A3 del nga qarkullimi, vendet bosh plotësohen me spostimin e listës së fituesve

500
Sigal

MAS/ Zbardhet Guida e maturantit, ku detajohen provimet e maturës, rregullat e provimit, formula e pikëve, formulari A2, pranimet në universitete

Në maj startojnë provimet e Maturës Shtetërore 2014, pikërisht me provimin e detyruar të gjuhës së huaj në datë 16 maj. Ministria e Arsimit dhe e Sportit për t’i ardhur në ndihmë maturantëve ka zbardhur Guidën e Maturantit, ku detajohen të gjitha proceset që shoqërojnë maturën shtetërore.

 Provimet e maturës

-Të gjitha provimet e Maturës zhvillohen vetëm me shkrim.

-Maturanti kandidati nuk quhet kalues, nëse ka marrë më pak se 20 % të pikëve të testit.

-Provimet e Maturës i jep maturanti i vitit shkollor 2013, 2014 që ka përfunduar me sukses vitin e fundit shkollor dhe ka plotësuar formularin A1. Gjithashtu, provimet e Maturës i jep kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme që ka marrë Dëftesë Pjekurie, ose Diplomën e Maturës Shtetërore dhe ka plotësuar formularin A1Z .

-Maturantët e vitit shkollor 2013- 2014 do t`i nënshtrohen provimit të detyruar të gjuhës së huaj, e cila do të jetë gjuha e huaj e parë që maturanti ka zhvilluar në shkollë. Testi për këtë provim do të jetë i nivelit A2. Rezultati i provimit D3 ( gjuha e huaj ), nuk merret parasysh në formulën përllogaritjet e pikëve për shpalljen e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, pajiset me diplomë. Maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me Dëftesë Pjekurie / Diplomë:

1. Nuk japin gjuhën e huaj si provim të detyruar

2. Pasi kanë fituar provimet e Maturës, marrin Diplomë dhe Certifikatë të Maturës Shtetërore.

-Diploma për të gjithë maturantët/kandidatët lëshohet vetëm një herë. Kandidati, i cili është pajisur me Dëftesë Pjekurie në vitet e mëparshme, si dhe shtetasit shqiptarë ose të huaj që vijnë nga jashtë shtetit ( të diplomuar ) dhe japin provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, nuk marrin Diplomë, por pajisen me vërtetim për rezultatet e provimeve të Maturës.

 Provimet e detyruara dhe me zgjedhje

-Provimet e detyruara dhe me zgjedhje fillojnë në orën 10:00

-Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.

-Provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë.

-Maturantët/kandidatët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provim në orën 10:00 dhe do të përfundojnë atë në orën 12:00.

-Testi për secilin për provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë.

-Testi vleresohet maksimalisht me 50 pikë.

– Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vleresohet maksimalisht me 40 pike.

– Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërorë kane të drejtën e provimit në sezonin e dytë.

 Detyrat dhe të drejtat e maturantit

1. Maturanti/kandidati paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit.

2. Maturanti/kandidati plotëson testin me stilolaps me ngjyrë (të zezë ose blu).

3. Maturantëve/ Kandidatëve me aftësi të kufizuara, të përkohshme ose të përhershme, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, përgjegjës për administrimin e provimit (PAP) autorizojnë një person jo të profilit për plotësimin e testit, sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga

Maturanti/kandidati.

4. Maturantëve/kandidatëve të paraburgosur, u sigurohen kushte për zhvillimin normal të provimeve në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë pa uniformë dhe pa armë.

5. Maturantët/kandidatët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori i provimit (AP)

 Rezultatet e provimeve

Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjete) ditë, pas çdo provimi të Maturës. Rezultatet publikohen ne faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

dhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

 Formulari A2

Për të fituar të drejtën e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik të Shqipërisë, çdo maturant/kandidat që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant/kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi.

 Sesioni i dytë i Maturës

Maturanti / kandidati, i cili nuk rezulton kalues në sesionin e parë të Maturës Shtetërore, në sesionin e dytë jep vetëm provimin (et) mbetës (e) të detyruara dhe me zgjedhje, në të cilat nuk është kualifikuar kalues. Datat e zhvillimit të provimeve të këtij sesioni shpallen me Udhëzim të posaçëm të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

 Pranimet në universitete

Pranimet në universitetet publike këtë vit do të mbyllet me formularin A2. Ndryshe nga praktikat e ndjekura gjatë maturave të fundit, sivjet Ministria e Arsimit ka vendosur që vendet bosh që mbeten në degë të ndryshme të fakulteteve pas fazës së parë të regjistrimeve, të plotësohen me spostimin e listës së fituesve, pa qenë nevoja që të rishpërndahen me formularin A3. Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit sqarojnë se këtë vit nuk do të ketë shtesa. Sipas tyre, i gjithë procesi parashikohet të mbyllet me dy raunde, formulari A1 dhe A2. Në raundin e parë që përkon me fazën e regjistrimit paraprak, të gjithë maturantët do të bëjnë regjistrimin në preferencat më të larta që janë shpallur fitues. Gjatë kësaj faze, maturantët që kanë aplikuar për studime jashtë vendit, apo ata që kanë zgjedhur qysh në fillim universitetet private, si dhe të tjerë që për arsye të ndryshme vendosin ta lënë garën, krijojnë vende të lira për ata që gjenden poshtë tyre. Pra, pas kësaj faze përzgjedhëse, në raundin e dytë do të bëhet spostimi i listës së fituesve, të cilët duhet të kryejnë edhe regjistrimin përfundimtar në programet e studimit ku rezultojnë të tillë në këtë raund. Sipas drejtuesve të Komitetit të Maturës Shtetërore, kuotat e paplotësuara pas raundit të dytë nuk do të rishpërndahen për t’u plotësuar me të tjerë kandidatë fitues, por do të “digjen”.

DATAT E PROVIMEVE

1. Gjuhë shqipe dhe letërsi 30 Maj

2. Matematikë 9 Qershor

3. Gjuhë e huaj 16 Maj

4. Provime me zgjedhje 18 Qershor

Formula e pikëve

Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë:

-M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe Gjuhë Shqipe” dhe Matematikë” dhe në ato me zgjedhje.

-K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficienti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IALP).

b) Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve/kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behet me formulën:

 S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5