Akademiku Jorgaq Kaçani: Konkursi, vendimtar për fituesit në Arkitekturë dhe Urbanistikë, edhe nëse konkurrentët janë më pak se

588
Sigal

Intervistë/Akademiku Jorgaq Kaçani, rektori i UPT-së: Ja risitë për këtë vit akademik

Deri më sot ka vajtur në 220 numri i kandidatëve që janë regjistruar për konkursin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës, proces i cili do të vazhdojë deri në datën 27 gusht. Akademiku Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, rektor i Universitetit të Politeknikut, tregon në intervistën për “Telegraf”, se numri i kandidatëve që kanë përzgjedhur si preferencë të parë Arkitekturën dhe Urbanistikën, sipas A2, është 800, ku 499 prej tyre i kanë kërkuar të dyja degët, kurse pjesa tjetër ka përzgjedhur vetëm Arkitekturën. “Deri tani janë regjistruar 220 vetë në total, ndërsa kërkesat ne i kemi për 250, duhet të kemi parasysh që janë dhe 4 ditë. Dhe pavarësisht numrit që do të regjistrohen, konkursi do të zhvillohet, pasi kemi kërkesa dhe në Arkitekturë dhe në Urbanistikë”, shprehet Kaçani. Gjithashtu Kaçani tregon për procedurat e konkursit, për mënyrën e përzgjedhjes së vlerësuesve, çfarë duhet të kenë parasysh kandidatët për të dalë sa më mirë në konkurs, por edhe për risitë e Universitetit Politeknik për këtë vit akademik.

Profesor Kaçani, aktualisht në Universitetin Politeknik të Tiranës, po bëhet regjistrimi për konkurs i kandidatëve për studentë në degën e Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndërsa janë shpallur edhe datat e konkurseve. Çfarë duhet të kenë parasysh konkurrentët para hyrjes në konkurs për të pasur një rezultat sa më të mirë?

Unë dua të theksoj faktin që sivjet dega e Arkitekturës dhe Urbanistikës janë në një fakultet më vete, kështu që kontigjenti i parë që vjen dhe do të regjistrohet në shtator, është një kontingjent që fillon me një fakultet të ri, i cili është krijuar në shkurt të këtij viti dhe është një risi për Universitetin Politeknik të Tiranës me një njësi të re bazë, pra me një fakultet të ri që është Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës. E veçanta e këtij viti është se kuotat e pranimeve për këto dy degë janë 250 dhe në qoftë se do ta krahasojmë me 5 vjet më parë, kur kemi pasur vetëm 80 kuota, është bërë më shumë se trefishimi i numrit të studentëve që do të regjistrohen në Arkitekturë dhe Urbanistikë. Këto degë janë të ndara. Në qoftë se më parë, ndarja bëhej pas vitit të tretë, tani ndarja bëhet që në fillim të vitit të parë, ku nga 250 kuota, 150 janë për Arkitekturë dhe  100 janë për Urbanistikë. Kandidatëve që do të konkurrojnë (nga konkursi merren 60 pikë, ndërsa 40 pikë merren nga matura shtetërore, në total pra 100 pikë), u është dhënë programi dhe mbi bazën e këtij programi ata përgatiten. Ata mund të përgatiten dhe me konkurse private, por dhe individualisht, në mënyrë që të plotësojnë të gjitha kërkesat që ka programi, i cili parashikon njëkohësisht edhe pyetjet që do t’i drejtohen kandidatëve gjatë konkursit, që zhvillohet në dy data, në 3 dhe 4 shtator. Pra, nëse më parë konkursi zhvillohej në tri ditë, risia e sivjetshme është se konkursi do zhvillohet në dy ditë, pasi dy rubrika janë bashkuar në një, pra rubrika e parë ku edhe është bërë bashkimi do të jetë me 40 pikë, kurse rubrika e dytë do të ketë 20 pikë, në total pra do të jenë 60 pikë që kandidati duhet të përpiqet për të fituar në konkurs.

A do të jenë të mbrojtur nga ndërhyrjet, pra a do të marrin ç’ka meritojnë, kandidatët për studentë që konkurrojnë në degën e Arkitekturës dhe Urbanistikës?

Kjo është e sigurt dhe e padiskutueshme. Duhet të keni parasysh që konkursi  do të jetë i sekretuar dhe është një konkurs ku studenti identifikohet vetëm pasi është bërë vlerësimi total, pra pasi kanë dalë pikët totale. Bëhet sekretimi i fletëve nëpërmjet barkoreve, dhe më pas bëhet identifikimi i personit se kujt i përkasin dhe mbi bazën e kësaj, bëhet renditja e fituesve për konkursin, por nga ana tjetër, pastaj këto i dërgohen AKP-së e cila edhe në bazë të rezultateve të Maturës Shtetërore, bën pastaj renditjen përfundimtare të kandidatëve fitues dhe pastaj kandidatët fitues i përcillen Universitetit Politeknik për të vazhduar procedurën e regjistrimit.

Po për sa i përket komisionit të vlerësimit?

Vlerësuesit dhe pse janë përcaktuar më parë, lajmërohen pasi ka mbaruar puna e studentëve. Kështu, ata lajmërohen në çastin e fundit për t’u grumbulluar dhe për të bërë vlerësimin, dhe mbahen aty derisa të mbarojnë gjithë procesi. Secili bën vlerësimin e vet dhe pastaj mblidhet vlerësimi i të gjithë vlerësuesve ose anëtarëve të komisionit dhe kështu del vlerësimi për secilin kandidat. Duhet pasur parasysh se ne kemi pasur  anëtarë të komisionit të vlerësimit, si të brendshëm, edhe të jashtëm, po numri i anëtarëve të jashtëm ka ardhur duke u reduktuar dhe duke i dhënë peshën kryesore anëtarëve, të cilët janë pedagogë në Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Është një vlerësim shumë rigoroz, siç ju thashë dhe më lart është totalisht i kodifikuar dhe asnjë s’mund të bëjë identifikimin e fletës me personin të cilit i përket. Vetëm pasi mbaron vlerësimi, bëhet identifikimi i personit me rezultatin që i takon tezës së provimit që ai ka bërë.

Sa zgjat periudha e vlerësimit?

Periudha e vlerësimit nuk zgjat më shumë se sa dy ditë, për të mos thënë dhe një ditë, pra fillon dhe vazhdon dhe natën, derisa të mbarojë. Pra me të filluar dhe mbaron, nuk është se ka ndonjë ndërprerje.

A shpallen rezultatet nga Universiteti?

Rezultate shpallen, kandidatët shikojnë rezultatet, mund të ketë prej tyre që mund të kenë reklamime, atëherë bëhet dhe ankimimi. Mblidhet komisioni i shqyrtimit të ankesave që kanë bërë kandidatët, bëhet kontakti me personat e komisionit të rivlerësimit me kandidatët, pastaj bëhet shpallja përfundimtare e rezultateve, e cila i dërgohet AKP-së, që bën renditjen përfundimtare mbi bazën e pikëve të konkursit dhe të Maturës Shtetërore. AKP bën dhe shpalljen përfundimtare të listës.

Cilat janë risitë e këtij viti akademik?

Risi kemi, që viti akademik do të fillojë me një fakultet të ri, Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Gjithashtu fillojmë dhe me master të rinj: Kemi master shkencor në Inxhinieri Ekonomike; master profesional në Mekatronikë ; do kemi master profesional në Inxhinieri Elektrike; master profesional në Teknologjinë e Informacionit; dhe nga ana tjetër do të kemi edhe masterin Elektronika në Mjekësi që do të jetë në fakultetin e Teknologjisë së Informacionit.

Po prurje të reja në mësimdhënie a do të ketë?

Ne kemi bërë kërkesat për pedagogë të rinj nëpër departamente, të cilët kanë përcaktuar kriteret, kanë kaluar në Dekanat dhe janë në Rektorat. Javën që vjen do të bëjmë shpalljen në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ku dhe bëhet shpallja e kritereve. Deri në datën 15 shtator kandidatët duhet të paraqesin dosjet, do të bëhet dorëzimi i dosjeve dhe do të shpallen kandidatët fitues duke respektuar gjithmonë Ligjin e Arsimit të Lartë që parashikon ngritjen e një komisioni nga Dekani, me përbërës tre nga departamenti, ku është Shefi i Departamentit dhe Përgjegjësit e Grupeve të Lëndëve, ka 1 përfaqësues nga Dekanati dhe një nga Rektorati. Pas vlerësimit bëhet shpallja e fituesit, i dërgohet Rektorit, i cili shikon nëse janë respektuar ose jo kriteret dhe pastaj bëhet shpallja e fituesit me të cilin lidhet kontrata.

Dhe sa është numri i pedagogëve që do punësohen?

Numri mund të shkojë në 20-25 veta që ne parashikojmë për të marrë me fillimin e ri akademik, pasi do të kemi jo vetëm pedagogë të rinj, por do të kemi dhe persona që mbushin moshën e pensionit, të cilët duhet të zëvendësohen me pedagogë të rinj.

Arkitektura/ Nga 800 kandidatë sipas A2, deri tani janë regjistruar 220

Sa është numri i kandidatëve sipas A2 që kanë përzgjedhur të jenë konkurrentë për Arkitekturë dhe Urbanistikë?

Sipas A2,  janë rreth 800 persona, prej të cilëve 499 kanë kërkuar dhe Urbanistikë dhe Arkitekturë, ndërsa pjesa tjetër kanë kërkuar vetëm Arkitekturë.

Çfarë ndodh me konkurrentët që kanë zgjedhur vetëm Arkitekturën nëse nuk marrin vlerësimin e duhur për ta arritur atë?

Ata mbeten jashtë kualifikimit, nëse kanë kërkuar vetëm Arkitekturën. Pra, të drejtën për t’u kualifikuar dhe në Arkitekturë dhe në Urbanistikë e ka ai kandidat që i ka kërkuar të dyja, patjetër që ai s’do të shpallet fitues në atë që ka renditur të parën dhe pastaj nëse nuk arrin në Arkitekturë, ai kalon në Urbanistikë, nëse ai ka rezultat të tillë që të shpallet fitues në Urbanistikë.

Deri tani profesor sa kandidatë janë regjistruar?

Deri tani janë regjistruar 220 vetë në total, ndërsa kërkesat ne i kemi për 250, duhet të kemi parasysh që janë dhe 4 ditë. Dhe pavarësisht numrit që do të regjistrohen, konkursi do të zhvillohet, pasi kemi kërkesa dhe në Arkitekturë dhe në Urbanistikë dhe meqenëse kërkesat për Arkitekturë janë më të mëdha sesa vendet, atëherë konkursi do të zhvillohet, dhe në bazë të pikëve do të shpallet dhe fituesi.