A ka korrupsion në konkurrimin për Specializime?

753
Sigal

Kandidatë për specializantë të mjekësisë hedhin dyshime për vërtetësinë dhe korrektësinë e rezultateve të testimeve, apo dhe të intervistave me gojë. Ata kërkojnë nga ministrja e Arsimit përsëritje të testit, pasi, sipas tyre, disa syresh, të cilët kanë marrë 99, apo 100 % të pikëve, zor se arrijnë më të tilla rezultate (nëse do të ketë testim të ndershëm), madje edhe 50 % të pikëve nuk kapin dot. Kjo, falë arsyetimit për nivelin e përgatitjes të këtyre studentëve (shokëve të grupit) gjatë viteve të shkollimit. Insinuatat e kandidatëve për specializantë, sidomos të atyre të stomatologjisë, kanë nisur që në afishimin e rezultateve të intervistës me gojë, ku vetë studentët kishin bërë shënime në këto lista, duke ia dedikuar “mikut” 100 pikët e marra prej disa syresh. Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti janë zhvilluar në AKP testet për specializantët e mjekësisë. Por, edhe pse rezultatet e testimeve janë bërë të njohura për kandidatët, që pas përfundimit të çdo testi, deri më tani, këto rezultate nuk janë bërë publike. Kërkesës së “Telegraf” për zbardhjen e këtyre rezultateve, drejtorja e AKP-së, znj. Rezarta Vrapi iu përgjigj se “institucioni që ajo drejton vetëm sa monitoroi këto provime dhe rezultatet pas përfundimit të çdo testi i janë dërguar fakulteteve përkatëse dhe janë ata që i bëjnë publike”. Ndërsa Kancelari i Universiteti të Mjekësisë z. Mirjel Dollani u shpreh se “rezultatet e kandidatëve për specializantë, pas përfundimit të testimeve në AKP, do të përpunohen nga fakultetet përkatëse dhe më pas do të publikohen. Pra, pasi të mblidhen pikët e mesatareve, të intervistës me gojë dhe testimeve do të përpilohet lista me rezultatet përfundimtare të kandidatëve për specializantë, e cila do të zbardhet brenda këtyre 2 ditëve”.

 Çfarë nuk shkon me konkursin e zgjedhjes së specializantëve të stomatologjisë?

Në 5 Janar 2015, u zhvillua vlerësimi i mjekëve stomatologë që konkurronin për specialitete në degë të ndryshme. Çfarë nuk shkon nga procesi i konkursit të zgjedhjes së specializantëve në Fakultetin e Stomatologjisë të Universitetit të Mjekësisë? A mund të themi me bindje se përzgjedhja e konkurrentëve është bërë transparente? Bie në sy fakti se një grup prej 7 konkurruesish si në intervistën gojore, por edhe në testin e bërë me kompjuter, siguruan gati 100 % të pikëve të mundshme. Ndërkohë, për afro 55 prej konkurrentëve të tjerë pikët e siguruara nga vlerësimi me kompjuter luhateshin në rreth 50 – 60 %. Midis grupit të vogël që kanë siguruar gati 100 % të pikëve dhe shumicës së konkurrentëve ka një vakum dhe kjo do të thotë se diçka nuk shkon. Ka mundësi që ky vakum të jetë rastësi, ose këta 7 konkurrentë të jenë nga grupi ekselent. A mund të shpjegohet ky vakum, kur nota mesatare vjetore e këtyre konkurrentëve nuk përputhet me rezultatet e shkëlqyera në konkurrim? A ka mundësi që ata të kenë ditur paraprakisht tezën me 100 nga 3000 pyetjet që do të afishoheshin në kompjuter ditën e vlerësimit ose siç shprehen vetë konkurruesit, ata kanë pasur zotësinë për të gjetur derën e prapme të IT-së në Ministrinë e Arsimit? Përse Ministria e Arsimit nuk ka organizuar që përzgjedhja e testit të bëhej nga kompjuteri në mënyrë të rastësishme sipas numrit që përcaktohet nga vetë konkurruesit në momentin e fillimit të testit, përderisa softi kompjuterik, që disponon Ministria e Arsimit, e siguron këtë mundësi që garanton transparencë?