Alfons Harizaj: “Mundësitë që do të kenë maturantët mbetës për vitin 2013 dhe ndryshimet e rregullores”

567
Sigal

Mbyllen afatet për plotësimin e formularit A1Z, për të gjitha kategoritë e maturantëve

Maturantët që nuk mund të kalojnë në provimet e Maturës Shtetërore do të kenë edhe një mundësi të dytë në vjeshtë. Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Telegraf” Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj. Ai bën të ditur se: “Mbetësit kanë të drejtë të ritestohen në sesionin e vjeshtës, për t’u pajisur me diplomën e maturës, me qëllim përfitimin e një të drejte studimi në një prej fakulteteve të vendit. Duke iu referuar përvojave të kaluara, edhe sivjet provimet e vjeshtës do të zhvillohen nga mesi i muajit shtator, ndërsa pritet publikimi zyrtar i datave nga Ministria e Arsimit. Maturantët që rezultojnë fitues në sezonin e vjeshtës aplikojnë në universitete, e kundërta ndodh me mbetësit, të cilët do të duhet të presin vitin tjetër për t’u testuar sërish”. Njësoj si vitin e kaluar, edhe sivjet, Drejtoritë Arsimore Rajonale do të udhëzohen për regjistrimin e maturantëve mbetës që dëshirojnë të riprovohen në sezonin e vjeshtës, ndërsa do të mbeten jashtë ata që nuk paraqesin kërkesën në përputhje me rregulloren. Rregullorja e provimeve të këtij viti parashikon që kush rezulton mbetës në një prej testeve të këtij sistemi, ka të drejtë të testohet sërish për një shans të dytë në sezonin e vjeshtës. E megjithatë, mbetet në fuqi e drejta e maturantëve mbetës për të dhënë provimet edhe vitin e ardhshëm. Sipas zotit Harizaj, Ministria e Arsimit pas korrigjimit të 4 provimeve, pritet që brenda datës 15 shtator të publikojë listën paraprake të fituesve. “Do të jenë tri mundësitë që do të kenë maturantët për të qenë pjesë e universiteteve dhe tri mundësi për t’u pajisur me diplomën e Maturës Shtetërore 2013. Ky është plani që ka përgatitur Ministria e Arsimit për t’u ardhur në ndihmë maturantëve. Pavarësisht se ishte hedhur ideja për ndryshimin e mundësive për konkurrimin në universitet, duket se përsëri dhe këtë vit shanset për të fituar do të jenë të larta”, shprehet Harizaj.

Shtohen shanset për maturantët mbetës

Këtë vit do të jenë tri faza që do të kalojë çdo kandidat për të mësuar nëse do të jetë fitues për në shkollën e lartë. Kështu, faza e parë do të jetë nëpërmjet fituesve paraprakë. Ministria e Arsimit, pas korrigjimit të 4 provimeve, pritet që brenda datës 15 shtator të publikojë listën paraprake të fituesve. Kjo listë quhet “paraprake”, pasi shumë kandidatë nuk regjistrohen për në universitet dhe në këtë mënyrë u jepet një mundësi atyre që janë më poshtë në listë për të fituar. Pas listës paraprake do të jetë faza e fituesve përfundimtarë. Në këtë fazë ka ndryshime rrënjësore dhe ulje të nivelit të pikëve. Kandidatët që do të studiojnë jashtë dhe ata që do të regjistrohen në universitetet private do t’u lënë vendin maturantëve të cilët janë afër tyre me pikë. Pas regjistrimeve përfundimtare MASH ashtu si një vit më parë do të nxjerrë përsëri formularin A3. Ky formular do të plotësohet nga 2 kategori, nga ata kandidatë që nuk do të kenë fituar në asnjë degë si dhe nga ata kandidatë që edhe pse kanë vazhduar universitetin, pretendojnë për një degë më të mirë. Vitin e kaluar niveli i pikëve me formularin A3 pësoi një ulje drastike ku shumë degë që me fituesit përfundimtarë ishin kapur me 5550 pikë, me formularin A3 arritën deri në 4900 pikë. Me formularin A3 mbyllen të gjitha fazat e konkurrimit për në shkollën e lartë.

Rregullat strikte për provimet

Në 31 maj të gjithë maturantët do të testohen në provimin e Gjuhë-Letërsisë. Në 14 qershor do të jetë provimi i Matematikës dhe 29 qershor do të jepen provimet me zgjedhje. Provimet do të nisin në orën 10:00. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbaje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim dhe të cilat vlerësohen me 37 pikë gjithsej. I gjithë testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (që vlerësohem me 1 pikë secila), dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar.

Propozohet rritje e pranimeve me 9% për universitetet

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka propozuar rritje kuotash për ato programe studimi që ofrojnë mundësi integrimi në tregun e punës. Kuotat e pranimit në universitet publike këtë vit akademik pritet të kenë një rritje prej 9% dhe së shpejti propozimet do të dërgohen për miratim në Këshillin e Ministrave. Sipas Ministrisë së Arsimit, rritje të pranimeve të studentëve do të ketë në degët e kërkuara. Rritje kuotash do të shtohen për ato programe studimi që ofrojnë mundësi integrimi në tregun e punës. Që prej dy vjetësh rritje kuotash ka pasur në degët e Teknologjisë së Informacionit, të ekonomisë dhe biznesit. Universiteti Politeknik ka kërkuar të pranojë këtë vit akademik në të gjitha ciklet e studimit 3508 studentë, bashkë me trojet. Degët prioritare mbeten Teknologjia e Informacionit dhe ato të Arkitekturës, të kthyer tashmë në fakultet. Arkitektura do të pranojë 160 studentë, ndërsa pritet të nisin studimet për Urbanistikë 110 studentë. Ndërsa Universiteti i Tiranës ka propozuar 5203 kuota për studentët e ardhshëm.

Farmacistët mbetës, ngelen gjysma në provimin e shtetit

Më shumë se gjysma e të sapodiplomuarëve në farmaci kanë mbetur në provimin e shtetit. Këtë fakt e bën publik Urdhri i Farmacistit në Tiranë, ku sipas kreut të saj Arjan Jaupllari kjo shifër tregon një nivel shumë të dobët përgatitjeje të farmacistëve të rinj. Sipas tij një nga shkaqet është hapja pa kriter e universiteteve private të cilat vetëm mbipopullojnë tregun e punës me farmacistë dhe askush nuk merret me  kontrollin e cilësisë. “52.8 përqind kanë ngelur dhe 47.8 përqind kanë kaluar. Rezultatet tregojnë që niveli i studentëve që vijnë nga universitetet private është shumë i dobët. Ka aq shumë universitete private sa me farmacistët që do mbarojnë këto universitete do furnizojmë të gjithë Europën dhe të gjithë botën. Ka aq shumë farmacistë sa çdo kush nga çdo pallat do të ketë farmaci nesër” tha Arjan Jaupllari. Jaupllari thotë se duhet të  forcohen  kriteret në përzgjedhjen e të rinjve që do të studiojnë farmaci. “Kërkojmë edhe më tepër ndryshimin e pragut të provimit të shtetit të shkojë nga 50 pikë në 70 pikë apo vendosjen e penaltisë që të bëhet një skualifikim i saktë dhe të rritet cilësia e studentëve që mbarojnë universitetet për farmaci”, tha Jaupllari. Të gjitha këto kërkesa,  Jaupllari thotë se  ia ka  drejtuar  autoriteteve të arsimit, por deri tani ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Po në të njëjtin nivel një vit më parë, dolën dhe infermierët, ku më shumë se 50 përqind e tyre mbetën  në provimin  e shtetit.