Alfons Harizaj:Datat e publikimit të rezultateve për provimin e Maturës Shtetërore dhe rregullat që duhen ndjekur

470
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj

Ditën e sotme rreth 49 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të Maturës Shtetërore. Në ndryshim nga vitet e kaluara këtë vit maturantët do të jenë nën masa të rrepta monitorimi me qëllim moskopjimin. Në lidhje me këto provime dhe me rregulloren e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. Zoti Harizaj ka bërë të ditur se, niveli i testit do të jetë mesatar ashtu si edhe vitin e kaluar. “Nga 25 pyetje në total 13 prej tyre do të jenë me alternativa ndërsa 12 do të jenë pyetje me zhvillim. MASH edhe për këtë vit ka përcaktuar se pyetjet me alternativa do të kenë 1 pikë ndërsa 12 pyetjet me zhvillim do të vlerësohen në total me 37 pikë. Testi për provimet e detyruara do të ketë maksimalisht 50 pikë. Provimet e detyruara sipas udhëzimit të MASH do të zgjasin jo më shumë se 2 orë e 30 minuta”, bëri të ditur zoti Harizaj.

 -Zoti Harizaj, sot është provimi i parë i Maturës Shtetërore, si është niveli i testit?

-Po, ky është provimi i parë i lëndëve me zgjedhje për maturantët e Maturës Shtetërore 2012-2013. Dhe niveli i testit është mesatar ashtu si edhe vitin e kaluar. Provimet e maturës do të fillojnë në orën 10 në datat e përcaktuara nga MASH. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbaj 25 pyetje. Nga 25 pyetje në total 13 prej tyre do të jenë me alternativa ndërsa 12 do të jenë pyetje me zhvillim. MASH edhe për këtë vit ka përcaktuar se pyetjet me alternativa do të kenë 1 pikë ndërsa 12 pyetjet me zhvillim do të vlerësohen në total me 37 pikë. Testi për provimet e detyruara do të ketë maksimalisht 50 pikë. Provimet e detyruara sipas udhëzimit të MASH do të zgjasin jo më shumë se 2 orë e 30 minuta.

 -Çfarë rregullat duhet të ndjekin maturantët për të mos u skualifikuar nga provimi?

-Po janë disa rregulla që duhen zbatuar nga maturantët në mënyrë që të mos s’kualifikohen nga Provimi. Së pari maturantët nuk duhet të shkojnë me telefona me vete pasi do të përjashtohen që në momentin e parë, pasi do kontrollohen me detektor plus që janë të instaluar edhe zhurmuesit në salla që nuk do lejojnë që të kopjohet. Po ashtu maturantët ndëshkohen nëse ata nuk qëndrojnë në vendin e caktuar gjatë provimit. Skualifikohen nga provimi nëse ato tentojnë që të kopjojnë edhe tek shoku që kanë përkrah.

 -Pas sa ditësh dalin rezultatet e provimit të Gjuhë-Letërsisë ?

-Zakonisht afati i nevojshëm për korrigjimin e provimeve është 2 javë ose 15 ditë, ashtu siç është bërë edhe vitet e kaluara. Me një përllogaritje të thjesht i bie që rezultatet të dalin nga data 14 ose 15 qershor. Pasi duhet pasur parasysh që duhet një kohë e caktuar për korrigjim e testeve nga grupet e punës.

 -Në sa qendra do të bëhen korrigjimet e testeve të provimeve të Maturës?

-Korrigjimi i testeve do të bëhet në 6 qendra. Ku dy qendra do të jenë në Tiranë dhe katër qendra të tjera do të jenë në rrethe. Kryesisht do të ketë një qendër në Elbasan, një qendër tjetër do të jetë në Korçë, një do të jetë në Shkodër dhe një do jetë në Fier.

 -Si do të procedohet për provimet me zgjedhje, çfarë duhet të kenë parasysh maturantët?

– Provimet e Maturës Shtetërore 2013, të detyruara dhe me zgjedhje, të fillojnë në orën 10:00. Procedurat e hartimit të testeve të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje përcaktohen në “Rregulloren për procesin e Maturës Shtetërore 2013 në Republikën e Shqipërisë”, nr. 35 prot., datë 07.01.2013. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Provimet e detyruara të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje të zgjasin 3 orë. Maturantët/kandidatët që do të japin provim të MSh njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 11.00 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13.00. Ata do ta zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

 -Si do të bëhet ruajta e testeve të maturës, a ka ndryshuar ndonjë gjë në këtë drejtim?

-Po, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, organizon transportin e materialeve e provimeve, ruajtjen e mjediseve në shkolla, në AKP dhe në qendrat e vlerësimit të testeve. Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimeve bëhet me procesverbal. Pas përfundimit të provimit, AP i dorëzon me procesverbal PAP testbroshurat e plotësuara nga çdo maturant/kandidat, të ndara sipas llojit të testit. Test-broshurat e plotësuara, ato të papërdorura si dhe materialet e tjera të provimit, PAP i mbyll në kuti në prani të përfaqësuesit të KMSH-së dhe AKP. Kutia e mbyllur vuloset nga drejtori i shkollës, në mjediset e së cilës zhvillohet provimi. Në rast të grupimit në një mjedis të maturantëve/kandidatëve nga shkolla të ndryshme, përdoret vula e shkollës pritëse. Kur provimi zhvillohet në mjedise të tjera, jo shkolla, atëherë kutia vuloset nga drejtori i shkollës që ka numrin më të madh të maturantëve/kandidatëve. Përfaqësuesi i KMSH-së dhe PAP dorëzojnë me procesverbal në KMSH kutinë me materialet e provimit. Pas përfundimit të provimit, përgjegjësi i DAR/ZA-së shoqëron kutitë e mbyllura dhe të vulosura dhe i dorëzon ato në AKP.

Provimet e tjera të Maturës Shtetërore

Në datën 14 qershor do të jepet provimi i dytë i detyruar në Matematikë. Menjëherë pas provimeve të detyruara maturantët do të kenë 15 ditë kohë për t’u përgatitur për provimet me zgjedhje. Të dy provimet me zgjedhje do të zhvillohen në datën 29 qershor dhe me dhënien e tyre përfundon procesi i testimit dhe fillon vlerësimi i provimeve. Nëse maturantët gjatë vitit të fundit nuk arrijnë të kalojnë vitin atëherë nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në provimet e maturës. Ministria e Arsimit sqaron se deri në datën 23 maj Agjencia Kombëtare e Provimeve do të ketë listën me emrat e të gjithë nxënësve mbetës, të cilët do të çregjistrohen menjëherë nga lista e provimeve të detyruara dhe të provimeve me zgjedhje.

Kriteret për qendrat dhe mjediset e provimit

Qendrat ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

– Të ketë jo më pak se sa 150 maturantë/ kandidatë;

-Në shkollat ku numri i maturantëve dhe i kandidatëve të marrë së bashku është më i vogël se 150, KMSH-ja grupon shkollat dhe cakton qendrën ku do të zhvillohen provimet. Maturantët/kandidatët e shkollave private do t’i zhvillojnë provimet e Maturës në të njëjtat qendra dhe mjedise me maturantët e shkollave publike.

Mjediset ku do të zhvillohen provimet e MSH-së, të plotësojnë këto kritere:

-Të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara;

-Të jenë të mjaftueshme për të paktën 15 maturantë. (Domosdoshmërish të përdoren mjediset më të mëdha të qendrave të provimit);

-Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet; si majtas-djathtas, ashtu dhe para-prapa;

-Maturantët/kandidatët ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim;

-Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40 x 60 cm.