70 vjet histori e shkollës “Misto Mame”

3251
Sigal

 Historia e një prej shkollave më me emër në kryeqytet që ka nxjerrë njerëz të talentuar

 Këtë vit shkolla “Misto Mame” në kryeqytet bën 70 vjet që nga krijimi i saj. Kjo është një ndër shkollat më në zë në kryeqytet e cila ka nxjerr dhe vazhdon të nxjerrë emra të spikatur nga bankat e saj. Sot kjo shkollë qëndron krenohet me ish -nxënësit e saj që kanë bërë emër në art, politikë, muzikë, teatër dhe mjaft fusha të tjera. Këto suksese ndër vite kjo shkollë i ka arritur edhe falë punës së vyer të drejtuesve të saj dhe mësuesve që kanë dhënë mësim në këtë shkollë ndër vite. Këto ditë shkolla “Misto Mame” është duke u përgatitur për zhvillimin e ceremonisë që do të mbahet në nder të 70- vjetorit të saj. Për organizimin e kësaj ceremonie nga stafi i kësaj shkolle nën drejtimin e drejtoreshës Arjana Maçi, është bërë një punë e madhe pasi kanë kërkuar informacione ndër vite. Në lidhje me përgatitjet që po bëhet drejtoresha Arjana Maçi, është shprehur për “Telegraf” se: “U mblodhëm dhe vendosëm të bënim historikun e shkollës, njëra nga më të vjetrat në Tiranë. Duke shfletuar librat e amzave u ngacmuam nga emra që thoshin shumë. Mjekë të nderuar, ekonomistë, politikane e shumë artiste e, sidomos valltarë e sportistë të njohur kishin qenë nxënës të kësaj shkolle. Iu drejtuam dy zotërive shumë të nderuar të dy inxhinierë me emër në Tiranë, z.Spiro Vllahudhe, z.Tome Meksi”. Sipas drejtoreshës Arianës,  Spiro Vllahu dhe z.Tome Meksi kanë sjellë të dhëna nga fillimet e shkollës që koha s’ka mundur t’ua fshijë nga kujtesa, vështirësitë  s’kanë mundur tua  humbasin, pjesën më të bukur të jetës, fëmijërinë.

Historia e shkollës “Misto Mame”

Sipas tregimit të ish- nxënësve rezulton se, me shembjen e shkollës fillore “Et’hem Toto” në rrugën e Dibrës (sot shkolla “Kongresi i Përmetit”) klasat e shkollës u vendosën tek barakat e zjarrfikësve të Tiranës në rrugën e Tafajve, sot shkolla “Partizani”.

Rreth vitit 1943, duke qenë se u shtua numri i nxënësve të kësaj shkolle, u pa e arsyeshme në marrëveshje edhe me Komunitetin Mysliman, që një pjesë e klasave të  transferoheshin në godinën e Medresesë në rrugën e Dibrës, kurse  pjesa tjetër u vendos tek shtëpia e Kristo Floqit, avokatit, deputetit të parlamentit të parë shqiptar dhe dramaturgut të njohur (sot Vila Gold). Për hir të së vërtetës kreu i Komunitetit mysliman u tregua shumë i gatshëm për të ndihmuar komunitetin e kësaj zone duke i liruar katin  e  dytë të Medresesë. Pas viteve 1945 klasat e shkollës laike në Medrese morën emrin Shkolla 7-vjeçare “Misto Mame”. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua shkolla e re, në sheshin ku sot ndodhet kompleksi sportiv i shkollës, e ndërtuar me konstruksion druri. Kur u ndërtua shkolla e re dykatëshe, ndërtesa e parë u kthye në kopsht fëmijësh. Shkolla e re u ndërtua me tulla e çati me tjegulla dhe rezistoi deri në ndërtimin e shkollës moderne ku ju sot edukoni brezin e ri, po në shkollën që mban emrin e heroit kombëtar Misto Mame.

 Nxënësit Ama dhe Kristi: Shkolla jonë është modeli më i mirë!

 Shkolla “Misto Mame” ka nxjerrë ndër vite nxënës të spikatur, po ashtu edhe sot vazhdon që të nxjerrë nxënës shumë të mirë, falë punës së palodhur të mësuesve të saj. Në ambientet e shkollës takuam disa nxënës, të cilët janë të kënaqur me shkollën, ku mësojnë. Në mesin e këtyre nxënësve takuam edhe dy nxënës të shkëlqyer që mësojnë në këtë shkollë dhe janë krenarë që janë aty. Ato quhen Ama dhe Kristi Musai dhe e veçanta e tyre është se janë motër dhe vëlla dhe mësojnë të dy në të njëjtën shkollë. Ama ishte në klasën e shtatë dhe Kristi në klasën e dytë. Ata u shprehën se: “Shkolla jonë është modeli më i mirë, pasi këtu mësuesit janë të përgatitur, rregulli dhe pastërtia zënë vendin e parë dhe ne jemi të kënaqur që mësojmë këtu”.

Ndryshimet e shkollës në 1990-2013

Shkolla “Misto Mame” ka pësuar një sërë ndryshimet në vite. Por ndryshimet më thelbësore edhe në përmirësimin e kushteve ajo i ka pësuar në harkun kohor të viteve 1900-2013. Me vendosjen e sistemit demokratik, shkolla ndryshoi përmbajtjen dhe formën e saj.

Së pari, u hoq boshti ideologjik dhe arsimimi mori  frymë të re.

U  ndryshua struktura e lëndëve shoqërore, duke i dhënë përparësi mendimit të lirë e të pavarur.

Në vitin 1996 shkolla u rikonstruktua në pjesën më të madhe të saj. Në këtë hap shkollës iu shtua një palestër moderne  me përmasa bashkëkohore. Në vitin 2008 shkolla u rikonstruktua në një godinë 4 katërshe

U zbatua një Reformë  e re arsimore.

Në vitet 2000 u futën lëndët jashtëkurrikulare duke i dhënë shkollës një dimension human dhe mundësi nxënësve për t’u integruar  në rrjedhat e edukimit global.

Në vitin shkollor 2006-2007  u fut sistemi i Altertekstit.

Në vitin shkollor 2008-2009  fillon për herë të parë lënda e informatikës si dhe shërbimi  i psikologut.

Në vitin shkollor 2008-2009 u kalua në sistemin nëntëvjeçar dhe për herë të parë provimet e lirimit u zhvilluan me vlerësim nga jashtë.

Po kështu në vitin 2008 u hapën për herë të parë arsimi parashkollor me një grup prej rreth 30  fëmijësh 5-vjeçare. Në vitin shkollor 2011-2012  për herë të parë në shkollë u fut sistemi dygjuhësh anglisht dhe italisht.

Disa nga emrat e njohur ish -nxënës të shkollës

Agron Alija

Aleksandër Meksi

Panajot Pano

Xhevat Lloshi

Skifter Këlliçi

Skënder Minxhozi

Besim Zekthi

Ledina Çelo