Alfons Harizaj: “Afatet e plotësimit të Formularit A1 dhe kategoritë e Formularit A1Z”

550
Sigal

Intervista/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj

Prej disa ditësh maturantët që ndjekin shkollën në vitin shkollor 2012-2013, janë duke plotësuar Formularin A1. Pas plotësimit të Formularit A1, do të fillojë plotësimi i Formularit A1Z, i cili do të jetë për të gjitha kategoritë e tjera me përjashtim të atyre maturantëve që janë duke ndjekur studimet aktualisht. Për afatet kohore dhe procedurat që duhen ndjekur ka folur në një intervistë për “Telegraf” Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve Alfons Harizaj.

-Zoti Harizaj, prej disa ditësh ka filluar plotësimi on-line i Formularit A1, si po shkon ky proces dhe cilat janë afatet kohore?

-Po, prej disa ditësh maturantët janë duke plotësuar Formularin A1. Ashtu siç është bërë e ditur edhe në media Formulari A1 plotësohet on-line. Dhe procedura e plotësimit po të bëhet sipas një udhëzimi të veçantë që është nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Duhet nënvizuar fakti që Formularin A1 e plotësojnë vetëm maturantët e vitit shkollor 2012 – 2013. Plotësimi i Formularit A1 fillon në Portalin Qeveritar dhe përfundon në Portalin Matura On-line në shkollën që caktohet nga DAR/ZA. Ashtu siç është bërë e ditur edhe në udhëzim, procesi i plotësimit të Formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti, mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës, ku plotësohen formularët A1. Listat ruhen deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2013. Ndërkohë që afati i mbylljes së aplikimit për Formularin A1, nuk është caktuar saktësisht, por pritet që të bëhet e ditur data e saktë javën që vjen.

 -A ka pasur probleme aplikimi on-line dhe çfarë dokumentesh duhet të kenë më vete maturantët në momentin që bëjnë aplikimin?

-Maturanti për plotësimin e Formularit A1 on-line duhet të plotësojë të dhënat personale sipas këtyre hapave. Tek pika 1, (numri personal i letërnjoftimit ID), maturanti shënon numrin e tij personal që ka në dokumentin e identifikimit. Për të dhënat 2-5, pasi maturanti bën plotësimin, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nuk lejon të vazhdohet aplikimi, nëse ka pasaktësi. Tek pika 6, maturanti shënon në fushat përkatëse, numrin e telefonit dhe adresën e e-mail-it, të cilat duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të Maturës Shtetërore 2013, me qëllim që ai (maturanti) të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Nëse maturanti nuk ka telefon, ose nuk dëshiron të shënojë numrin e telefonit, atëherë shënon mbikëqyrësi numrin e tij të telefonit. Më pas plotësohen të dhënat shkollore. Të dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës ku bëhet aplikimi. Për plotësimin saktë të kërkesave të këtij grupimi, maturanti dhe mbikëqyrësi duhet të marrin informacion të saktë dhe të plotë për rubrikat përkatëse: Plotësohen nga maturanti. Tek pika 7, maturanti zgjedh nga lista “Prefekturën” që përfshin shkollën ku po studion. Tek pika 8, (emri i qytetit/fshatit), plotësohet automatikisht nga sistemi emri i qytetit/fshatit ku ndodhet shkolla ku po studion, në varësi të plotësimit të pikës 9. Tek pika 9, (emri i shkollës ku studion), maturanti zgjedh nga lista emrin e shkollës ku po studion. Më pas do të plotësohen nga mbikëqyrësi. Tek pika 10, (indeksi i profilit), plotësohet automatikisht nga sistemi në varësi të zgjedhjes së pikës 11. Tek pika 11, (emërtimi i profilit) mbikëqyrësi plotëson emrin e profilit/degës.

 -Po zgjedhja e lëndëve me zgjedhje si do të bëhet nga maturanti?

-Si fillim maturanti plotëson në pikën 12 klasën dhe paralelin e klasës ku po studion. Tek pika 13, maturanti zgjedh nga lista Po ose Jo. Janë dhe të dhënat lëndore që plotësohen nga maturanti. Tek pika 14, maturanti zgjedh nga lista lëndët Z1 dhe Z2 që dëshiron të japë provim. Zgjedhja e lëndëve Z1 dhe Z2 bëhet në përputhje me Udhëzimin nr. 35, datë 27.11.2012, në të cilin theksohet: Numri i lëndëve që do të zgjidhen duhet të jetë detyrimisht 2 (dy). Shuma e krediteve të dy lëndëve që zgjidhen, duhet të jetë jo më e vogël se 8 (tetë). Kur zgjidhet një lëndë bërthamë, nuk mund të zgjidhet e njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e detyruara). Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, pavarësisht nëse ka bërë ose jo në shkollë. Maturantët e shkollave artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat artistike”. Maturantët e shkollave profesionale mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat profesionale”. Teoria profesionale është e zbërthyer në profile sipas indeksit të shkollave dhe maturanti mund të zgjedhë vetëm një prej tyre.

 -Po në Formularin A1Z, cilët kategori do të përfshihen?

-Në formularin A1Z, do të përfshihen të gjitha kategoritë e tjera të maturantëve që nuk janë duke ndjekur studimet këtë vit shkollor. Kur themi të gjitha kategoritë kam parasysh, personat që nuk janë shpallur fitues vitin e kaluar, të gjithë personat që kanë mbaruar studimet jashtë shtetit. Me pak fjalë aty do të përfshihen të tërë personat që janë të interesuar për të ndjekur studimet e larta në institucionet publike me përjashtim të maturantëve që janë sivjet në shkollë.

 -Kur fillon plotësimi i Formularit A1Z, për kategoritë e personave që përmendët më sipër?

-Në fakt nuk ka ndonjë datë të përcaktuar saktësisht se kur do të fillojë plotësimi i Formularit A1Z. Por aktualisht, është e rëndësishme që të mbyllet faza e plotësimit të Formularit A1. Dhe menjëherë pas mbylljes së këtij formulari do të hapen procedurat për plotësimin e Formularit A1Z, për të gjitha kategoritë e tjera me përjashtim të maturantëve që janë në shkollë këtë vit.

 -Një çështje më vete janë edhe maturantët që kanë studiuar jashtë shtetit. Si do të jenë procedurat për këta maturantë?

– Shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit, kanë të drejtë të vazhdojnë studimet e larta në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm, zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë se provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e detyruar ose të mesëm në shkolla me program në gjuhën shqipe.

Dokumentet e maturantëve që mbarojnë jashtë

Me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës, në MASH, ngrihet një Komision i Posaçëm për të shqyrtuar kërkesat e maturantëve/kandidatëve për njëvlershmërinë e arsimit të mesëm. Shtetasit e përmendur në piken 1 të këtij neni, paraqesin pranë këtij Komisioni, deri më 25 prill 2013, këto dokumente:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL;

‘b) Dëftesën/Diplomën origjinale, së bashku me listën e notave të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara;

c) Kopjen e dokumentit të identifikimit.