7500 kandidatë për 2278 vende vakante për mësues

805
Sigal

MAS prezanton raportin për portalin “Mësues për Shqipërinë”

Ministria e Arsimit dhe Sportit shpalli dje vendet vakante për mësues në të gjithë Shqipërinë. Për 2278 vende vakante për mësues kanë aplikuar 7.475 kandidatë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, në prani të Kryeministrit të vendit, Edi Rama prezantoi dje raportin e deri tanishëm të portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Nikolla deklaroi se deri ditën e djeshme kanë aplikuar 7.475 kandidatë për mësues, nga të cilët 58.9 % janë të gatshëm të shërbejnë edhe jashtë vendbanimit të tyre. Ministrja shtoi se pas aplikimeve për mësues në 2278 vende vakante në gjithë Shqipërinë, në profile të ndryshme, do të zhvillohet testi, i cili do të jetë i bazuar vetëm në meritë e që do të ketë një miradministrim, duke filluar që nga hartimi i pyetjeve nga një komision i posaçëm, përzgjedhja e pyetjeve on-line e më pas korrigjimi i testeve të sekretuara do të bëhet nga një komision i MAS.

 Ja ndarja e vendeve vakante sipas profilit

Profili i Testimit   Vende Vakante 
Arsim Fillor 440
Arsim parashkollor 175
Arsim profesional 4
Arsim special 0
Art pamor 31
Art pamor për shkollat artistike 4
Balet për shkollat artistike 0
Biologji 57
Edukim fizik 576
Ekonomik (Gjimnaz) 7
Fizikë 38
Gjeografi 21
Gjuhë angleze 232
Gjuhë frënge 31
Gjuhë gjermane 1
Gjuhë Italiane 13
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 118
Histori 59
Kimi 17
Matematikë 278
Muzikë 88
Muzikë për shkollat artistike 9
Shkenca shoqërore 35
Teknologji Informacioni dhe Komunikimi 47

Nikolla: Gjimnazet part-time, piramidat e arsimit të mesëm

 Ministrja Nikolla, duke vlerësuar analizën e rezultateve të Maturës Shtetërore, tha se diferencat e cilësisë dhe pabarazitë janë të mëdha aty ku dhe është më i madh numri i mësuesve jashtë profilit. “Analiza e rezultateve të Maturës Shtetërore tregoi edhe një herë për çorodinë që ka krijuar larmia e teksteve që maturantët përdorin për të njëjtën program lëndor dhe se sa e nevojshme është reforma e teksteve shkollore”, tha Nikolla. Ministrja shtoi se, nga analiza e kësaj Mature, rezultoi se në një shkollë private me kohë të pjesshme nuk kaloi asnjë maturant. Ndaj vetëm nga ky sinjal u inspektuan gjimnazet private me kohë të pjesshme dhe u hoqën licencat e 13 gjimnazeve që rezultuan piramida të arsimit të mesëm privat part-time.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporti, Lindita Nikolla u dhanë sot certifikata vlerësimi 10 shkollave më të mira publike e private, sipas Raportit të Maturës Shtetërore 2013-2014. Renditja e shkollave më të mira është si më poshtë:

 

10 shkollat publike më të mira

“Ismail Qemali” Tiranë

“Sami Frashëri” Tiranë

“Qemal Stafa” Tiranë

“28 Nëntori” Shkodër

“Petro Nini Luarasi” Tiranë

“Ali Demi” Vlorë

“18 Tetori” Lushnje

“Naim Frashëri” Durrës

“Themistokli Gërmenji” Korçë

“Dhaskal Todri” Elbasan

Rama: Jo më mësues të zgjedhur nga drejtorët e DAR/ZA-ve

 Historia e Drejtoreshës Arsimore të Lushnjës, e cila merrte para në këmbim të një emërimi në shkollë, është vetëm maja e ajsbergut, për Kryeministrin Edi Rama, i cili

premtoi se do të merren të gjitha masat që një fenomen i tillë të shkatërrohet.

“Jam shumë i shqetësuar për faktin që vazhdon të ketë shprehje të përgjithshme shqetësimi nga veriu në jug për mitmarrje në sistemin e arsimor. Ne jemi të bindur që ngjarja e rëndë e zyrës arsimore të Lushnjës nuk është një aksident i veçuar, por është maja e një ajsbergu që ne do ta bëjmë copë-copë pa kursyer askënd, por duke filluar nga ky ndryshim rrënjësor që do të kurorëzohet në muajin dhjetor në një fazë të parë dhe pastaj do të kthehet në sistem duke filluar nga viti tjetër”. Për të shmangur këtë problem kreu i Qeverisë bëri me dije se së shpejti asnjë drejtor nuk do të ketë kompetencë për të bërë emërime mësuesish në shkolla. “Asnjë drejtor drejtorie rajonale dhe asnjë drejtor zyre arsimore nuk do të ketë më në dorë të bëjë emërime apo çemërime mësuesish. Asnjë drejtor drejtorie rajonale dhe asnjë drejtor zyre arsimore nuk do të ketë më në dorë fatin e asnjë njeriu që shkon troket në zyrat e arsimit për të ofruar dijet e tij dhe që i përplaset dera në fytyrë. Rrugën e konkurrencës së ndershme do ta përcaktojë metoda e re”. Ndërkohë për të pasur Drejtorë më profesionalë kryeministri Edi Rama deklaroi se vitin tjetër në Shqipëri do të hapet një shkollë për Drejtorë të Arsimit.