Alfons Harizaj:Datat 6 dhe 7 gusht në dispozicion të maturantëve, që s’kanë plotësuar dot formularin

537
Sigal

Intervistë/Kreu i AKP-së, Alfons Harizaj: Deri më tani kanë plotësuar A2-in, 1/3 e kandidatëve për studentë

Deri më tani kanë plotësuar formularin maturantët e  Qarkut Tiranë dhe Elbasan. Sot fillojnë me plotësimin e A2-it maturantët e Qarkut Fier. Deri më sot e kanë plotësuar formularin rreth 1/3 e maturantëve që pritet të aplikojnë për të vazhduar studimet e larta. Këtë e konfirmon për “Telegraf” kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj. “Do ketë një shtyrje, datat 6 dhe 7 gusht i kemi menduar që të jenë shtyrje të hapura për aplikim nga të gjithë maturantët që nuk kanë mundur të plotësojmë formularin A2”, shpjegon Harizaj. Më tej ai shpjegon të gjithë mënyrën sesi një maturant duhet të plotësojë A2 dhe çfarë duhet të ketë kujdes që ky aplikim të jetë i suksesshëm dhe në favor të maturantit. Gjithashtu Harizaj i tërheq vëmendjen maturantëve për të kontrolluar saktësinë e të dhënave të tyre pas daljes së librit të transparencës, që të mund t’i korrigjojnë pastaj në AKP. Ndërsa fituesit priten të shpallen nga mesi i shtatorit.

 Si po funksionon plotësimi i formularit A2?

Aplikimi i formularit A2, sipas grafikut, mbyllet ne datën 5, pra data 5 është data e fundit. Do ketë një shtyrje, datat 6 dhe 7 gusht i kemi menduar që të jenë shtyrje të hapura për aplikim nga të gjithë maturantët që nuk kanë mundur të plotësojmë formularin A2. Por përfundimin përkatës do ta nxjerrim në datën 4 ose 5 për mënyrën sesi do të veprohet për datat 6 dhe 7 gusht. Duket se çdo gjë funksionon shumë mirë. Maturantët janë shumë komodë me faqen e aplikimit. Janë 6 fusha të cilat çdo maturant duhet t’i plotësojë që sistemi ta lejojë për të vazhduar aplikimin. Maturanti së pari fut ID-në e Maturës Shtetërore, emër, atësi, mbiemër. Vijon me numrin e kartës së identitetit, numër personal në kartën e identitetit dhe në fund adresën e email-it. Sistemi, kur i gjen të dhënat të plotësuara saktë, i hap në këtë rast faqen e vet me të pesë rezultatet që janë; 4 provimet e maturës dhe pikët mesatare, ose nota mesatare për ata maturantë që kanë mbaruar para 2011-ës. Po ashtu ai gjen dhe bllokun e të dhënave të veta personale të lidhura me emrin dhe me shkollën dhe ato i verifikon nëse janë të sakta, apo jo, për t’i replikuar më pas, kur të dalë libri i transparencës që të rregullojë se çfarë është e pasaktë. Pastaj maturanti fillon me përzgjedhjen e programeve të studimit, me përzgjedhjen deri në 10 preferenca. Është një listë e ngarkuar në sistem me të gjitha programet e studimit. Ai do të zgjedhë deri në 10 programe studimi, mund të zgjedhë dhe më pak, por jo më shumë se 10. Për çdonjërën, që zgjedh, i llogariten pikët dhe i dalin në ekran. Me këtë rast ai dhe këshillohet sesa pikë ka pasur dhe sa mundësi ka për ta vendosur këtë përzgjedhje në listën e preferuar apo jo, duke e krahasuar me pikët e fituesit të fundit të viteve të kaluara. Kur e gjen me vend, ai e vendos. Dhe mandej kur ka vendosur për të gjitha, duhet të vendosë dhe në ç’mënyrë duhet t’i rendisë, se sistemi është sistem meritë-preferencë, ka rëndësi renditja. Në rastin kur maturanti mund t’i fitojë të gjitha programet e studimit që ka zgjedhur, pra i ka pikët për t’i fituar, sistemi do i përzgjedhë vetëm një dhe do i përzgjedhë atë që gjen të parën në listën e renditur. Këtë duhet ta ketë shumë mirë parasysh maturanti.

Te preferencat duhet të vihen dhe ato degë që janë me konkurrim, por maturanti i ka prioritet?

Po, kjo vlen edhe për ata që kanë zgjedhur degët me konkurs, dhe ata e dinë mirë shpërndarjen e pikëve, sa i kanë nga konkursi, sa i kanë nga Matura, plus mesataren. Dhe për ta funksionon në këtë mënyrë, të zgjedhin preferencën e caktuar dhe zakonisht ata zgjedhin preferencat e para ato programe studimi që janë me konkurs. Konkurset janë diku nga java e parë e shtatorit.  Rezultatet për të gjithë maturantët priten të jenë në mes të shtatorit, siç janë shkruar në udhëzimet përkatëse dhe siç ka qenë në vitet e shkuara. Maturantit, në vijim të plotësimit të formularit, u ka vajtur mesazhi në adresën e email-it: Ju plotësuat me sukses formularin A2 dhe  preferencat që zgjodhët janë këto (në listën që ka preferencat). Kandidati mund të ruajë formatin e dokumentit në pdf, në word, ose në excel, të plotë siç është formulari me preferencat e zgjedhura në adresën  e vet elektronike, ose mund ta printojë atë nëse dëshiron dhe ka eksesin e një printeri aty afër ku aplikon. Sistemi sivjet ka qenë tërësisht on-line, në kuptimin që maturanti mund ta bëjë aplikimin e vet nga çdo pajisje që ka shërbim interneti, jo detyrimisht në shkollë, ai mund të plotësojë formularin nga shtëpia, nga internet kafeja nga telefoni i tij, etj.

Deri tani sa kanë aplikuar?

Shifrat ndryshojnë rast pas rasti. I bie që të kenë aplikuar afërsisht 1/3 e maturantëve të pritshëm. Të presim dhe ditët në vijim. Pas përfundimit, në datën 5 gusht do të kemi një shifër të përgjithshme.

Ndonjë degë e preferuar në veçanti ka dalë në pah?

Të preferuarat nuk mund t’i shikojmë ende, por besoj se edhe sivjet, do të jenë të njëjtat degë që janë pëlqyer vjet.

Pas shtyrjes së afatit për plotësimin e A2, çfarë procesi vjen më pas?

Del libri i transparencës. Çdo shkolle i shkon libri i transparencës dhe maturanti duhet të shohë të dhënat e veta, atë që ka plotësuar në sistem, pikët e llogaritura për çdo preferencë, bllokun me të dhënat personale. Ai duhet të shohë me kujdes të dhënat që i kanë dalë, se i krahason shumë lehtë, di vetë t’i llogarisë, di vetë kush janë të dhënat e tij personale dhe i intereson në fund të fundit të kërkojë, që në rastin kur ato janë të paplota dhe të pasakta t’i plotësohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Mund të ketë një të dhënë të pasaktë për emrin, në mesatare ose në bllokun e të dhënave personale. Këto ndodhin në raste të rralla, por sidoqoftë ata duhet ta kenë në vëmendje për ta shqyrtuar me kujdes dhe për të  mbajtur shënim se çfarë është e pasaktë, për ta rregulluar më pas tek ne për fazën finale të shpalljes së fituesve.

Kur mendohet që të shpallen fituesit?

Nga mesi i shtatorit.