Akademia e Shkencave: Këshilli Ndërakademik diskuton zgjidhje në përsosje të standardit. Nuk mund të rrëzojë vendimet e Kongresi

562
Sigal

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka reaguar pas diskutimeve të mediave të shkruara dhe vizive për punën e Këshillit Ndërakademik Gjuhësor Shqiptar dhe ndryshimet që propozohen në lidhje me shqipen standarde. “Në median e shkruar dhe elektronike është shkruar e është folur shumë për shqipen standarde dhe për KNGJSH, madje me një politizim disa herë të tejskajshëm’ thuhet në njoftimin për shtyp të akademisë saë shkencave duke kujtuar se diskutimi shkencor nuk pajtohet me politizimin e standardit të shqipes dhe të veprimtarisë së KNGJSH-së. “Në këndvështrimin shkencor me standardin merren gjuhëtarët, por për atë kanë nevojë më parë e më shumë shteti, që të komunikojë me shtetasit e vet në situata ligjërimore zyrtare me të njëjtin variant gjuhësor, pra, me një standard gjuhësor, sikundër edhe shoqëria civile në marrëdhënie me shtetin dhe me grupet sociale në situata të tilla ligjërimore. Në këtë drejtim standardi gjuhësor është edhe një mjet i fuqishëm bashkues kombëtar. Nuk mund të mendohet të ketë abetare, ligje, tekste mësimore, media etj. në çdo të folme, nëse nuk duam të ngremë një “kullë të Babilonit” a “kullë të Babelit” brenda kombit tonë. Në këtë mënyrë standardi i shërben politikës kombëtare të bashkimit, larg politikave partiake të përçarjes” thuhet në njoftim. Akademia e Shkencave u përgjigjet shqetësimeve të shprehura në media “për shkak të mosnjohjes së vërtetës” për “shembjen e themeleve të Kongresit të Drejtshkrimit”, apo se “po merreshin vendime që ndryshonin drejtshkrimin e sotëm”, në ndryshim të standardit duke kujtuar arsyen e ngritjes së Këshillit Ndërakademik. “Ishte marrëveshje e dy akademive, të Shqipërisë e të Kosovës, “si organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe me zhvillimin e shqipes standarde”, për t’iu përgjigjur kështu edhe porosisë së Kongresit të Drejtshkrimit që “Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe .. çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare” dhe “Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet e plotësimet e duhura”. Anëtarët e Këshillit e të grupeve të punës nuk janë “akademikë” e “të ditur” në thonjëza, por gjuhëtarë të njohur, me kontribute thelbësore për gjuhën shqipe dhe me integritet moral të padiskutueshëm, që me përkushtim e përgjegjësi i studiojnë çështjet e diskutojnë si të ruajnë gjithçka që është bërë mirë dhe të propozojnë ato ndryshime që sjellin njësim, plotësim, përmirësim e përsosje të standardit. Këtu përfshihet edhe pasurimi i standardit nga dialektet. Themelimi i KNGJSH mbështetet edhe në parimin që standardi nuk është organizëm i ngrirë dhe nuk mbrohet duke e ngurosur, por duke e pasuruar e duke e përsosur. Vetë standardi zhvillohet e ndryshon, sado ngadalë, ka çështje të drejtshkrimit që nuk janë trajtuar në veprat kodifikuese të hartuara pas Kongresit, të tjera që nuk i kanë qëndruar kohës, zgjidhje të ndryshme për të njëjtën dukuri, përjashtime e rregulla që mund të thjeshtohen e të njësohen etj. Këto kërkojnë që, siç porositi Kongresi, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet e plotësimet e duhura””,  thuhet në njoftimin për shtyp të Akademisë.  Në njoftim theksohet se Këshilli Ndërakademik nuk ka tagër të marrë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar, ai diskuton e propozon zgjidhje që mendohet se e përsosin standardin. Këshilli nuk ka fuqi ligjore të rrëzojë vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit. “Jo për mungesë transparence, por pikërisht për të mos çoroditur praktikën gjuhësore, zgjidhjet e propozuara nga Këshilli nuk janë botuar zyrtarisht nga akademitë, që të mos merren si vendime për t’u zbatuar në gjithë praktikën gjuhësore; as është hartuar ndonjë “kod i ri” i drejtshkrimit të shqipes. Pas përfundimit të diskutimeve në Këshill, ato do të botohen e do t’i nënshtrohen një diskutimi të gjerë e të hapur për të marrë një formë përfundimtare, që duhet të shqyrtohet nga një forum shkencor i ligjëruar nga shteti (qeveritë a parlamentet), i cili i miraton, nuk i miraton a i ndryshon. Tani Këshilli ka përpara për diskutim disa çështje të zbatimit të standardit në shkollë, në publicistikë, në dokumentacionin zyrtar, çështje të njësimit të terminologjisë, të huazimeve leksikore etj’, thuhet në njoftim.