pra kemi përfunduar me ¾ -at e numrit të përgjithshëm të testeve. Rezultatet do të shpallen brenda afatit të miratuar në rregullore, por edhe më herët, pasi duam t’u shërbejmë atyre të cilët kanë një afat më të hershëm për të dorëzuar dokumentet pranë ambasadave apo zyrave konsullore përkatëse për studime jashtë shtetit. Cilësia do të duket në fund, kur të hidhen të dhënat në tërësi do të gjykohet për cilësinë, por nga përpunimi i të dhënave të deritanishme, vërejmë një  nivel të mirë të maturantëve. Kjo është e pritshme, sepse maturantët kanë zgjedhur me dëshirë dhe në ato raste ata zgjedhin ato lëndë, ku ndjehen më të përgatitur, por që edhe i shërben më mirë synimit të tyre për t’u drejtuar në ato programe studimi që dëshirojnë të shpallen fitues. Është një punë voluminoze për ne, pasi nuk është vetëm një test si më parë që kemi për të vlerësuar, por janë dy teste dhe nuk janë të të njëjtit lloj, pra si provimet e mëparshme të letërsisë dhe matematikës, por janë të përfshira në një listë prej afro 50 lloje testesh afërsisht, në varësi çfarë dyshe ka zgjedhur secili maturant.

A keni bërë një lloj analize pas daljes së rezultateve të Letërsisë dhe Matematikës? Sa ka qenë kalueshmëria apo notat dhjeta?

Në rastin e Letërsisë, nxënësit kanë arritur nivelin pak mbi mesatar në vlerësimin e përgjithshëm. Në Matematikë arritjet e nxënësve janë afër nivelit mesatar, por nën nivelin mesatar. Në Matematikë kemi një përqindje të mirë të nxënësve që kanë arritur rezultate të larta, përkatësisht notën 9 edhe 10.

Nga MASH thuhet se 10 absolute, ka qenë në numër më e madhe në Matematikë, se në Letërsi.

Në fakt kjo kështu ka ndodhur, në Matematikë janë gati 237 nxënës që kanë fituar 50 pikë, që është maksimumi i pikëve të testit, në letërsi kjo ka qenë shumë pak, por numri i 9-ve dhe 10-ve në Letërsi dhe Matematikë ka qenë gati-gati e barabartë. 50 pikshi në Letërsi, në fakt është në Gjuhë dhe Letërsi, dhe  nxënësit e mirë mund të humbasin ndonjë pikë në elemente gjuhësore ndoshta, ose ka diku një pikë të vështirë në test që lidhet ose me Gjuhën, ose me Letërsinë, ose me të dyja së bashku.

Si po shkon procesi me kërkesat për fotokopjet e testeve?

Krahas këtyre, ne kemi vijuar të japim dhe fotokopjet e testeve. Në rregullore, në fakt, ka qenë e parashikuar që të jepeshin në përfundim të të gjitha provimeve, atëherë nxënësi duhej të bënte kërkesën për fotokopje, të cilës prej tyre.  Ne kemi zgjidhur pak më në favor të nxënësve, duke iu krijuar mundësinë që ata të paraqesin kërkesë për fotokopje pas çdo provimi. Për praktikën, për mënyrën sesi duhet të veprojnë për të tërhequr fotokopjen e kemi publikuar në faqen e AKP-së. Dhe nxënësit, rast pas rasti, kanë kërkuar në përputhje me to. Kanë dorëzuar kërkesën për fotokopje në shkollën përkatëse, shkolla ka grumbulluar të gjitha kërkesat dhe ka bërë një listë, mandej e ka përcjellë në Drejtori Arsimore dhe Drejtoria tek ne. Me po të njëjtën mënyrë ne i përgjigjemi atyre, duke i çuar përgjigjen.

Po a ka pasur shumë kërkesa?

Jo, nuk ka pasur shumë kërkesa, po ta krahasosh me vitet e shkuara nuk është shifër shumë e lartë, është diçka e përafërt, por më e ulët se vitet e tjera.

Po pasi janë ballafaquar me testet, a kanë pasur ndonjë ankimim që nuk kanë qenë dakord me rezultatin?

Dhe një pjesë e tyre përsëri vijnë e ngrenë pretendimin, ata duhet të shkojnë te shkolla, por ne kemi pritur edhe raste kur vijnë pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ata marrin sqarimin përkatës, sepse kanë gjykimin e vet që e kanë shoqëruar me një specialist që ata e njohin në rrethana të ndryshme, mësues të shkollës, ose të njohur të familjes, ose vetë prindërit e tyre mund të jenë mësues, por ne këtu pranë AKP-së vemë shërbimin e specialistit, i cili me instrumentet e vlerësimit, ulet, i analizon dhe i prezanton se në ç’mënyrë është vlerësuar testi.

Pas përfundimit të vlerësimit me zgjedhje normalisht duhet të dalë dhe formulari A2.

Po, formulari A2 do të jetë si vitin e kaluar, do të aplikohet online nga maturantët dhe si 2-3 vitet e fundit do të plotësohet pas marrjes të të gjitha rezultateve të provimeve. Kjo është bërë me qëllim që maturanti të dijë cilat janë rezultatet dhe në këtë mënyrë të gjykojë për pikët që grumbullon për programin që synon të shkojë. Maturanti mund ta krahasojë veten me pikët e fituesit të fundit të dy-tre viteve më parë, në të njëjtën program studimi. Ai, në qoftë se dëshiron një program të caktuar, fut të dhënat e veta të katër provimeve, të mesatares, formula përkatëse i nxjerr pikët. Këto pikë, në atë program studimi, i krahason me pikët e viteve më parë dhe e sheh se në ç’kuotë është, në raport me atë. I përafërt do të jetë vlerësimi, sepse dihet, nuk do të jenë ato pikët, me të cilat do të fitohet ky program studimi, ai është një raport kërkesë-ofertë në një farë mënyre dhe përcaktohet në fund pasi ka përfunduar aplikimi i gjithë maturantëve dhe konkurrentëve që kanë zgjedhur atë program studimi, por gjithsesi është një tregues e mirë që të jep mundësinë që ta krahasosh veten dhe shanset për ta fituar atë program studimi. Afati i fillimit të tij mund të jetë 10 ditshi i tretë i korrikut dhe aplikimi do të bëhet online, pranë shkollave ku edhe kanë aplikuar edhe për A1-in, apo A1Z-në.

Deri kur ka afat plotësimi i A2?

Nuk janë përcaktuar, pasi jemi ende herët, do të publikohen në momentin e duhur dhe do të vihen në dispozicion në mënyrën më të mirë për t’u aksesuar nga maturantët.

Ja cilat janë lëndët më të zgjedhura nga maturantët

Dhe më parë kemi thënë që lëndët më të zgjedhura janë ato të qytetarisë. Në vend të dytë është anglishtja që ka një numër të lartë ashtu si dhe në vitet e kaluara dhe kjo është e lidhur me interesat e maturantëve; në radhë të parë me rëndësinë që i është kushtuar viteve të fundit anglishtes si lëndë, si program mësimor dhe si lëndë e promovuar të themi, por edhe interesi i maturantëve pasi dihet që ajo si lëndë ka një koeficient të lartë për pranimet në universitete. Më tej vijojmë me histori, gjeografi, biologji, ekonomitë e thelluara dhe bërthamë etj.