Akuza e Ramës për arsimin, reagon MASH: Po fyen të rinjtë 15- vjeçarë dhe prindërit e tyre

48

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar ditën e djeshme ne lidhje me akuzat që ka bërë lideri i opozitës në lidhje me sistemin arsimor në Shqipëri. Në reagimin e bërë publik për mediat thuhet se: “Sot Rama hodhi një shashkë tjetër në vazhdën e sulmit kundër arsimit shqiptar. Pasi nuk arriti të bindë shqiptarët, se 15 në 100 veta, janë analfabetë, sot nxori një strategji tjetër sipas secilës 57 për qind e nxënësve, nuk kuptojnë se çfarë lexojnë dhe kjo sipas tyre bazohet në vlerësimin PISA 2009?!

Zoti Rama fyen të rinjtë 15- vjeçarë, fyen prindërit e tyre. Sikur zoti Rama të kishte takuar në jetën e tij qoftë edhe dy të rinj nxënës 15-vjeçarë atëherë do të kishte kuptuar fyerjen që u bën atyre, marrëzinë që thotë për arsimimin e tyre, reformat e bëra në arsim”. Po ashtu në njoftim thuhet se: “Pasi ka fyer mësuesit, infermierët, policët, studentët, tani ka nisur të fyejë edhe nxënësit. Në fakt e vërteta është krejt tjetër. Studimi PISA 2009, faktoi që Shqipëria, ishte një ndër 3 vendet nga 65 të vlerësuara, që kishte bërë progresin më të madh  në krahasim me vitin 2000, kur qeveriste PS.  PISA, është vlerësim me besueshmërinë më të lartë dhe me një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e politikave arsimore në mbarë botën”. Sipas MASH nga raporti i PISA 2009, duhet nënvizuar se:

• Ne jemi vlerësuar si një ndër tre vendet me rritjen më të madhe në krahasim me rezultatet e mëparshme. Përkatësisht, Shqipëria është vlerësuar më 36 pikë më shumë se në vitin 2000, në fushën kryesore të lexuarit dhe të kuptuarit. PISA vërtetoi se Shqipëria në vitin 2009, kishte bërë progres të dukshëm në rezultatet e aftësimit të nxënësve 15 vjeç, krahasuar me vitin 2000, kohë kur qeveriste PS.

• Vendi ynë ka ngjitur 5 shkallë në renditjen përfundimtare, në bazë të performancës së arritjeve të nxënësve, të matura nga ky vlerësim, në krahasim me vitin 2000.

Rezultatet e arritura janë inkurajuese për të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollave tona. Pra nga këto të dhëna duket qartë që nxënësit shqiptar konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre dhe kjo falë punës së shkëlqyer të mësuesve dhe shkollave tona. Çdo përpjekje për të denigruar arsimin tonë dhe punën e mësuesve tanë si edhe investimin e familjeve shqiptare për shkollimin e fëmijëve tanë, është pjesë e strategjisë së Ramës për ta nxirë Shqipërinë.