Abuzimi me 750 milionë lekë në Universitetin ‘A. Moisiu’ Durrës, Prokuroria nis hetimet

512
Sigal

Pas denoncimeve, organi i akuzës kërkon bashkëpunimin e KLSH-së. Godina u inaugurua nga ish-Kryeministri Berisha në maj 2013, po sot është shkatërruar

Objekti i Korpusit Qendror të Universitetit të Durrësi, ndërtuar vetëm 11 muaj më parë, ka nisur të shkatërrohet. Tenderi i objektit i diktuar politikisht nuk kishte se si të kishte një fat tjetër. Po ashtu edhe punimet e kryera me shpejtësinë e dritës. Që në hyrje, tek recepsioni pikon tavani sa herë bie shi, ndërsa dyert e brendshme, banjat e godinës dhe mjaft ambiente të tjera, ku janë montuar dyer, janë prishur dhe nuk mbyllen mirë. Studentët shprehen se, “për të vajtur në banjë nuk e mbyllim derën, sepse ato nuk puthiten, kanë marrë lagështi dhe nuk dihet se me çfarë lloj druri janë punuar, po ashtu edhe dhe ashensorët vazhdimisht kanë defekte, duke na lënë shpesh me minuta të tëra brenda tyre, me probleme janë edhe sallat e mëdha të leksioneve dhe provimeve”.

Rekrutimi i stafit, një tjetër problem

Normalisht në Universitetin e Durrësit, ka një komision që merret me rekrutimin e stafit, i cili mbledh CV-të dhe organizon edhe konkurset sipas rregullores dhe ligjit. Në fund përcaktohet edhe renditja e kandidatëve nga i pari tek i fundit dhe sipas kësaj renditje duhet të fitojë kandidati i parë, por e fakt fiton gjithmonë miku apo ai që ka paguar gjobën tek “shefi madh”. Mjaft konkurrentë që kanë mbaruar Universitetin e Tiranës dhe prej vitesh janë edhe pedagogë të jashtëm, kanë konkurruar por janë “skualifikuar” pasi nuk kanë gjetur mikun dhe nuk kanë paguar gjobat tek sekseri. Çdo gjë në Universitetin e Durrësit e vendos Rektori, i cili nuk pyet fare për komisionin që është ngritur posaçërisht për rekrutimin e pedagogëve të rinj. Mjaft zëra, madje edhe nga pedagogë të këtij universiteti kanë denoncuar në “Telegraf” format dhe metodat e dyshimta të rekrutimit të pedagogëve të rinj, të cilët nuk plotësojnë në shumicën e rasteve asnjë kriter profesional e ligjor të pranimit. Kjo u vërtetua edhe në rastin e arrestimeve të tre prej tyre në 2-3 muajt e fundit të denoncuar dhe akuzuar për korrupsion, falsifikim e shpërdorim detyre. Mësohet se strukturat e hetimit janë duke u marrë seriozisht me problemin dhe denoncimet e ngritura nga një pjesë e stafit që kundërshton prej vitesh mënyrën e rekrutimit të pedagogëve të rinj.

11 muaj më parë, përurohet kampusi Universitar i Durrësit

Plot 11 muaj më parë Universiteti i Durrësit në faqen e tij elektronike kishte të nënvizuar ndër të tjera edhe këto rreshta. “Durrësi tashmë ka ndërtesën e parë të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu”, një investim me vlerë prej 750 milionë lekësh. Ambientet e ndërtesës së re me 26 auditorë u vizituan nga Kryeministri Berisha, i cili foli për një perspektivë suksesi, jo vetëm kombëtare. zoti Berisha tha se ka dobësi, por politikat arsimore të ndjekura dhe nuk mund t’i hedhim poshtë ato. Universiteti në vitin e shtatë pas çeljes përbëhet nga 7 fakultete dhe ofron 51 programe studimi Bachelor, Master dhe 1 program doktoraturë. Tani ai parashikohet t’u shërbejë më shumë se 25.000 studentëve”.

11 muaj më pas, objekti drejt degradimit

Fiks 11 muaj më pas, dhe kjo nuk ka ndodhur askund, madje edhe në vendet më të humbura të globit, objekti i ri universitar, që u shpall edhe “ylli i ri polar i pakonkurrueshëm ndër universitetet e vendit”, ka nisur degradimin. Askush nuk merr publikisht përgjegjësinë, askush nuk e merr publikisht përsipër fajin, dëmin e shkaktuar parave të taksapaguesve të këtij vendi, askush nuk ka thirrur publikisht se, ky është skandal, ky është abuzim me fondet e shtetit. E vetmja që po denoncon këto shkelje dhe abuzime është “Telegraf”, e cila ndoshta rastësisht ka marrë përsipër të ndihmojë në misionin e saj edhe organin e akuzës, që kërkoi zyrtarisht bashkëpunimin institucional. Po pse duhet të heshtin pedagogët (ata që nuk janë marrë me mik por ata që e kanë fituar me dinjitet titullin) përse kjo heshtje vrastare në një kohë kur zëri intelektualit duhej të ishte më i fortë se kurrë, për të vendosur drejtësinë e munguar. Përse kjo heshtje vrastare, në një institucion akademik, kur pedagogët duhet të jenë idhujt e çdo qytetari të thjeshtë. Si ka mundësi që pedagogu, dekani, kancelari, pedagogu të mbyllin sytë dhe të pajtohen me rrënimin, abuzimin, shkeljet ligjore, diktatin e Rektorit dhe cilido tjetër, duke dalë dhunshëm nga koshienca dhe mentaliteti me të cilin ka marrë përsipër të militojë në rrugën e gjatë të kërkimeve shkencore. Padyshim mungesa e reagimeve, e nxjerrin çdo neglizhent, të përulur dhe të kompromentuar me shkelësit e ligjit. Objekti i ri, ende pa mbushur 1 vit, ka degraduar dhe ndoshta mund të kërkojë fonde të tjera shtesë, pasi si jashtë edhe brenda tij, janë dëmtuar si të ishin çerekshekullore.