A janë të vlefshme kreditet e Bardhyl Musait për kualifikimin e mësuesve?

892
Sigal

Mësuesit blejnë kredite me 12 euro në seminarin e ish këshilltarit të Berishës

Sot është dita e dytë e Konferencës së 2-të Ndërkombëtare Arsimore e Shqipërisë, e mbajtur në Tiranë më 14 dhe 15 nëntor 2014. Ky forum zhvillohet nga organizata jofitimprurëse “Qendra për Arsim Demokratik” (CDE), themeluesi i të cilit është z.Bardhyl Musai, ish këshilltari për arsimin i Kryeministrit Sali Berisha. Në një nga shkrimet e datës 22 tetor, gazeta “Telegraf” denoncoi faktin sesi z. Musai ka arritur të penetrojë edhe në kupolën e MAS-it sot, për të vazhduar veprimtarinë e tij në lidhje me trajnimin e mësuesve. Në e-mailin dërguar të gjitha shkollave nga z. Musai, thuhej se do të zhvillohen edhe katër ëork-shop-e (seminare) një ditë përpara Konferencës, ku ftoheshin mësuesit të aplikonin përkundrejt një pagese prej 12 eurosh. Dhe sigurisht që pjesëmarrësit, mësues do të pajiseshin me një certifikatë me kredite. Sot, në ditën e dytë të Konferencës të zhvilluar nga ish këshilltari i Berishës ka mësues të cilët kanë blerë kredite me një çmim prej 12 erosh, që do të jenë pjesë e portofolit personal të tyre. Faktet qëndrojnë kokëforte, edhe pse MAS në reagimin e saj zyrtar, pas publikimit të shkrimit nga “Telegraf,” është shprehur “se z. Bardhyl Musai nuk është pjesë e asnjë programi që po zbatohen për reformimin e sistemit tonë arsimor. Për pasojë, z. Musai, nuk kryeson apo mbështet ndonjë projekt për kualifikimin e stafeve pedagogjike të shkollave në qarkun e Durrësit”. Gjithashtu, në reagimin e saj, MAS është shprehur se “nuk ka miratuar ndonjë program kualifikimi kundrejt pagesës prej 12 eurosh, sikundër pohon shkrimi i botuar në këtë gazetë”. Porse në faqen zyrtare të Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA) është publikuar njoftimi për “Vlerësues të moduleve/programeve të trajnimit” ku thuhet se “Bazuar në Udhëzimin nr.26, datë 18.08.2014 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit “Për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë”, “Listës së nevojave të identifikuara për zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve në arsimin parauniversitar për periudhën 2014-2016”, miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Sportit me nr.7227 prot, datë 01.10.2014 dhe në “Rregulloren e brendshme për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm” me nr.154 prot. datë 28.03.2014 të IZHA-s, njoftohen të gjithë personat e interesuar se IZHA shpall kërkesën për “Vlerësues të moduleve/programeve të trajnimit””. Ky njoftim bie ndesh me reagimin e MAS, pasi IZHA nuk mund të mos pranojë aplikimin e CDE-së, e organizatës së z. Musai, duke qenë se programet e saj janë të akredituara nga Komisioni i Akreditimit të Programeve në përmbushje të Urdhrit nr.110, datë 09.03.2011 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe Rregullores për Sistemin e Akreditimit të Programeve të Trajnimit. Por, problemi qëndron te fakti se nëse CDE do të jetë një nga agjencitë apo qendrat e përzgjedhura në trajnimin e mësuesve (deri më tani ende nuk ka gjë të bërë publike), atëherë si mundet që z. Musai të paguhet 2 herë; edhe nga taksapaguesit shqiptarë (nga buxheti i shtetit), edhe nga vetë mësuesit për të përfituar kreditet që i duhen për kualifikimin e tyre. Dhe nëse CDE nuk do të përzgjidhet nga IZHA për trajnimin e mësuesve, apo nuk është përzgjedhur nga MAS për kualifikimin e mësuesve, atëherë për çfarë i duhen mësuesve kreditet e blera nga kjo qendër?

 Reagimi i Bardhyl Musait

Në reagimin e tij, pas botimit të shkrimit në “Telegraf” me titull “Ish këshilltari Berishës, biznes me mësuesit dhe librat e tij në Durrës”, nuk sheh asgjë të keqe në faktin që mësuesi duhet të blejë kreditet për kualifikimin e tij, edhe pse MAS ka deklaruar se trajnimet do të jenë falas. “Aplikimet janë të lira dhe mund të marrë pjesë cilido që plotëson kriteret. Çfarë të keqe sheh autori këtu? Pagesën 12 Euro? E siguroj se këto aktivitete janë jo fitimprurëse, por, a mund të më thotë se në cilin vend të botës zhvillohen konferenca dhe seminare falas? Nëse MAS ka deklaruar se trajnimet do të jenë falas, të mos ngatërrohemi, kjo do të thotë se mësuesit nuk paguajnë, por paguan dikush tjetër, p.sh., buxheti i shtetit. Çdo shërbim ka një vlerë, kryesore është që të mos abuzohet për të nxjerrë fitime. Në Shqipëri ka dhjetëra organizata që ofrojnë shërbime trajnimi, të certifikuara nga MAS dhe me pagesë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ish këshilltarit të Berishës.

 Pyetje publike për MAS

 -Z. Musai, themeluesi i Qendrës për Arsim Demokratik (CDE) zhvillon programin e kualifikimit të mësuesve kundrejt pagesës 12 euro nga mësuesit (e vërtetuar me e-mailin e dërguar nga z. Musai drejtorëve të shkollave). A është në dijeni MAS për këtë program dhe për më tepër, a njihet nga MAS certifikata me kredite, e marrë nga mësuesit, pas përfundimit të programit?

– Nëse z. Musai vepron jashtë kontureve të MAS, atëherë cilat janë procedurat dhe kriteret e trajnimit dhe të kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar?

-Nëse MAS ka deklaruar se, “në vitin shkollor 2014-2015 të gjitha kualifikimet e mësuesve do të bëhen falas dhe nuk do të ketë më kredite me lekë” atëherë si shpjegohet urdhri i DAR-ve në rrethe, sipas të cilit “për vitin shkollor 2014-2015, duhet të blejnë detyrimisht gjashtë kredite”? A ka MAS informacion për këtë?

-Në aktivitetet e organizuar nga CDE vihet re dhe pjesëmarrja e zv/ministres Nora Malaj. A është etike pjesëmarrja e saj në këto evente në cilësinë e funksionit që ajo mbulon? A nuk vlen këtu të thuhet se z. Musai ka lidhje edhe me strukturat e reja të MAS, duke ushtruar në këtë mënyrë ndikimin e tij?

– Nga ana tjetër, Qendra për Arsim Demokratik, që drejtohet nga z. Musai, deklarohet si një organizatë profesionale dhe e pavarur jofitimprurëse. A tatohen këto të ardhura që ai merr nga mësuesit nëpërmjet programeve të kualifikimit?