Akademik Jorgaq Kaçani: Dizajni, dega e re në Universitetin Politeknik. Një shans më shumë për maturantët

1289
Sigal

Flet Akademik Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Politeknik: Konkursi i Arkitekturës do të shtrihet për gjatë gjithë vitit akademik. Përzgjedhja e studentëve sipas rezultateve

Konkursi i Arkitekturës dhe Urbanistikës do të shtrihet për gjatë gjithë vitit akademik dhe në mbarim të tij do të përzgjidhen pastaj, sipas rezultateve që kanë dhënë, studentët që do të vazhdojnë Arkitekturën dhe Urbanistikën. Studentët të cilët nuk arrijnë të kualifikohen për këto dy degë do të futen në degën e re të Dizajnit që do të hapë këtë shtator Universiteti i Politeknikut. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” Akademik Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës. “Nëse ne marrim një kontingjent prej  250 maturantësh, 150 për Arkitekturën dhe 100 për Urbanistikën, atëherë, mbi bazën e rezultateve të vitit të parë, vetëm 80% e atyre që do të zgjedhin Arkitekturën do të vazhdojnë këtë degë dhe 80% e atyre që kanë zgjedhur Urbanistikën, mbi bazën e rezultateve do të vazhdojnë këtë degë, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë përsëri në fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, por në degën e Dizajnit”, shprehet prof Kaçani. Ndërsa mbështet fort reformën në maturën Shtetërore dhe e sheh si një hap pozitiv vlerën që po i jepet mesatares së 3 viteve të shkollës së mesme dhe ndërsa shton se MAS duhet të shikojë mundësinë e rankimit të shkollave të mesme të Shqipërisë që edhe nota e nxënësit të ketë vlerën e duhur, pasi sipas kacanit një 8 e gjimnazit të Tiranës nuk mund të jetë e njëjtë me një 8 të shkollave të tjera në periferi. Gjithashtu reforma financiare në arsimin e lartë ka qenë në vëmendjen e kësaj interviste. Profesor Kaçani tregon dhe propozimet e Universitetit Politeknik mbi skemën e re të financimeve për universitetet. Sipas tij “shteti të financojë sidomos në investimet kapitale, si dhe buxhetin për rrogat. Ndërsa, përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës apo përmirësimit të bazës laboratorike, universitetet publike t’i nxjerrin nëpërmjet të ardhurave që ata do të sigurojnë. Por ajo që kemi kërkuar dhe që është për t’u nënvizuar është që universitetet publike të dalin si aktorë në ekonominë e tregut”, shprehet Kaçani.

  Profesor Kaçani, tashmë kanë dalë koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe të shkollave për maturantët. Ato janë propozuar nga universitetet dhe nuk e di nëse ka pasur ndryshime në koeficientet që universiteti juaj ka propozuar?

Koeficientet që parashikohen për lëndët me zgjedhje nga Universiteti Politeknik janë koeficientë specifikë, për vetë natyrën e formimit inxhinierik, ku lëndët e formimit të përgjithshëm natyror; matematikë, fizikë dhe kimi kanë prioritetet e veta, kështu që koeficientët për këto lëndë do të jenë në vlerë më të madhe sesa për lëndët e tjera. Më pas bëhet dhe seleksionimi mbi bazën e kritereve që do të vendosen për pikët që do të arrihen në fund të Maturës Shtetërore, duke u mbështetur në rezultatet 4-vjeçare të shkollës së mesme dhe të provimeve të lëndëve me zgjedhje që ata zgjedhin në Maturën Shtetërore.

 Reforma arsimore ka kapur të gjitha nivelet e arsimit si ato parauniversitare, ashtu dhe arsimin e lartë. Dhe një ndër reformat që po bëhet në arsimin parauniversitar është dhe Matura Shtetërore. Duket se prioritet po i jepet mesatares së shkollës së mesme. A është e drejtë kjo përparësi që po i jepet mesatares së 3 viteve?

Vlera që i jepet mesatares për 3 vitet e studimit, unë e quaj një hap pozitiv, sepse është një ecuri 3-vjeçare që nxënësi i ka vënë objektiv vetes për të arritur rezultatet, nuk e le këtë në rastësi, apo në mundësitë që mund të ketë në lëndët e provimit përfundimtar të Maturës Shtetërore, të detyrueshme, apo dhe të lëndëve me zgjedhje. Personalisht, do ta vlerësoja maksimalisht që mesatarja e formimit për 3 vitet të zërë vendin e vet në vlerësimin që do t’i bëhet maturantëve në përfundim të Maturës Shtetërore. Këtë e them për vetë faktin se një ecuri 3-vjeçare e bën nxënësin që të jetë shumë më i impenjuar, shumë më i angazhuar, me kontribut personal maksimal, për të mos thënë, pse jo, edhe për të shfrytëzuar kontribute të tjera të mjedisit që e rrethon, por që të rrisë nivelin e vet për kërkesat që ai i ka vënë dhe për rezultatet që do të arrijë në lëndë të caktuara gjatë studimeve në shkollën e mesme. Provimi i fundit është një provim që ka emocionet e veta, ka ndikimet e veta, të papriturat e veta, por megjithatë dhe pesha e tyre merret parasysh në vlerësimin e pikëve të Maturës Shtetërore. Personalisht, jam i mendimit se niveli apo vlera e notës nuk është e njëjtë për të gjitha shkollat e mesme. Për shembull, them që një 8 në gjimnazet e Tiranës nuk është e njëjtë me një 8 në një shkollë të mesme në zonat periferike, për të mos folur për qytetet e tjera. Pavarësisht kësaj, vlera e kësaj në llogaritjen e Maturës Shtetërore është e njëjtë. Këtu duhet patur pak kujdes dhe unë them që MAS ka mundësi që mbi bazën e një ecurie disa vjeçare që Matura Shtetërore është në fuqi, të jepte përfundimet e veta që nxënës të gjimnazeve dhe nga shkolla të mesme të ndryshme kanë arritur në universitete të ndryshme, degët që kanë preferuar dhe arritjet që ata kanë patur, në mënyrë që të shihet dhe mundësia e një pozicionimi apo qëndrimi që duhet mbajtur ndaj gjimnazeve të ndryshme, duke bërë dhe rekomandime pastaj për degët, ku ata duhet të shkojnë.

 Ndoshta jeni duke thënë që edhe shkollat e mesme të kenë koeficientët e tyre, në bazë të arritjeve që ato kanë?

Pa dyshim dhe gjimnazet të kenë koeficientët e tyre mbi bazën e arritjeve që nxënësit ose studentët, ose produkti i tyre ka në universitete. Kjo do të bëjë që reforma arsimore mos të përfshijë vetëm arsimin e lartë, por reforma duhet filluar që nga cikli i ulët, 9-vjeçar, në të mesmen, në mënyrë që ecuria të jetë e vazhdueshme dhe kërkesat të jenë në linjë të vazhdueshme dhe mos t’i lihen vetëm gjykimit të rezultateve në shkollën e lartë. Pra kjo duhet pasur parasysh, sepse është një defekt që e ka gjithë Matura Shtetërore. Ndërsa  mundësinë që i jepet një kandidati për të vazhduar universitetin, unë e quaj pozitive, sepse një personi i lihen 10 mundësira për të përzgjedhur mbi bazën e rezultateve.

Këtu duhet të dallojmë se çfarë rezultatesh ke arritur dhe çfarë dëshirash ke. Në qoftë se do të shohim dëshirën, ndoshta të gjithë kanë dëshirën që të shkojnë në Mjekësi. Mirëpo këtë dëshirë e ka dhe ai që ka 5000 pikë, por është vetë fakulteti i Mjekësisë, pastaj, që mbi bazën e kuotave që ka dhe mbi bazën e e pikëve zbret nga kufiri maksimal deri në një kufi të caktuar dhe bën seleksionimin e vet. Kjo do të thotë që nëse unë si nxënës kam dëshirë të vazhdoj për Mjekësi, atëherë unë gjatë gjithë viteve të studimit të shkollës së mesme duhet të kem rezultate të tilla maksimale, në mënyrë që të kem mundësi për të vazhduar këtë degë. Kjo se shumë veta thonë që erdha në këtë degë, por nuk ishte dëshira ime për të ardhur këtu. Kjo nuk është dëshirë, por është rezultati i punës që ti ke bërë mbi bazën e rezultateve që ke arritur dhe të takon ky vlerësim apo kjo degë që të marrësh. Është njësoj si një provim, që vlerësohesh mbi bazën e njohurive që ke, notat janë nga 4 deri te 10. Që të marrësh 10, duhet të mësosh shumë. Atëherë, për të marrë degën që ti dëshiron, duhet të mësosh, të marrësh maksimumin e mundshëm në mënyrë që ti të dalësh pretendent për atë degë. Pra, edhe për mua matura i jep gjithsecilit atë çka i takon, mbi bazën e rezultateve që ai ka arritur në shkollën e mesme.

 Meqë jemi te maturantët, si rezultoi cilësia e atyre, të ardhur këtë vit shkollor në Universitetin Politeknik?

Unë them me kënaqësi se sasia e pikëve të maturantëve, të cilët ndjekin fakultetet e inxhinierive në Universitetin Politeknik të Tiranës ka ardhur duke u rritur nga viti në vit dhe kjo tregon se cilësia e maturantëve që vazhdojnë Universitetin Politeknik ka ardhur duke u përmirësuar, le të themi një cilësi relative. Se nuk mund të themi që një 8 e këtij viti është e njëjtë me 8 e një viti më parë, apo pikët e këtij viti, po themi nga ana cilësore, janë të njëjtat me ato të një viti më parë. Por nëse do t’i referohemi sasisë së pikëve, ajo ka ardhur gjithmonë në rritje në degët e inxhinierisë së Universitetit Politeknik të Tiranës.

 Le të kthehemi te Arkitektura. Ju, që vjet keni kërkuar që të hiqet konkursi. Po për këtë vit, a vazhdon të jetë kjo kërkesë e universitetit tuaj?

Ne jemi në fazën e dërgimit të kërkesës sonë në MAS. Përsa i përket konkursit të Arkitekturës, këtu dua të bëj një saktësim, nuk është se konkursi është hequr. Nëse më parë bëhej një konkurs për 2-3 ditë me tema të caktuara dhe pastaj kandidatit i jepej e drejta për të vazhduar Arkitekturën apo Urbanistikën, tani është menduar që konkursi të shtrihet gjatë gjithë vitit shkollor. Kjo do të thotë që nëse ne marrim një kontingjent prej  250 maturantësh, 150 për Arkitekturën dhe 100 për urbanistikën, atëherë, mbi bazën e rezultatateve të vitit të parë, vetëm 80% e atyre që do të zgjedhin Arkitekturën do të vazhdojnë këtë degë dhe 80% e atyre që kanë zgjedhur Urbanistikën, mbi bazën e rezultateve do të vazhdojnë këtë degë, ndërsa pjesa tjetër do të kalojë përsëri në fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, por në degën e Dizajnit, degë e re në bachelor që do të hapet në këtë fakultet, e cila është një degë shumë e kërkuar dhe për të cilën tregu ka nevojë dhe kërkesa.

 Dizajni do të hapet për këtë vit akademik?

Po, kjo degë do të hapet në shtator. Kemi përgatitur planet e programet mësimore, është miratuar në Këshillin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, do të kalojë në Senat dhe pastaj në Komisionin e Akreditimit në MAS.

 Të kthehemi te postmatura, te përzgjedhja e kandidatëve për studentë. A është e mira që përzgjedhja të bëhet nga universitetet?

Për mua shumë mirë është që të bëhet nga universitetet dhe ndoshta është më e mira, në mënyrë që universiteti mbi bazën e kontigjentit që ka, të bëjë dhe përzgjedhjen e vet. Kjo ndoshta duhet ti shkojë për shtat dhe kandidatit, që ardhja në universitet, mos të jetë ndoshta një detyrim mbi bazën e 10 preferencave, por duke e përzgjedhur vetë Universitetin Politeknik dhe fakultetin përkatës. Pra, është një zgjedhje që e bën me dëshirë dhe universiteti pastaj të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve mbi bazën e rezultateve që ata kanë arritur.

Reforma po bëhet dhe në arsimin e lartë, për të cilën është ngritur dhe një grup pune. Cili ka qenë propozimi juaj si universitet, përsa i përket reformës financiare?

 Reforma financiare ka në vetvete prioritet performancën e universiteteve që ka lidhje edhe me akreditimin.

Pra a e shikoni te drejtë që në bazë të performancës së vlerësuar, të jetë edhe kontributi financiar?

Pa dyshim që është e drejtë dhe është një vlerësim që i jepet performancës së çdo universiteti dhe mbi bazën e performancës së tij të jetë dhe investimi nga ana e shteti për universitetet publike. Pra, po e theksoj për universitetet publike, se nëse universiteti privat do të dalë në kushte të tilla, atëherë ai duhet të shndërrohet në një organizëm jo fitimprurës, që të ketë mekanizma të veçanta supervizimi që ta detyrojnë atë që të jetë jo fitimprurës dhe të jetë në kushte të barabarta. Pra, për investimin në universitete, patjetër, që performanca duhet të ketë vlerën e vet, por kjo kërkon në mënyrë urgjente që të bëhet dhe akreditimi i universiteteve. Dhe më pas, mbi bazën e akreditimit, të bëhet dhe rankimi i universiteteve në mënyrë që të dihet se kush është në vijën e parë, kush e kalon pragun e akreditimit, kush nuk e kalon, çfarë kushtet duhet të plotësojë për të bërë akreditimin dhe ky duhet bërë padyshim urgjentisht në mënyrë që performanca të marrë vlerat e veta në kushtet e vlerësimit të mbështetjes financiare që duhet t’i jepet universiteteve publike të arsimit të lartë. Ne si Universitet Politeknik kemi bërë vlerësimin e brendshëm të cilësisë, e kemi bërë konform të gjitha normave, rregullave dhe standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare, kemi çuar raportin e vlerësimit të të gjithë aktiviteteve, të kurrikulave, të programeve të studimit, të Bachelorit, Masterit dhe Doktoraturës në Agjencinë e Akreditimit të Arsimit të Lartë, kemi kërkuar që të bëhet dhe vlerësimi i jashtëm, në mënyrë që pas kësaj të bëhet dhe vlerësimi për akreditimin e Universitetit Politeknik. Ne jemi në pritje të një vlerësimi të jashtëm, jemi të vetmit që kemi ngritur dhe një Qendër Vlerësimi të Brendshëm të Cilësisë pranë Universitetit Politeknik. Ajo që është një detyrim ligjor të cilën Ministria  e Arsimit me kohë duhet ta kishte realizuar, sepse që nga viti 2007 që doli Ligji i Arsimit të Lartë parashikonte që për 3 vjet duhet të kishte mbaruar akreditimi i universiteteve, pra duhej të kishte mbaruar që para 4 vjetësh. Është një nevojë jetike akreditimi i universiteteve. Dhe akreditimi i universiteteve të mos bëhet vetëm për planet dhe programet mësimore, duhet të bëhet akreditimi i gjithë aktiviteteve të universitetit, duhet bërë akreditimi edhe i menaxhimit të universiteteve dhe i marrëdhënieve që ka universiteti me të tretët, pra, kam parasysh këtu jo vetëm brenda vendit, por dhe marrëdhëniet që ky universitet ka me universitetet jashtë vendit.

Reforma financiare, Kaçani: Universitetet publike, aktorë në ekonominë e tregut

 Është ngritur një komision nga MAS për reformën në arsimin e lartë, e cila do të prekë në radhë të parë ligjin që ka nevojë për përmirësimin, sepse dhe natyra e arsimit është e tillë që, mundësisht, vit pas viti kërkon përmirësime, siç kërkojnë përmirësime edhe planet dhe programet mësimore, ashtu siç edhe ndryshimet në ekonominë e tregut imponojnë kërkesa të tilla që të kemi ndryshime në planet dhe programet mësimore. Pra, në arsimin e lartë reforma është e vazhdueshme dhe nuk mund të mendohet asnjëherë për ndërprerje të reformës. Përsa i përket reformës financiare ne kemi çuar propozimet tona në MAS. Ne kemi propozuar që Ministria e Arsimit dhe e Sportit, pra, shteti si shtet të ketë përgjegjësinë e vet për zhvillimin e investimeve në institucionet publike të arsimit të lartë sidomos në investimet kapitale, të cilat duhet të jenë përgjegjësi e shtetit dhe përsa i përket financimit të buxhetit për rrogat. Ndërsa, përsa i përket përmirësimit të infrastrukturës apo përmirësimit të bazës laboratorike, universitetet publike t’i nxjerrin nëpërmjet të ardhurave që ata do të sigurojnë dhe këtu kam parasysh përmirësimin e bazës laboratorike, përmirësimin e bibliotekës, kualifikimin e stafit akademik, kryerjen e studimeve të ndryshme. Por ajo që kemi kërkuar dhe që është për t’u nënvizuar është që universitetet publike të dalin si aktorë në ekonominë e tregut. Kur themi si aktorë, të jemi në kushte të barabarta me të gjitha universitet private, ose si të gjithë entet apo aktorët e tjerë në ekonominë e tregut dhe kjo do të thotë që universitetet publike dhe Universiteti Politeknik, në mënyrë të veçantë, për vetë specifikat që ka, për vetë degët që mbulon, të na jepet e drejta për të bërë recensa, për të bërë oponenca, për të bërë supervizime, për të bërë projekte edhe për të bërë implementimin e projekteve, pse jo, në mënyrë që të ardhurat në Universitetin Politeknik të jenë të tilla që ta reduktojnë në minimum kontributin që shteti do të japë për investime në universitetin publik dhe në mënyrë të veçantë për universitetin tonë. Janë degë inxhinierike, siç ju thashë pak më parë, me një gamë të tërë, që marrin përsipër kryerjen e projekteve të ndryshme në të gjitha fazat e veta, pa patur nevojë për njeri tjetër. Duhet të kemi parasysh që në universitete janë stafe akademike më të kualifikuara, me një potencial shkencor të justifikuar, është ajka e një vendi, ku përgatiten kuadrot dhe në këtë mes, të ardhurat, që do të sigurohen, do të jenë të mjaftueshme për Universitetin Politeknik të Tiranës, apo për Universitetin Bujqësor të Kamzës, për Fakultetin e Mjekësisë, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me prodhimin. Shteti, për mua, duhet të ketë politika të tilla mbështetëse, që duke e nxjerrë universitetin publik në ekonominë e tregut si aktor t’i japë prioritet aktiviteteve të universiteteve, në mënyrë që të ardhurat, që sigurojnë këto universitete, të jenë të konsiderueshme dhe të ardhurat e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë në investimin e trurit të këtyre universiteteve, në mënyrë që edhe kontributi që do të japë shteti, të jetë sa më i vogël.